Studentja: Si e zbulova që “maniaku” po na përgjonte

Apr 30, 2013 | 12:26
SHPËRNDAJE
Liqeni Artificial, foto ilustruese

Grupi i oficerëve që po heton plagosjen e 23-vjeçarit Arbër Kosuni në parkun e Liqenit Artificial në Tiranë, ka rikthyer dje në vendin e ngjarjes të dashurën e të riut, vajzën me iniciale G. M. Ajo ndodhej me 23-vjeçarin në momentin e ngjarjes dhe besohet se ka parë një pjesë të krimit. Vajza 22-vjeçare, e cila vazhdon studimet në Fakultetin Filologjik, u ka shpjeguar dje hetuesve dinamikën e ngjarjes, vendin e saktë se ku ndodhej me të dashurin në kohën kur ajo pikasi që dikush po i “përgjonte” kur ata bënin dashuri. Memia ka sqaruar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:15, të dielën, kohë kur ajo edhe ka telefonuar në sallën operative për të denoncuar atë çfarë kishte ndodhur. Studentja, e cila shoqërohej edhe nga një psikologe dhe një oficere femër e Policisë së Tiranës, ka rrëfyer me detaje momentin para se të ndodhte ngjarja, kohën kur ka diktuar autorin që ishte fshehur pas pemës, si dhe përleshjen e të dashurit të saj me të.

DESHMIA E STUDENTES

“Ne kishim dalë thjesht për një shëtitje nga Liqeni dhe pasi ecëm për disa minuta, u ulën në lulishte, pranë një peme. Në kohën kur ishim në intimitet, unë pashë një hije që lëvizi në pemën tjetër pranë nesh dhe menjëherë i thashë Arbrit që dikush po na shihte. Ai u ngrit me shpejtësi dhe filloi t’i bërtiste se çfarë po shikonte aty, por ai nuk foli fare. Megjithatë, lëvizte me hapa të ngadaltë, derisa Arbri iu afrua për rreth 5 metra dhe aty u përleshën. Unë po i kërkoja që të kthehej dhe ta linte të ikte, por pikërisht në atë moment dëgjova një krismë arme dhe të dashurin tim që filloi të shante duke më thënë se e kishte qëlluar”, ka shpjeguar 22-vjeçarja Memia. Ndërsa më pas ajo ka treguar, me aq sa ka arritur të shohë për shkak të errësirës, drejtimin që ka marrë autori për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu ajo ka shpjeguar edhe karakteristikat e të dyshuarit, që sipas saj, ishte një djalë i gjatë, jo shumë i imët dhe që mbante një kapele në kokë. Mosha e tij nuk mund të ishte më shumë se 25 vjeç, sipas studentes.

VERIFIKOHEN DENONCIMET

Nisur nga karakteristikat e dhëna për autorin e plagosjes te Liqeni Artificial, Policia e Tiranës ka nisur verifikimet për tri raste të tjera të denoncuara si grabitje në të njëjtën zonë, për të cilat të dëmtuarit kanë dhënë të njëjtin përshkrim për autorin. Një rast është denoncuar dy muaj më parë në Komisariatin Nr. 2 nga një çift që ishte grabitur teksa ndodheshin në makinë, në një rrugicë përbri një fushe futbolli te Liqeni Artificial. Ndërsa dy raste të tjera janë denoncuar në Komisariatin Nr. 1 nga dy çifte, që edhe ata pretendojnë se janë grabitur, një pranë zonës së Liqenit të Thatë dhe një tjetër tek autostrada që kalon pranë Saukut të Vjetër. Në këto dy raste, çifteve u është afruar te xhami i makinës një person, i ngjashëm me autorin e plagosjes së të dielës, dhe duke i kërcënuar me armë, u ka grabitur paratë, sendet personale, madje edhe rrobat, duke i lënë vetëm me të brendshme. Të tria këto raste rezultojnë ende pa autor në dy komisariatet ku janë denoncuar dhe autori i dyshuar për këto ngjarje ka të njëjtat karakteristika me atë që plagosi 23-vjeçarin Kosuni. Nisur nga këto rrethana, grupi hetimor që ka nisur procedim penal për “vrasje me dashje”, dyshon se autori mund të ketë pasur si qëllim grabitjen e çiftit, por ka shkrepur armën gjatë përleshjes me të dëmtuarin.

I plagosuri, në gjendje të rëndë
Arbër Kosuni, 23-vjeçari që u plagos mbrëmjen e së dielës te Liqeni Artificial, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak. Ai është qëlluar nga një plumb i vetëm, i cili ka hyrë në pjesën e barkut dhe ka dalë në anë të shpinës, por sipas mjekëve, i ka dëmtuar zorrët. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe mjekët kanë arritur ta mbajnë në jetë, megjithatë vazhdimisht ka pasur komplikacione për shkak të hemorragjisë. Sipas mjekëve, plumbi i ka kaluar fare pranë veshkës së djathtë, por fatmirësisht nuk e ka dëmtuar. Burime nga reanimacioni, ku mbahet në observim 23-vjeçari, thanë se ai e ka kaluar rrezikun për jetën, por gjendja e tij vazhdon të jetë delikate. Për këtë arsye ai mbahet në vëzhgim të rreptë nga mjekët reanimatorë dhe ndodhet në terapi intensive.

Etleva Delia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura