Tabela e rrogave/ Çelsi kapërcen Liverpulin dhe Junajtidin, Siti paguan më shumë nga të gjithë

May 10, 2024 | 7:45
SHPËRNDAJE

Sfidat financiare të Çelsit janë zbuluar pasi fatura e pagave të tyre u rrit përtej kufirit të 400 milionë paundëve sezonin e kaluar. Klubi i “Stamford Bridge” ishte i dyti pas Mançester Sitit sezonin e kaluar kur bëhej fjalë për pagesën e lojtarëve dhe stafit.

0_Premier-League

Ndërsa fatura e pagave të Sitit shkoi në 422.9 milionë paund, duke përfshirë shumë bonuse sepse fituan tripletën, Çelsi shpenzoi shuma të mëdha për skuadrën e tyre të fryrë, ndërsa u rendit në vendin e 12-të në tabelën e Premier Ligës.

Me një shpenzim në merkato prej mbi 1 miliard paund që kur Tod Bohli dhe “Clearlake Capital” blenë klubin në 2022 nga Roman Abramoviç, shifrat e fundit financiare të klubit treguan një humbje prej 89.9 milionë paundësh për 2022-2023. Kjo shifër do të ishte dukshëm më e lartë, por ata përfituan 76.5 milionë paund nga shitja e dy hoteleve në “Stamford Bridge” te një filial i kompanisë së pasurive të paluajtshme të Çelsit.

Kjo marrëveshje do të ndihmojë Çelsin të përmbushë Rregullat e Fitimit dhe Qëndrueshmërisë së Premier Ligës (PSR) dhe të shmangë sanksione të tilla si zbritjet e pikëve. Por fatura e pagave të klubit vazhdoi të rritet. Shifra prej 404 milionë paundësh e vendos raportin e pagave ndaj xhiros së Çelsit në 79.2 për qind, një nga shifrat më të larta në Premier Ligë.

Megjithatë, kjo shumë besohet se përfshin edhe pagesa të konsiderueshme për menaxherët e shkarkuar Tomas Tuhel dhe Graham Poter sezonin e kaluar. Lojtarët me të ardhurat më të larta të Çelsit përfshijnë Rahim Sterling, që besohet të ketë pagën 325.000 paund në javë dhe Enzo Fernandez me 315.000 sterlina në javë.

Siti dhe Çelsi janë të vetmet klube angleze që kanë tejkaluar shifrën prej 400 milionë paundësh, por raporti i pagave ndaj xhiros së Sitit është shumë më i qëndrueshëm, prej 59 për qind. Çelsi kapërceu mbi Liverpulin (373 milionë paund) dhe Mançester Junajtid (331.4 milionë paund) në tabelën e pagave të Premier Ligës për 2022-23.

Totali i Liverpulit tregoi një rritje prej 7 milionë paundësh për 2022-2023, kryesisht si rezultat i marrëveshjes së përmirësuar të Mohamed Salahut. Junajtid i zbriti shpenzimet e rrogave me 52.8 milionë paund për 2022-23, sepse ata nuk luajtën në Ligën e Kampioneve, gjë që shkakton një ulje të pagave për lojtarët dhe stafin për shkak të klauzolave në kontratë, ndërsa Kristiano Ronaldo, i cili ishte lojtari më i paguar, u largua në mes të sezonit.

Me të ardhurat e “djajve” që u rritën me 11 për qind duke shkuar në 648 milionë paund, fatura e pagave të tyre ishte vetëm pak më shumë se gjysma, çka është një pozicion i shëndetshëm financiar për ta. Totenhemi dhe Arsenali kanë një përqindje të ngjashme të qëndrueshme, ndërsa rreth gjysma e faturave të tyre përkatëse shkon për pagat, 251 milionë dhe 234.7 milionë paund. Megjithatë, “spurs”-at panë se kostot e tyre të pagave tejkalojnë Arsenalin në shifrat e fundit.

rrogat e premier liges

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura