Tahiri, opozitës: Nxitësit e krimeve s’do kalojnë paq

Jan 31, 2014 | 12:21
SHPËRNDAJE

Tahiri dje gjatë fjalës në Parlament
Ministri i Brendshëm, deklarata të ashpra për ish-kryeministrin

“Mallkuar dita kur e harrove ç’të bënë shqiptarët më 23 qershor”

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, paralajmëroi dje përfaqësuesit e opozitës se nëse janë ata nxitësit e  kriminalitetit apo atentateve me eksploziv, askush nuk do ta kalojë paq.
Ai e ka quajtur shtimin e atentateve me bomba dhe vrasjet si artificiale dhe të ngjashme kur në opozitë ishte ish- qeveria Berisha. “Në kohën kur bëje opozitë, asokohe para 12-13 vjetësh, kur tritoli kërciste në shtyllat e tensionit të lartë. Kështu nisi dhe kësaj radhe në dhjetor e mban mend mjaft mirë, tritoli në shtyllën e tensionit të lartë, me mesazhet politike të qarta, për të cilën sot nuk ke folur akoma, për të cilën askush nga ju sot s’ka folur akoma. Kjo që ka ndodhur dhe kjo që po ndodh ka një rritje artificiale, ka një fryrje të panatyrshme, lidhur me situata kriminale të theksuara që janë akte të pastra terroriste. Por, ta dini fort mirë ju, deri ditën e fundit të detyrës sime dhe deri ditën e fundit të kësaj maxhorance, askush nga ju që guxon të nxisë, të frymëzojë kriminalitetin në këtë vend, nuk do ta kalojë paq!”, u shpreh Tahiri. Ai deklaroi më tej se qeveria e re do t’i këpusë lidhjet e pushtetit me krimin. “Këtë ta dini mirë, ky vend e ka hedhur një herë e mirë pas krahëve lidhjen e pushtetit me krimin. Ky vend e ka hedhur një herë e mirë pas krahëve lidhjen e shkurtër që bënte krimi dhe në polici, dhe në qeveri, dhe në zyrën tënde, dhe në familjen tënde. Prandaj u hap kutia e këtij lloj kriminaliteti që do të mbyllet shpejt, të jeni të sigurt për këtë. Por, deri në atë ditë heshtni, deri në atë ditë bëni durim dhe lëreni Policinë e Shtetit të punojë siç duhet”, u shpreh ministri.
Akzuat ndaj Berishës
Socialisti Saimir Tahiri, me një gjuhë të ashpër ka sulmuar ish- kryeministrin të cilin e ka akuzuar për vrasjen e qytetarëve në Gërdec. “Ti mblidh replikat, siç yt bir mblidhte lekët, mblidh replikat siç kur ishe Kryeministër rreshtoje të vrarët dhe ata që vriteshin për shkak të bizneseve të tët biri, të familjes tënde, por bekuar qoftë dita kur shqiptarët treguan se kush je vërtet.
Dhe ky që erdhi këtu deri para pak, ke qenë 20 e kusur vjet llazore që vjen edhe në tryezën e Parlamentit, llazore si Kryeministër. Por, mallkuar qoftë dita kur e harrove ç’të bënë shqiptarët më 23 qershor”, theksoi Tahiri.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura