Tabelat/ Çmimet e shitjes së banesave në Tiranë, shtyhet amnistia për shtëpitë e tokat

Feb 3, 2017 | 17:00
SHPËRNDAJE

Shtyhet edhe me 3 muaj procesi i rivlerësimit të shtëpive dhe tokës, duke paguar tatimin 2 për qind. Udhëzimi i miratuar në shtator përcaktonte se afati i procesit të rivlerësimit duhej të mbyllej në fund të muajit shkurt, por qeveria pritet të miratojë shtyrjen e afatit të procesit deri më 31 maj.

muho

Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave, Ilirian Muho, tha për gazetën “Panorama” se kërkesa për shtyrjen e afatit të procesit të rivlerësimit të shtëpive deri më 31 maj është bërë nga Ministria e Financave.

Kreu i Hipotekës, Muho, tha se kërkesa për shtyrje është mbështetur edhe nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa pritet që ndryshimi i afatit të udhëzimit t’i kalojë për miratim Këshillit të Ministrave.

“Për procesin e rivlerësimit të pasurive ka një kërkesë nga Ministria e Financave për shtyrje të afatit deri më 31 maj, duke qenë se ligji përcakton që afati i përfundimit të procesit të jetë data 28 shkurt. Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga Ministria e Drejtësisë, ku Drejtorisë së Përgjithshme të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme i është komunikuar urdhri i Ministrisë së Drejtësisë në mbështetje të kërkesës së bërë nga Ministria e Financave për shtyrjen e afatit të procesit.

Ndryshimet për afatin e udhëzimit të rivlerësimit do t’i kalojnë për miratim Këshillit të Ministrave, dhe pas miratimit zyrat e Regjistrimit të Pasurive do të vazhdojnë punën deri në afatin e ri që do të miratohet”, u shpreh Muho.

Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave shpjegoi se arsyet për shtyrjen e afatit janë kërkesat e lartë që kanë qytetarët për rivlerësim pronash. “Shtyrja për afatin do të bëhet e kondicionuar nga shtimi i kërkesave të qytetarëve për rivlerësimin e pronës me tatimin 2 për qind. Kjo u jep mundësi qytetarëve të përfitojnë nga procesi i rivlerësimit me tatimin 2 për qind, për të kthyer pasurinë e tyre me vlerën reale të tregut, ku më herët çmimet fiskale ndryshuan për disa zona kadastrale”, tha Muho. Sipas të dhënave, deri në fund të dhjetorit u rivlerësuan mbi 20 mijë pasuri.

ÇMIMET E REJA

Zyrat e Regjistrimit të Pasurive në të gjithë vendin po përdorin çmimet e reja fiskale si referencë për procesin e rivlerësimit të miratuar pak ditë më parë nga qeveria. Çmimet fiskale për kryeqytetin nuk ndryshuan në 23 zona kadastrale, në 5 të tjera çmimi u rrit, ndërsa në 4 zona kadastrale çmimi u ul.

“Panorama” boton edhe një herë çmimet fiskale për zonat e Tiranës, që qytetarët që do të rivlerësojnë shtëpinë referuar tabelës dhe çmimit të mëparshëm kur është krijuar pasuria, të bëjnë llogaritë për tatimin që do të paguajnë. Për ta konkretizuar, nëse një qytetar ka përfituar nga procesi i privatizimit të banesave gjatë viteve 1991 apo 1992, kur çmimi ishte simbolik, një shtëpi me sipërfaqe 50 m² në zonën e Ali Demit, që i përket zonës kadastrale 1/1 dhe çmimi fiskal është 98.000 lekë, vlera aktuale e apartamentit është 5.007.800 lekë.

Çmimi i mëparshëm llogaritet me vlerën fiskale të 1996-s, ku për Tiranën ishte 16.664 lekë dhe çmimi i mëparshëm i shtëpisë ishte 851.530 lekë. Nga diferenca e çmimeve, tatimi 2% që një qytetar paguan është 83.125 lekë.

tabela

tab1

tab2

tab3

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura