Super grabitesi, Nëna e Viktorit: E kam mohuar që në 1997

Mar 31, 2012 | 11:32
SHPËRNDAJE
Autori i vrasjeve, Viktor Gushi

Në vendlindjen e Gushit, aty ku banorët rrëfejnë vrasësin.

Dyshimet për një tjetër vrasje të Viktorit në fshat dhe arratisja e familjes Gushi në Greqi.

Janë një komunitet i terrorizuar në dy dekada. Banorët e fshatit Dukas-Çoban pranë qytetit të Patosit nuk ia kujtonin qartë pamjen Viktor Gushit, por emrin ia mbanin mend mirë.
Që nga prapësitë në shkollë, te arratisja drejt Greqisë ende pa u hapur mirë dyert e emigracionit, martesa problematike me një vajzë minorene dhe deri te vrasja e një të riu në ’97-n. E pas këtij viti, banorët nuk e panë kurrë më Viktor Gushin dhe as dëgjuan për atë, por tmerrin e bëmave dhe frikën e rikthimit të tij në fshat duket se e kanë edhe sot. Dhe “sot” ishte dita e djeshme, kur gjatë një vizite në vendlindjen e personit që ka pranuar dy vrasje, tri plagosje dhe dhjetëra grabitje me armë, fqinjët e tij nuk kishin guximin që të flisnin publikisht. Megjithatë, teksa shihnin gjithë “vigjilencë” majtasdjathtas dhe me zë të ulët pranë veshit sikur po i përgjonte ndokush, ata na rrëfyen plot detaje nga jeta e Viktor Gushit, apo siç e thërrasin ndryshe në fshat, Toku.
FSHATI

