Takimi në selinë e re, Basha 60 minuta me Arvizun

Aug 31, 2013 | 12:39
SHPËRNDAJE

Gjatë takimit Basha-Arvizu në selinë e re të PD
Partia Demokratike përuron selinë e saj të re me një takim të kryetarit të saj Lulzim Basha me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Ame-rikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
Pas takimeve të zhvilluara me diplomatët e BE-së dhe OSBE-së, kreu i demokratëve ka qëndruar dje për rreth 60 minuta në një prej zyrave të katit të dytë të godinës së re me diplomatin amerikan, ku, siç tha në përfundim të takimit, foli për zgjedhjet e 23 qershorit dhe perspektivën e PD-së.
Takimi
Lideri i PD-së, Lulzim Basha, mbërriti në selinë e re, fare pranë Parlamentit dhe vendit ku do të ngrihet xhamia, rreth 10 minuta përpara se të niste takimi, ndërsa pak minuta pas tij mbërriti edhe ambasadori amerikan. Basha dhe Arvizu hynë në godinën në rikonstruksion e sipër nga dera e anësore e saj, teksa diplomati nga Uashingtoni u prit fillimisht nga kryetari i Forumit Rinor të PD-së, Gerti Bogdani. Në takim kreu i demokratëve ishte i shoqëruar, përveç Bogdanit, edhe nga ish-drejtuesi dhe deputeti i kësaj partie, Eduard Selami dhe dy zëdhënëset, Silvi Bardhi e Laura Vorpsi. Nga ana tjetër, ambasadori Arvizu ishte i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Henry V. Jardine dhe dy bashkëpunëtorë të rinj të sapoardhur në vendin tonë.
Deklaratat
Në përfundim të takimit, Basha e Arvizu kanë dalë në një deklaratë të shkurtër për mediat, ku kanë folur për përmbajtjen e bisedës mes tyre. Kreu i demokratëve u shpreh se gjatë takimit u fol për zgjedhjet e 23 qershorit dhe rolin e PD-së në opozitë. “Është takimi im i parë me të në detyrën time si kryetar i Partisë Demokratike dhe me këtë rast shkëmbyem pikëpamjet tona mbi një sërë çështjesh, që nga procesi zgjedhor i 23 qershorit, perspektiva e Partisë Demokratike mbi të ardhmen e vendit dhe çështje të rëndësishme të integrimit europian dhe bashkëpunimit euroatlantik, si dhe roli i Partisë Demokratike si një opozitë e fortë ballore, krijuese dhe moderne në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të interesit të qytetarëve shqiptarë”. Nga ana tjetër, ambasadori Arvizu deklaroi se në takim u fol për rolin e opozitës. “Folëm për qëllimin e zjarrtë të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike, që është shtegu europian i Shqipërisë, shtegu euroatlantik, rruga drejt Brukselit. Folëm për rolin e opozitës së vendit, pasi në çdo demokraci është e rëndësishme që të gjitha partitë të luajnë rolin e tyre dhe nëse do të shprehesha me një metaforë, do të thosha që “në krye të autobusit të jenë të gjithë”, u shpreh Arvizu.
Selia e re
Vetëm një ditë pasi përpara godinës së SHQUP-it u ngrit flamuri i PD-së, stafi i selisë blu kishte bërë gati një zyrë të katit të dytë ku do të mbahej takimi mes Bashës dhe Arvizusë. Zyra, e cila gjendet fare pranë sallës së madhe të konferencave, ishte e pajisur me tavolinën e mesit me flamurin tonë kombëtar, atë të PD-së dhe SHBA-ve. Paralelisht me të ishte bërë gati edhe holli i katit të dytë të godinës ku u vendos baneri i PD-së dhe foltorja për konferencën e përbashkët për shtyp. Sa i përket pjesës tjetër të selisë, ajo është ende një kantier i hapur ndërtimi dhe vetëm gjatë fundjavës tjetër pritet të përfundojë puna për disa nga zyrat kryesore.

SHQUP, Arvizu: Nuk mbajmë anësi
Ambasadori Aleksandër Arvizu foli dje edhe për debatin e fundit lidhur me selinë e re të demokratëve. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Bashën ai tha se qëndrimi i Uashingtonit është ai i respektimit të shtetit ligjor. “Dëshiroj të vlerësoj shkurtimisht vendndodhjen ku jemi takuar sot. Gjithashtu dallojmë se çështja e kësaj prone ka qenë subjekt i polemikave të ndryshme. SHBA-të nuk mbajnë anësi sa i përket asaj, por ajo që ne këshillojmë është përmbajtja kundrejt shtetit ligjor dhe objektivitet. Ky takim ishte parashikuar të zhvillohej më herët dhe ishte menduar të takoheshim në selinë blu. Më pas u njoftuam që Partia Demokratike kishte lëvizur këtu dhe ishte e gatshme të na priste. Kjo shpjegon arsyen pse ndodhemi këtu sot”, sqaroi Arvizu.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura