Sulmi ndaj autobusit, jepen masat e arrestit për autorët

Jan 31, 2014 | 13:59
SHPËRNDAJE

Autorët e dyshuar për sulmin pas arrestimit
GJIROKASTER- Gjykata ka dhene masat e sigurise, ‘arrest me burg’ per dy te arrestuar me akuzen e sulmit me arme ndaj autobusit Athine-Tirane, ku humbi jeten 25 vjecari Tabaku.

Nderkohe qe pritet te caktohet masa e sigurise edhe per te ndaluarit e tjere.  Nën efektin e marijuanës, autorët planifikuan grabitjen e autobusëve me pasagjerë, por qëllimi i tyre u mbyll me vrasje. Brenda 48 orësh Policia e Gjirokastrës arrestoi 4 persona të dyshuar si autorët e sulmit të autobusit të linjës Athinë-Tiranë mëngjesin e së hënës, në rrugën nacionale Memaliaj-Mallakastër.

Tre prej të rinjve i zunë pritë autobusit, ndërsa tjetri u siguroi një armë automatike. Klejdi Tringa, 20 vjeç, Gentian Beqiraj, 29 vjeç, të dy nga fshati Memaliaj, si dhe Besmir Ruçi, 23 vjeç dhe Jurgen Lola, 22 vjeç, nga qyteti i Memaliajt. Dy nga të arrestuarit njiheshin si punëtorë sezonalë në Lazarat. Sipas burimeve zyrtare policore, ndalimi i 4 katër të rinjve u bazua pas ndërmarrjes së një hetimi dyditor, ku rezultoi se Klejdi Tringa, Besmir Ruçi dhe Jurgen Lola kanë qenë në vendin e ngjarjes duke shtënë me armë në drejtim të autobusit.

Të tre këta janë ndihmuar nga 29-vjeçari Gentian Beqiraj, i cili u kishte siguruar atyre armën e zjarrit tip automatik model 56, si dhe municione të nevojshme për të ndërmarrë sulmin ndaj pasagjerëve të autobusit. Duke iu referuar burimeve zyrtare policore, bëhet e ditur se akti në fjalë ka qenë i paramenduar dhe kjo vërtetohet nga dëshmitë e dhëna në polici të disa personave që kanë identifikuar tre nga katër të rinjtë para aktit. Të rinjtë e arrestuar janë takuar në një lokal në fshatin Vasjar, jo larg vendit të krimit, ku kanë thurur planin për të sulmuar autobusin më të parë, i cili do të kalonte në rrugë, qoftë në ardhje apo dhe vajtje në të dy krahët e rrugës.

Disa orë më pas, rreth orës 01:30, ndodhi sulmi me armë ndaj autobusit. Veç automatikut është përdorur dhe një armë shotgun, të cilat dyshohet se janë hedhur në lumin Vjosë. Nga hetimi ka rezultuar se Jurgen Lola, Besmir Ruçi dhe Klejdi Tringa kanë qarkulluar me automjetin “Mercedez Benz” në pronësi të këtij të fundit. Personat e arrestuar njihen me njëri-tjetrin.

Dy prej tyre, Klejdi Tringa dhe Jurgen Lola janë shokë të ngushtë dhe sipas burimeve nga policia janë punësuar në Lazarat për korrjen apo transportin e kanabisit. Besmir Ruçi 23 vjeç nga qyteti i Memaliajt gjatë vitit të fundit ka qenë kamerier në një prej lokaleve të qytetit ku banon. Policia, pas ndalimit të tyre, gjatë verifikimit të mjetit dhe më pas sekuestrimit të tij, ka gjetur një sasi prej 5.6 gramësh kanabis, nga e cila mendohet të jetë konsumuar nga grabitësit. Veç drogës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 11 telefona celularë, si dhe dy autoveturat e përdorura nga katër të rinjtë.

Materialet në ngarkim të katër të arrestuarve i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Gjirokastrës, ku Tringa, Beqiraj, Lola dhe Ruçi akuzohen për vjedhje me pasojë vdekjen e kryer në bashkëpunim, prodhim dhe shitje narkotikësh, prodhim dhe mbajtje të municioneve dhe armëve pa leje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura