“Syakulli” u kap nga italianët që e arrestuan në Romë

Mar 31, 2012 | 13:57
SHPËRNDAJE

Altin Hoxha

VLORE/ Altin Hoxha: Paskeni ardhur deri këtu? Ju njoh

Arrestimi i “syakullit” bën jehonë në Itali. Kapja pas 3 muajsh e Altin Hoxhës (Ali Islamajt), një prej grabitësve më të dhunshëm në shtetin fqinj, i dyshuar dhe për vrasje, është transmetuar nga mediat italiane. “Burri me sytë e akullt”, për shkak të ngjyrës së syve dhe gjakftohtësisë me të cilën kryente grabitjet nëpër vila, bashkë me persona të tjerë, ka qenë në epiqendër të kronikës së zezë në Itali dhe Shqipëri. Kjo dhe për faktin se ai mbahet mend për grabitjen në vilën e trajnerit të Palermos, Serse Cosmi, në janar të vitit 2011. Ai u arrestua në qytetin e Vlorës falë një operacioni të përbashkët mes policisë së qytetit bregdetar dhe një skuadre të ardhur nga Italia, e njëjta që bëri dhe arrestimin e tij në qershor të vitit 2011, rreth 7 muaj para arratisjes spektakolare nga një burg i Romës. “Paskeni ardhur deri këtu? Unë ju njoh”, ka thënë me një shprehje kërcënuese ndaj grupit italian që mori pjesë në operacionin e përbashkët, koduar “I shumëkërkuari”. I akuzuar për rreth 50 grabitje dhe i dyshuar për përdhunim dhe një vrasje, 29-vjeçari ndodhet në qelitë e paraburgimit të Vlorës. Ai pritet të dalë në gjyq, ku do t’i komunikohet masa e sigurisë dhe arrestimi i tij me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Sipas procedurës, brenda 40 ditësh pritet të mbërrijë dokumentacioni mbi veprat penale që rëndojnë mbi të nëpërmjet zyrës së Interpolit. Në të kundërt, ai do të lihet i lirë, pasi nuk ka asnjë procedim penal nga pala shqiptare. Prej momentit të arrestimit, i riu nuk ka dhënë asnjë dëshmi mbi akuzat që rëndojnë ndaj tij. Veç fjalëve “bravo ju qoftë, më kapët”, nuk ka pasur asnjë reagim ndaj punonjësve të policisë sonë. Sipas Policisë së Vlorës, ai nuk do të merret në pyetje pasi arrestimi i tij ka qenë me qëllim

Altin Hoxha gjatë arrestimit

ekstradimi. Nga ana e Policisë së Vlorës bëhet e ditur se prej tri javësh ishte marrë sinjali që i shumëkërkuari nga pala italiane kishte hyrë në Shqipëri duke u kthyer pikërisht në fshatin e origjinës, në Drashovicë. Ai ishte arratisur që prej 14 janarit të këtij viti nga burgu i Romës, “Regina Coeli”, duke shfrytëzuar disa çarçafë si litar, pasi kishte sharruar hekurat e dritares bashkë me një të burgosur rumun. Altin Hoxha (Ali Islamaj) është cituar nga mediat italiane konkretisht mbi grabitjen e trajnerit Cosmi, në afërsi të Peruxhias. Në bashkëpunim me të tjerë, i riu kishte hyrë forcërisht, rreth mesnatës, kur trajneri bashkë me gruan dhe të bijën ishin në gjumë. Ata u zgjuan nga zhurmat, duke hasur përballë fytyrat e maskuara të grabitësve, njëri prej të cilëve me armë. Arma i është mbështetur pas koke trajnerit, duke e detyruar që t’u dorëzonte një shumë të konsiderueshme parash e objektesh me vlerë, e më pas i lidhën të tre në një dhomë.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura