Sulmi ndaj autobusit, “zhduken” në Vjosë armët

Jan 31, 2014 | 13:46
SHPËRNDAJE

Të arrestuarit për sulmin ndaj autobusit
GJIROKASTER – Ngelen enigmë dëshmitë e dhëna në Prokurori nga ana e katër të rinjve memalijotë, të dyshuar si autorët ngjarjes së të hënës ku u vra një pasagjer dhe u plagos një tjetër në autobusin e linjës Athinë-Tiranë. Përgjatë ditës së djeshme janë marrë në pyetje të katër të arrestuarit, Kledi Tringa, Besmir Ruçi, Jurgen Lola dhe Gentjan Beqiraj. Të katër këta qëndrojnë në pritje të vlerësimit të masës së arrestit të mesditës së të premtes në Gjykatën e Faktit në Gjirokastër. Organi i akuzës ka mbajtur tepër të fshehtë rrjedhën e dëshmive në këtë institucion të të katër personave, të cilët, sipas të afërmve të tyre, nuk janë autorët e vërtetë të ngjarjes së të hënës në Mogila. Megjithatë, burime nga ky organ specifikojnë si person jo të përfshirë direkt në këtë ngjarje Gentjan Beqirajn, i cili ditën e krimit nuk ka qenë me tre personat e tjerë të dyshuar si autorë të vrasjes, por në Policinë e Gjirokastrës, i cili pyetej për një çështje tjetër, në cilësinë e dëshmuesit. Çështja në Prokurori i ka kaluar prokurorit Gjon Fusha, i cili po merret me shqyrtimin e të gjitha provave të marra në vendngjarje nga grupi hetimor. Me këtë ngjarje po merret ngushtësisht edhe sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Qarkut. Dje kanë vijuar kërkimet në rrjedhën e lumit Vjosa për gjetjen e armëve të zjarrit, të përdorura në ngjarjen e së hënës. Polumbarët e ardhur nga kryeqyteti, përgjatë gjithë ditës së enjte janë zhytur në një gjatësi gati 2 km nga vendi i ngjarjes, por më kot, pasi nuk kanë arritur të gjejnë asgjë. Kërkimet janë ndërprerë në orët e pasdites si pasojë e rrymës së madhe që kishte lumi Vjosë, për të rifilluar sot.                                                                     p.n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura