Taksa e makinës, Pinari: Si do të bëhet pagesa

Jul 31, 2011 | 10:18
SHPËRNDAJE

Foto Ilustruese

Projektligji i ri për taksën e makinave, që ende nuk ka hyrë në fuqi, do të zbatohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.

Drejtori Arben Pinari në një intervistë për gazetën thekson avantazhet që paraqet ky projektligj për qytetarët, duke filluar nga formula që është zgjedhur të zbatohet e deri tek thjeshtësia e procedurave administrative. Për Pinarin, taksa e re e makinës vendos një marrëdhënie të drejtë me përdorimin e infrastrukturës, ndotjes së ambientit që shkaktohet dhe parave që paguhen.

Z. Pinari, si i gjykoni dy projektligjet që lidhen me taksimin e makinave, të cilat pritet të hyjnë në fuqi së shpejti?

Projektligjet e miratuar në Parlament për disa ndryshime në Ligjin 9632, “Për sistemin e taksave vendore” dhe disa ndryshime në Ligjin 9975, “Për taksat kombëtare” sjellin një reformim të sistemit të shërbimit në Drejtorinë tonë. Sjell reformimin e shërbimit për arkëtimin e taksave që lidhen me përdorimin e mjeteve të transportit. Pse sjell ndryshime? E para, sepse më herët ne ishim agjentë tatimorë për taksat vendore dhe për taksat lokale. Taksë vendore ishte taksa e regjistrimit, e cila e thënë në gjuhën e përditshme dyshemeja ka qenë 2400 lekë dhe për mjetet me benzinë taksa e qarkullimit ka qenë 7000 lekë. Të dyja bashkë bënin 9400 lekë, ndërsa për taksën e mjetit që ndryshonin llojin e karburantit për mjetet autoveturat, për ato që ishin me naftë e kishin si taksë 12 mijë lekë të vjetra.

Krahasuar me ligjin ekzistues, ku janë avantazhet e ndryshimeve që i janë bërë ligjeve?

Ka ndryshime. Projektligji i ri bën ndryshimin konceptual të mënyrës së taksimit për mjetet, pra me parimin shfrytëzim-përdorim. Nëse tani kemi një pagesë fikse, pavarësisht se sa e përdor mjetin, kjo nuk do të jetë kështu me ligjin e ri. Po kështu, diferenca në mënyrën se si taksohet një mjet ka edhe për madhësinë e tij apo për moshën e mjetit. Deri më tani, si mjeti i madh dhe ai i vogël, si mjeti i vjetër dhe ai i ri paguanin njësoj. Ndryshimi konceptual i ligjit të ri sjell pranë sporteleve tona qytetarët që do të paguajnë një taksë që quhet taksa e mjeteve të përdorura. Ndërsa taksa vendore apo siç njihet taksa e regjistrimit, do të mblidhet me karburantin pra brenda çmimit të karburantit do të jetë edhe kjo taksë. Sikurse dhe dihet, deri më 31 dhjetor kjo taksë do të jetë 5 lekë dhe nga data 1 janar do të bëhet 7 lekë për litër. Çfarë sjell kjo si masë? Së pari, një person i cili e përdor mjetin një herë në javë vetëm për pushimet e fundjavës paguan më pak, sepse ndot ambientin më pak, përdor rrugën më pak, pra i ofrohen më pak shërbime sesa një njeri i cili e përdor mjetin nga mëngjesi deri në darkë. Pra, sa herë që mjeti do të furnizohet me karburant, aq herë ai do të ndoti ambientin, aq herë ai do kërkojë përdorimin e rrugës dhe shërbimeve të tjera. Pra, ai që e përdor shumë, do të paguajë më shumë dhe ai që e përdor pak, do të paguajë më pak. Ndërkohë, taksa e re e mjeteve të përdorura është një taksë e re, e cila parimin e saj bazë e ka që ai që ka mjetin më të ri dhe që ndot më pak ambientin, paguan më pak, kurse ai që ka një mjet më të vjetër, do të paguajë më shumë. Është një parim që ndiqet në të gjitha vendet e Europës dhe është brenda standardeve në fushën e transportit.

Drejtoria juaj do të jetë ajo që do të zbatojë, pra do të jetë përgjegjëse për zbatimin e ligjit të ri dhe mënyrës së re të taksimit të makinave. Si e shihni zbatimin e projektligjeve krahasuar me sistemin aktual?

Ky projektligj nga pikëpamja e funksionimit, pra e zbatimit që lidhet direkt me Drejtorinë tonë, është më i thjeshtë, sepse në rast se më përpara qytetari duhet të priste në sportelet tona për dy shërbime, pra edhe për taksën e qarkullimit edhe për taksën e regjistrimit, sot do të bëjë vetëm një shërbim. Si kohë e shërbimit ndaj qytetarit është e përgjysmuar. Mënyra e përllogaritjes, që më parë ishte mbi bazën e një sërë faktorësh, për shembull në bazë të tonazhit të mjetit, tashmë është ndryshe, kemi këtë formulë të re përllogaritjeje që natyrisht në momentin e parë për ata persona që kanë mjete mjaft të vjetra, duket se është më rënduese, por po të merremi në drejtimin që po ecën Shqipëria në drejtim të zhvillimit dhe të rinovimit të parkut të mjeteve, mjetet e reja për tre vitet e para janë me taksë zero. Ky është një favor goxha i madh për ata që kanë mjete të reja dhe numri i tyre nga viti në vit po vjen duke u rritur.

Sa është taksa që duhet të paguajë një qytetar tani? A ishte më e leverdishme taksa sipas ligjit të vjetër, ku paguhej taksë regjistrimi dhe qarkullimi apo është më e leverdishme sot me këtë formulë?

Nga përllogaritjet që kemi bërë ne si Drejtori, i bie që një mjet me benzinë ta paguajë taksën aktuale mbas 10 vitesh moshë që ka mjeti. Pra, deri kur mjeti mbush moshën 10-vjeçare, ai barazohet me taksën e sotme. Është një përfitim goxha i madh. Në rast se kemi një mjet me kubik 1700 dhe është me benzinë, i bie që taksën e sotme ta paguajë në vitin e 11-të të jetës që ka mjeti. Ndërsa një mjet tjetër autoveturë me benzinë, e cila është një kubik e vogël, i bie që ta paguajë në vitin e 14- të të jetës. Pra, jo vetëm që tre vitet e para është me zero, por edhe në vitin e 14-të paguan këtë që paguan sot. Në rast se i referohemi faktit që 94 mijë lekë i paguan një mjet me benzinë, sot po i njëjti mjet me benzinë me kubik 1200 e paguan në vitin e 14-të të jetës këtë shifër. Pra, nga pikëpamja e përfitimit për ata që kanë mjete relativisht të reja, sepse në botë një mjet 14-vjeçar nuk quhet i ri, është goxha përfituese.

Po lidhur me mjetet e tjera të transportit që nuk janë makina personale, por mjete që përdoren për transportin publik, si trajtohen në këtë projektligj?

Projektligji në gjuhën e statistikave që ne disponojmë sidomos për transportin e udhëtarëve është shumë favorizues. Sipas përllogaritjeve që kemi bërë, natyrisht edhe mbi bazën e projektligjit të ri, një mjet autobus me naftë, pra ata që hyjnë në shërbimin ndaj qytetarit, një autobus me naftë i cili ka një cilindrat 13.800 kubikë, barazohet taksa e sotme në vitin e 14-të të jetëgjatësisë së mjetit. Në rast se sot ai paguan 61 mijë 400 lekë, në vitin e 14-të do të paguajë 58 mijë e 642 lekë. Pra, më pak. Ndërsa një autobus që ka cilindratën 4324 kubikë, i bie që të barazohet me taksën ku sot paguan 40 mijë lekë dhe në vitin e 21-të i bie të paguajë 41 mijë e 078 lekë. Ligji është shumë favorizues për mjetet që kanë moshën relativisht të re. Aplikimi i taksës fillon në vitin e katërt të jetës, në rast se do të shohim autoveturat me benzinë, që fillon për herë të parë të paguajë taksën e mjetit, i bie të paguajë 4320 lekë, ndërkohë që sot paguan 9400 lekë, pra më pak se gjysma. Mënyra e përllogaritjes së kësaj takse është shumë më e thjeshtë se mjafton që mjeti të ketë cilindratën, vitin e prodhimit dhe llojin e karburantit për të bërë shumëzimin e koefiçientëve dhe del sasia e taksës që duhet paguar. Pra, edhe nga kjo pikëpamje është shumë më e thjeshtë, nuk lë shteg për interpretime.

Si është sot parku i automjeteve në vend, cila është vjetërsia mesatare?

Ajo lidhet shumë dhe me investimin që do të duhet për një makinë të re. Nëse i referohemi autoveturave, kemi koncesionarë të cilët kanë kaluar dhjetë vite që shesin makina në Shqipëri. Pra, ato makina që dikur janë shitur me zero, sot janë 10-vjeçare. Por, numri i makinave të reja nga viti në vit vjen duke u rritur, sidomos tek autoveturat. Pastaj, për vitin 2010 kemi vetëm 45 autobusë të importuar me kilometër zero. Që një autobus ka një vlerë fillestare të blerjes goxha të madhe, prandaj thashë që kjo lidhet edhe me investimin fillestar që do të duhet për blerjen e një mjeti mbi bazën e një analize kostoje që bën biznesi. Në rast se ble një mjet të ri, për sa do më duhet që ta shlyhej dhe në rast se ble një mjet të përdorur, sa është koha që atij i duhet të shlyejë veten e vetë fillestare dhe më pas normat e fitimit.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura