Veç kostove të aktivitetit apo tatimeve që paguajnë në shtet, bizneset kanë dhe një kosto tjetër më të padukshme. Ajo është e ashtuquajtura taksa e krimit.
“Nga bastisjet, grabitjet, vjedhjet, marrja peng apo gjobat, por edhe shumë fenomene të tjera”, nënvizon Jaka. Por përtej perceptimit, kostot e krimit janë të matshme.
Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Shqipëri krimi i merr biznesit mesatarisht 6.5 përqind të xhiros bruto. Në varësi të llojit të biznesit, në disa raste kjo shifër mund të jetë më e madhe edhe sesa tatim-fitimi që paguhet në shtet. Megjithatë, jo të gjithë paguajnë njësoj.
“Kjo ka të bëjë me aktivitetin që është i ekspozuar me krimin. Nëse ka një aktivitet që nuk ballafaqohet me krimin në aktivitetin e përditshëm, atëherë kostot mund të jenë të ulëta. Ndërsa në rast të kundërt, kostot janë të larta”, shton Jaka.
Sipas BERZH, për vendet e rajonit shpenzimet mesatare për krimin zënë 5.9 përqind të xhiros./Top Channel/