Shtëpia e braktisur e familjes Gushi

Për të shkuar në DukasÇoban, duhet të kalosh përmes qytetit të Patosit dhe pranë bashkisë ndiqet rruga djathtas. Duke vijuar gjithnjë në këtë krah, pas dy kilometrash rrugë të pashtruar arrin në fshatin që si prapashtesë ka pikërisht origjinën e banorëve: çobenjtë. Janë të gjithë banorë të komunitetit vlleh, që shumica prej tyre i kalojnë 11 muaj të vitit në Greqi dhe vetëm 1 muaj gjatë verës kthehen në fshat. Për këtë arsye, në Dukas-Çoban shikon më së shumti pleq, por edhe fëmijë. Po për këtë arsye dhe një tjetër shtesë, familja e Viktor Gushit nuk jeton më aty. Prej 15 vitesh, shtatë anëtarët e saj janë shpërngulur drejt Selanikut dhe janë rikthyer vetëm njëherë në Dukas-Çoban; në vitin 2002 për të varrosur babain e Viktorit, Kozmain. Ai vdiq nga tumori në kocka, por banorët thonë se “e hëngri kanceri prej të birit”. Sipas tyre, në vitin 1997, Toku (Viktori) ka vrarë një djalë vlonjat aty në fshat dhe prej asaj kohe, familja u detyrua që të shpërngulej, ndërsa babai i tij nisi të sëmurej. Aktualisht, shtëpia Gushi është drejt shembjes. Ajo është e rrethuar me një avlli prej blloqesh dhe derë hekuri, por nuk ka njeri edhe në shtëpitë rrotull që të kujdeset për të. Ndërsa komshinjtë ca më larg, duket se nuk duan “të ngatërrohen” me familjen Gushi.
FAMILJA
Viktor Gushi ka tre vëllezër dhe dy motra. Njërin prej tyre e ka gjysmëvëlla, pasi është fëmijë i sjellë nga martesa e parë e së ëmës, Sofisë. Gjithashtu edhe babai i tij, Kozmai, ka qenë i kurorëzuar para se të martohej me Sofinë, madje dy herë. Bashkëshortja e parë e Kozmait vdiq vetëm pak muaj pas martesës, për shkak se u godit nga një rrufe. Me të dytën nuk pati mirëkuptim dhe u ndanë. Pra, nëna e Viktorit, Sofia, ishte bashkëshortja e tretë e Kozmait. “E treta dhe e vërteta”, përforcon rrëfimin një banor i fshatit Dukas-Çoban, S.H., teksa na jep një informacion rreth familjes Gushi. Sipas tij, përveç Tokut, të gjithë fëmijët e tjerë të çiftit kanë qenë shumë të edukuar dhe të sjellshëm. “Këtë (Viktorin) sikur ta kishin lindur xhindet. I mbante edhe flokët e gjatë, me kaçurrela dhe ishte shumë i prapë. Kam nja 15 vjet pa e parë, por më kujtohet mirë se krijonte sherre kot së koti. Edhe atë djalin në vitin 1997 nuk e morëm vesh se pse e vrau. Ashtu ishte ajo kohë…”, thotë burri që duket se i ka kaluar të 70-tat, ndërsa rrudh ballin për të sjellë diçka më tepër nëpër mendje. Pasi mendohet pak, tund kokën duke thënë: “Mos të flas kot unë, por as të tjerët. Për atë vrasje nuk di asnjeri më shumë. Asokohe morëm vesh vetëm që Toku e vrau atë vlonjatin, madje e kishte pasur edhe shok. Por se si, qysh e tek qëndronin punët, nuk ka informacion. Me sa më kujtohet, ai ka treguar vetë nëpër fshat që e vrau dhe pastaj iku menjëherë drejt Greqisë. Pas kësaj gjëme, familjarët e tij iu frikësuan gjakmarrjes dhe ikën edhe ata të gjithë andej. Sofia edhe ka ardhur me ditë, por të tjerët jo. Më shumë nuk di ç’të them, duhen pyetur familjarët e tij”. Por pikërisht ky është problemi: Jo vetëm familja Gushi, por edhe fisi me këtë mbiemër duket se është “zhdukur”. Të paktën nga ky fshat, këtu ku dikur ata ishin me dhjetëra anëtarë.
MOHIMI
Historia e mësipërme tregohet thuajse e njëjtë nga shumë banorë, por secili prej tyre lutet që mos t’u shkruhet emri. I druhen hakmarrjes së “Tokut”. Edhe pse Viktor Gushi tashmë ndodhet pas hekurave dhe pritet që të marrë dënimin maksimal për vrasjet, sërish nuk përbën siguri për ta. “Ku ta dimë ne që ai nuk lirohet, apo nuk arratiset nesër-pasnesër dhe vjen na bën gjëmën. Amani, se kemi fëmijë, nipër e mbesa…”, thonë banorët e fshatit, duke përsëritur me dhjetëra herë kërkesën për anonimitet. Në të njëjtën situatë u ndodhën dje edhe kamerat e televizioneve. Edhe pse trokitën në shumë dyer, askush nuk i hapte. Edhe kur i hapnin, iknin me vrap. Megjithatë, ne të gazetës “Panorama” arritëm “të kapnim” dikë. Një mikeshë e vjetër e Sofisë, nënës së Viktorit, që na tregoi diçka më tepër rreth marrëdhënieve në familjen Gushi. Sipas saj, që pas historisë së vrasjes të djalit nga Vlora, asnjë prej familjarëve nuk e ka përmendur më Viktorin. “Pas varrimit të burrit, duke qenë se nuk e pamë Tokun në ceremoni, mora guximin dhe e pyeta Sofinë: ‘Moj, po ku bëhet Toku? Si i ka punët’. Sofia mori një pamje serioze e nervoze dhe ma ktheu: ‘Hera e parë dhe e fundit që më pyet për atë. Ai nuk është më djali im. Unë e kam mohuar’. Kaq tha dhe u çua e iku”, rrëfen mikesha e Sofisë, duke shtuar se që nga viti 1997, askush nuk e ka parë kurrë më në fshat Tokun, derisa u rishfaq dy ditë më parë nëpër media.

“Problematik e i dhunshëm në shkollë”
Viktor Gushi, jo vetëm që nuk është dalluar ndonjëherë si nxënës i mirë në shkollë, por edhe e ka lënë atë përgjysmë. I vitlindjes 1967, dhe pavarësisht se i përket një brezi ku arsimi ishte i detyrueshëm, ai ka qenë problematik, i dhunshëm dhe pa vullnet. Shkollën 8-vjeçare e ka përfunduar pas shumë vërejtjesh dhe shkëputjesh. Më pas, për shkak të këmbënguljes së familjes, ai është detyruar që të nisë edhe gjimnazin, por vetëm sa është regjistruar. Një ish-shok klase thotë që Viktori ka qenë problematik dhe i dhunshëm, por sipas tij, kështu ka qenë pak a shumë ai brez. “Toku po paragjykohet edhe për fëmijërinë dhe rininë e tij, për shkak të veprave kriminale të fundit. Ai ka qenë i rrëmujshëm, sherrxhi dhe problematik, si të gjithë ne të atij brezi, që më pas morëm rrugët e kurbetit”, shprehet ai.

“Viktori vrau në 97’-n shokun e tij, Ferdinantin”
Për vrasjen e të riut me origjinë nga Vlora, në vitin 1997, ka edhe një dëshmi në gur në fshatin Dukas-Çoban. Vetëm 100 metra larg shtëpisë së Viktor Gushit ndodhet një lapidar i vogël, ku tregon emrin e të ndjerit: Ferdinant Balliu, i datëlindjes 1971, dhe ka ndërruar jetë më 23 mars 1997. Është pikërisht personi për të cilin banorët e fshatit aludojnë se e ka vrarë Viktor Gushi, edhe pse zyrtarisht nga policia mungojnë informacionet. Sipas tyre, i ndjeri që pas shpërnguljes nga Vlora jetonte në Patos dhe me Viktorin kanë qenë edhe miq. Madje, ka prej atyre banorëve që thonë se kanë qenë “shokë të ngushtë” që pinin në lokalin e fshatit pranë shtëpisë së Viktorit. Një bar me 3-4 tavolina, që në vitin 1997 ka qenë në pronësi të familjes Gusho. Nuk dihet se për çfarë arsyeje janë zënë ata të dy, por sipas banorëve, dihet që e ka vrarë vetë Viktori, pasi e ka pranuar në atë kohë. Disa prej tyre thonë që u vra me plumb e të tjerë shtojnë se e vari më parë. Pavarësisht mënyrës, në vitin 1997, një djalë vetëm 26 vjeç humbi jetën dhe askush nuk e di pse…

Gushi ndau pasurinë me familjen në 2005
TIRANE – Sipas të gjitha informacioneve dhe dëshmive, Viktor Gushi, të paktën në vitet e fundit, nuk ka pasur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Që nga largimi në vitin 1997, kur bëri një vrasje në Patos, më pas qëndrimi në Greqi e deri te kthimi në Tiranë, Viktor Gushi nuk ishte kujtuar dhe nuk e kishte frekuentuar familjen. Mirëpo në vitin 2005 ai ka qenë pjesë e një procesi gjyqësor për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Vlorës dhe pikërisht nga gjyqtari i vrarë, Skerdilajd Konomi. Ai ka konstatuar vdekjen e shtetasit Kozma Gushi dhe më pas ka vendosur t’i shpallë trashëgimtarë të pasurisë së tij gruan dhe pesë fëmijët. Kështu, Sofie Gushi, Viktor Gushi, Stefan Gushi, Arqile Gushi, Vangjeli Gushi dhe Miranda Gushi kanë përfituar nga 1/6 e pasurisë së të akuzuarit për 16 grabitje.
NGA E DERGUARA JONE

ELISABETA ILNICA

“U tha policëve: Plehra, më kapët ë…?”

Altin Zani: E pranoi vrasjen e arkëtares që në momentin e kapjes nga agjentët civilë në pikën e basteve.

Dëshmitari i arrestimit: Katër oficerë e ngritën në ajër Gushin.

Altin Zani, dëshmitar i momentit të arrestimit të Gushit

“Hë plehra, më kapët ëëë…?”. Një dëshmitar thotë se këto kanë qenë fjalët me të cilat Vikor Gushi u është drejtuar 4 oficerëve trupmëdhenj të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që e arrestuan mbrëmjen e së enjtes në lokalin e basteve në rrugën “Don Bosko” në Tiranë.
I dyshuari Viktor Gushi, njeriu më i kërkuar në Tiranë, nuk i ka kundërshtuar në asnjë moment forcat e policisë në momentin e arrestimit dhe ka rrëfyer e pranuar të gjitha krimet që ka bërë për 20 minuta që është mbajtur brenda në makinën e policisë. Këto detaje i tregoi dje gjatë një interviste për gazetën “Panorama” Altin Zani, dëshmitar i momentit të arrestimit të Gushit, gjithashtu edhe klient i lokalit të përhershëm të tij e banor i zonës.
Ku ndodheshit në momentin kur u arrestua Viktor Gushi?
Isha jashtë lokalit të basteve ku ndodhej ai. Kisha qenë edhe paradite, por në atë moment isha jashtë lokalit.
Kishit vënë re prezencë policie rreth lagjes?
Jo, s’kisha vënë re asgjë. Madje edhe kur erdhën, pashë makinën që frenoi në anë të rrugës. Nuk ishte me shpejtësi dhe pashë pastaj që dolën katër djem të mëdhenj me trup dhe u futën shumë qetësisht, me ecje normale në lokal.
Po momentin e arrestimit e patë?
E pashë nga jashtë, nga xhami. E ngritën në ajër nga tavolina ku ishte ulur, e nxorën me sekonda nga lokali dhe e futën në makinën e tyre.
Po kundërshtonte gjatë kohës që po e transportonin te makina?
Jo, jo, absolutisht. Si mund të kundërshtonte ai?! Ata që ishin sa dyfishi i tij.
Pati ndonjë bisedë mes tij dhe policëve? Arritët të dëgjonit diçka?
Unë isha vetëm pak metra larg makinës ku ata po e çonin dhe dëgjova vetëm kur u tha: “Hë plehra, më kapët ëëë…?”. Kaq arrita të dëgjoja, pastaj aty brenda në makinë nuk e di se çfarë mund të ketë ndodhur. Pasi makina qëndroi e ndaluar disa minuta.
Afërsisht sa kohë qëndroi në makinën e policisë Viktor Gushi?
Po, afërsisht mund t’ju them që ka qëndruar rreth 20 minuta. Siç duket po e pyesnin dhe ai kishte pranuar gjithçka, për vrasjet e për grabitjet. Këtë e kuptova kur erdhi një tjetër makinë, një “BMW X5”, e cila ndaloi aty pranë dhe zbriti një person, që siç duket ishte shefi i policëve që kapën Gushin.
Dëgjuat gjatë kësaj kohe ndonjë komunikim tjetër mes tyre?
Kur personi që zbriti nga fuoristrada dhe hapi derën e makinës ku ndodhej Gushi po pyeste policët se çfarë kishte thënë ai dhe nisi ta pyeste vetë. Policët i tregonin se i ka pranuar të gjitha. Ndërsa ai e pyeste: “Ti e ke vrarë arkëtaren?”. Ndërsa Gushi i përgjigjej: “Po pra, unë e kam vrarë, ua tregova edhe këtyre të gjitha…”.
Ju e njihnit më përpara Viktor Gushin?
E kam parë te lokali i basteve, se vinte rregullisht këtu. Nuk kam folur ndonjëherë me të se rrinte vetëm. Ishte shumë i ftohtë dhe gjithmonë e thërrisnim “skuth”.
Po ditën që u arrestua e kishit parë?
Po, e kam parë diku nga ora 12:00-13:00. E gjeta të ulur këtu në lokal vetëm, te e njëjta tavolinë ku ishte në momentin që e arrestuan. Madje po më shihte gjithë inat dhe u skuq, sepse unë isha i shoqëruar me një shokun tim që mbante veshur uniformë ushtarake. Siç duket e kishte frikë, ngaqë kishte bërë ato që kishte bërë dhe dyshonte mos e kisha spiunuar. Po unë as që e dija fare se çfarë kishte bërë ai dhe madje u habita kur e mora vesh nga mediat. Nuk na ishte dukur asnjëherë i dyshimtë, madje tani them: si ka mundësi që jemi tallur aq shumë me të?! Ishte si një djalë i vogël për trup. Tani që mendoj, sikur ndonjëri këtu ta kishte goditur me shpullë ndonjëherë, mund ta vriste, sepse ashtu siç paska qenë ai dhe me armë në brez gjithë kohës…
ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura