Takimi me Arvizun, Selami në krah të Bashës

Aug 31, 2013 | 12:37
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shoqërohej në takimin e djeshëm me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu nga ish-drejtuesi i kësaj partie deri në vitin 1995, Eduard Selami. Kjo është hera e parë që deputeti i qarkut të Elbasanit del publikisht në krah të liderit të ri të demokratëve në një takim publik. Së bashku me Selamin në takimin e djeshëm ishte i pranishëm edhe sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë, njëherësh edhe kreu i Forumit Rinor të PD-së, Gerti Bogdani. Ndonëse ende nuk flitet zyrtarisht për emrat e rinj që do të jenë në postet e sekretarëve pas përfundimit të zgjedhjeve nëpër degë, kohët e fundit është përfolur emërimi i Selamit në postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë në PD. Sipas Statutit të Partisë Demokratike, sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë dhe zëdhënësi i partisë janë atribut direkt i kryetarit, i cili nuk ka detyrimin ta hedhë në votë në Këshill Kombëtar. Nëse këta zëra do të konfirmohen, Selami mund t’i zërë vendin Gert Bogdanit që në muajin shtator. Gjatë takimeve të mëparshme kreu i demokratëve ka qenë i shoqëruar edhe nga shefi i kabinetit i Kryeministrit Berisha, njëherësh deputet i qarkut të Durrësit, Oerd Bylykbashi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura