Tarifat kufitare, Lugina e izoluar si në luftë

Dec 30, 2011 | 11:14
SHPËRNDAJE

Ndaj tarifave të papërballueshme që momentalisht po paguhen në vendkalimet administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të marrëveshjes së lëvizjes së lirë, kanë reaguar sërish përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të Luginës duke vlerësuar se këto tarifa kufitare kanë izoluar si në kohën e luftës popullatën shqiptare të këtij rajoni.

Përfaqësuesit e Luginës u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ti heqin taksat, policat kufitare për shqiptarët e Luginës dhe të ndërmerr sa më parë masat që shqiptarët e Luginës së Preshevës të jenë të privilegjuar në këtë drejtim dhe që policat kufitare sa më shpejtë të hiqen për popullatën shqiptare, sikurse që nuk ekzistojnë për serbët e veriut të Kosovës.

Lideri i Partisë Demokratike shqiptare, Ragmi Mustafa, njëherësh dhe prefekt i Preshevës theksoi se qytetarët e Luginës janë izoluar si në periudhën e luftës, ndaj i bëri thirrje në vigjilje të këtij fundviti institucioneve të Kosovës që t’i heqin taksat, pasi ky vendim i ka izoluar plotësisht shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke i rikthyer ata në gjendjen e njëjtë të vitit 1999.

“Serbia, paraprakisht e ka programuar mirë për qytetarët serbë, ndërsa të vetmen taksë e paguajnë qytetarët e Luginës, që jetojnë në kushte ekonomike-sociale shumë të ulëta”, theksoi Mustafa, duke shtuar se “këta banorë janë të izoluar njësoj si në periudhën e luftës”.

Edhe lideri i Partisë Demokratike të Luginës, Nagip Arifi, njëherësh dhe nën/kryetar i komunës së Bujanocit, lidhur me aplikimin e tarifave doganore theksoi se edhe përkundër marrëveshjes së arritur për menaxhimin e kufijve mes dy shteteve, policat kufitare në këtë rast më së shumti kanë dëmtuar popullatën shqiptare të Luginës së Preshevës, duke e izoluar dhe diskriminuar atë, si në kohën e luftës. (Koha Ditore)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura