Suedia: Të kthehen vizat për Ballkanin

Jan 31, 2013 | 12:14
SHPËRNDAJE
Bilstrom

Suedia kërkon nga Bashkimi Europian që të kthejë regjimin e vizave për vendet e Ballkanit. Deklaratën e ka bërë dje ministri suedez i Imigrimit dhe Politikës së Azilit, Tobijas Bilstrom, gjatë një takimi me homologët e tij të BE-së. Ai ka shprehur qëndrimin e qeverisës suedeze për vendosjen e regjimit të vizave për shtete si, Maqedonia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Serbia e Mali i Zi, për shkak se është e papranueshme që mijëra njerëz nga këto vende të kërkojnë azil politik në Suedi. “Ata i theksojnë varfërinë dhe pamundësinë për punësim si arsyen për shkak të të cilave kanë ardhur. Kjo asnjëherë nuk ka qenë bazë për aprovimin e azilit”, thekson ministri suedez. Bilstrom paralajmëroi se edhe Suedia së shpejti do të ashpërsojë politikën ndaj azilantëve, me qëllim që ajo të bëhet më e drejtë dhe më korrekte. Midis masave të reja që propozohen është ajo që personave të cilët kërkojnë azil të duhet të gjejnë punë në Suedi para se të sjellin edhe familjen e tyre. “Suedia shpenzon sasi të mëdha të hollash për personat që kanë marrë përgjigje negative të kërkesave të tyre për azil, por edhe më tej ndodhen në vend”, u shpreh ministri suedez.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura