Stuhia “Sandy”, ndryshon sondazhet për presidencën

Nov 2, 2012 | 10:47
SHPËRNDAJE
Obama me një nga viktimat e stuhisë në Nju Xhersej

Rivalët në SHBA, nga 49% mbështetje. NYT: Romnej, mashtrues.

Një sondazh i kryer pas goditjes së disa shteteve kyçe amerikane nga superstuhia “Sandy” ka treguar se tetë në dhjetë votues amerikanë besojnë se Presidenti Barak Obama ka bërë një punë “të shkëlqyer” ose “të mirë” në lidhje me superstuhinë.  Sondazhi i “Washington Post/ABC” është i pari që ka konfirmuar se Obama ka marrë pikë nga përgjigja që i dha stuhisë, megjithëse ishte i detyruar të anulonte disa nga takimet e fushatave te tij. Sondazhi u krye të martën në mbrëmje përpara vizitës së tij në vendet e shkatërruar në Nju Xhersej, ku ai u fotografua duke ngushëlluar një viktimë të stuhisë, e kjo pritet të përmirësojnë akoma më shumë mbështetjen për të. Presidenti Obama iu kthye të enjten fushatës së tij elektorale, pas shumë ditësh që e kishte lënë mënjanë duke u marrë me problemet që shkaktoi “Sandy”. Mbeten edhe katër ditë nga dita e votimit. Gjatë dy ditëve të fundit, Obama ka nisur një turne dyditor në katër shtete: Uiskonsin, Nevada, Kolorado dhe Ohajo. Pesë ditë para votimeve, Obama ka një kryesim të dukshëm ndaj Mit Romnej në tri shtete. Sondazhet tregojnë qartë se Obama ka një avantazh prej 6 pikësh në Ajoua, ku gëzon 50 për qind të mbështetjes kundrejt 44 për qind që ka Romnej, është 3 pikë para në Uiskonsin, 49 për qind, kundrejt 46 për qind që ka Romnej dhe 2 pikë para në Nju Hemshajër, 49 për qind kundrejt 47 për qind të mbështetjes që ka Romnej. Të dhënat janë marrë nga “Marist College” dhe janë publikuar në “Wall Street Journal” dhe kanalin televiziv “NBC”.
Mbështetja nga NYT
Pozitivisht për Obamën pritet të ndikojë edhe mbështetja që i ka dhënë gazeta prestigjioze amerikane “New York Times”. Në një editorial, gazeta ka mbështetur rizgjedhjen e Presidentit aktual Barak Obama, duke numëruar një sërë fushash, në të cilat sipas saj është shënuar përmirësim që nga viti 2008, kur u zgjidh Obama President. Edhe pse e ekonomia është pika ku sfiduesi i tij Romnej sulmon më fort, gazeta shkruan se kjo pikërisht ekonomia  ka shënuar rimëkëmbje që nga viti 2008, edhe pse të ngadaltë, por nëse zbatohen politika të gabuara, vendi mund të pësojë një recesion tjetër, si ai që gjeti Obama kur erdhi në pushtet. “Presidenti Obama ka treguar një angazhim të fortë në përdorimin e qeverisë për të shpejtuar rritjen. Ai ka formuar politika të ndjeshme buxhetore, që nuk janë të dedikuara për mbrojtjen e të fuqishmëve, dhe ka punuar për të shpëtuar rrjetin e sigurisë sociale për të mbrojtur të pafuqishmit. Obama ka arritje mbresëlënëse, me gjithë murin e paepur të refuzimit të ngritur nga republikanët e Kongresit, që janë aq të dhënë për ta ndalur atë, sa që rrezikonin ta shtynin kombin në depresion”, shkruan gazeta në editorialin e djeshëm. Gazeta ka sulmuar edhe Romnejn, duke e përshkruar si mashtrues. “Mit Romnej, ish-guvernator i Masaçusets, deri tani ka pasqyruar një koncept mashtrues, pasi thotë atë që ai mendon se dëshiron të dëgjojë audienca”.

Romnej: Me politikat e Obamës do të përfundojmë si Greqia
“Politikat e Presidentit Barak Obama do t’i kthejnë Shtetet e Bashkuara në një situatë vështirësish, si ato që shohim në shtete europiane si Greqia, Italia e Spanja”. Ky ishte krahasimi që bëri sfiduesi republikan i Obamës, Mit Romnej, në takimin e tij elektoral në Virxhinia. “Nëse jeni një sipërmarrës dhe po mendoni të nisni një aktivitet, duhet ta pyesni veten: Amerika është në rrugën e Greqisë? Jemi në një rrugë ekonomike si ajo që shohim në Europë, në Itali e Spanjë? Nëse vazhdojmë të shpenzojmë 1 000 miliardë dollarë më shumë se kapaciteti hyrës, Amerika do të gjenet në atë rrugë”. Romnej iu kthye fushatës një ditë më parë. Fushata e tij rinis në Florida, ku ai foli me ton të butë pas stuhisë që preku miliona amerikanë. Këshilltarët e Romnejt besojnë se Florida po drejtohet në favor të tyre, edhe pse sondazhet kanë treguar garë të fortë. “Do të sjell ndryshim të vërtetë dhe një Presidencë që i bashkon të gjithëve”, tha Romnej. Ai shtoi se “mbështetësit e Obamës thërrasin edhe katër vite të tjera, por atij nuk i mbeten më shumë se pesë ditë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura