Stresi: Bombaj ka përdhunuar vajzën, e rraha por, nuk i kam vënë gjobë

May 31, 2011 | 12:59
SHPËRNDAJE

Arkimed Lusha, reperi i njohur me emrin Stresi, hodhi poshtë dje akuzën për gjobëvënie që i është bërë nga prokuroria, bazuar mbi dëshminë e regjisorit Leonard Bombaj.Këngëtari i njohur për publikun me emrin Stresi, ka sqaruar historinë gati njëvjeçare, për të cilën Gjykata e Apelit ka vendosur arrestimin e tij javën që kaloi. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Stresi tregon se gjithçka që është deklaruar nga regjisori Leonard Bombaj është e pavërtetë si në lidhje me përdhunimin e vajzës 15-vjeçare, ashtu dhe pretendimet për gjobëvënie. Sipas Stresit, ka qenë vetë regjisori ai që i ka afruar para në këmbim të “heshtjes” dhe të mbylljes së historisë “pa u marrë vesh”. Stresi mohon akuzat për gjobëvënie, ndërsa pohon: “E kemi kërcënuar dhe pasi e kemi rrahur Leonard Bombajn, ai u shpreh se ishte gati të paguante edhe para në mënyrë që ky muhabet të mbetej mes nesh”. Në lidhje me përdhunimin e vajzës 15-vjeçare, e cila ka qenë pjesë e qendrës artistike të drejtuar nga Leonard Bombaj, Stresi shpjegon se vajza është mikeshë e tij dhe e familjes. Arkimend Lusha shprehet i bindur se gjithçka që ajo u ka treguar atyre dhe denoncimi i saj në polici janë të vërteta. Stresi sqaron se në një moment e ka parë vetë Leonard Bombajn duke u futur në hotel me vajzën.
Si jeni njohur me vajzën që denoncoi për dhunë seksuale regjisorin Leonard Bombaj?
Ajo është prej kohësh një prej adhurueseve të mia. Vinte shpesh në studiot ku unë regjistroja këngët e mia dhe nga miqësia me të krijuam edhe miqësi familjarë. Në këtë mënyrë, njihem familjarisht me prindërit e saj dhe ajo me prindërit e mi.
Nisur nga veprimet që ju akuzoheni se i keni kryer,  doni të thoni se u besoni fjalëve të vajzës?
U besoj plotësisht dhe jo vetëm pse është ajo, që e njoh shumë mirë si është, por edhe në rast se do të ishte një vajzë tjetër që do ta akuzonte Leonard Bombajn për një veprim të tillë, unë sërish do t’i besoja. Dhe përveç besimit që kam tek ajo, kanë ndodhur situata të mëvonshme, që unë i kam provuar vetë të gjitha, ato që vajza më ka treguar për Bombajn. Madje, në ballafaqimin që kemi pasur, edhe ai vetë e ka pranuar në sy që ka kryer marrëdhënie seksuale me të.
Çfarë ju ka treguar vajza për ngjarjet që i kishin ndodhur?
Unë i kam shpëtuar jetën asaj vajze, sepse ajo po kalonte një krizë dhe ishte gati duke kaluar në depresion. E kam gjetur duke pirë ilaçe me grushte dhe ia kam hequr nga duart. Pastaj më ka treguar se çfarë kishte ndodhur. Leonard Bombaj e ka shfrytëzuar për dëshirat e tij seksuale për 3 vjet rresht, pa pyetur se ajo ishte një e mitur, vetëm 11-vjeçare. Më pas i bënte presion, ushtronte dhunë psikologjike ndaj saj që ajo të mos tregonte dhe t’i bindej që të kryenin marrëdhënie sa herë që ai donte. Leonardi kishte edhe njohje familjare me vajzën, kishin hyrje-dalje me prindërit e saj. Një episod që ajo më ka treguar, kur Leonardi e ka dhunuar fizikisht dhe seksualisht, ka ndodhur pikërisht në shtëpinë e tij. Ai e kishte ftuar vajzën në shtëpi, me sebepin që ta takonte me të bijën e tij, që në atë kohë ishte e vogël. Dhe vajza ka pranuar, sepse pretendonte se në shtëpi ndodhej edhe gruaja e Leonardit. Por, kur është futur brenda dhe ka parë që nuk kishte asnjë njeri aty, e ka pyetur se ku e ka vajzën e vogël. Ai i është përgjigjur duke e qëlluar më shpullë në fytyrë dhe më pas e ka përdhunuar. Pas këtij rasti, vajza më ka treguar edhe shumë e shumë raste të tjera të ngjashme, duke më përmendur vazhdimisht që kishte frikë, derisa e kemi bindur që të bënte denoncim.
A mund të na tregoni çfarë provash keni për të vërtetuar këtë, meqë thoni se e keni të provuar?
Fatkeqësisht nuk kam asgjë të regjistruar apo të filmuar, pasi nuk mund ta ulja veten në atë nivel sa të bëja gjëra të tilla. Por, për një rast jam shumë i sigurt, sepse e kam parë me sytë e mi. Pasi vajza më kishte treguar se çfarë i kishte ndodhur, unë e kam vëzhguar Leonard Bombajn për një muaj. Në një rast, pasi isha informuar se ku do të shkonte ai bashkë me vajzën, jam pozicionuar në një vend pranë hotelit në Sauk, që përmendet edhe në vendimin e gjykatës, dhe kam pritur për të parë se çfarë do të ndodhte. Aty kam parë Leonardin kur ka ardhur bashkë me vajzën dhe duke qenë se hoteli kishte dy dyer të ndryshme, për të mos rënë në sy, janë futur nga dera e pasme, ose e fshehtë, nëse mund ta quaj kështu. Mësova se recepsionisti i hotelit ishte shoku i Leonardit dhe e ka lejuar shumë natyrshëm që vajza, edhe pse e mitur, të futej në hotel. Në rast se ai pretendon se nuk ka kryer marrëdhënie seksuale, me ose pa dhunë me të, atëherë çfarë kërkonte në hotel me vajzën? Çfarë tjetër mund të bënte aty?
Kur e keni takuar Leonard Bombajn dhe çfarë keni biseduar?
E kam takuar në shtator të vitit 2010, në një lokal pranë “Ali Demit”. E kam kërcënuar dhe këtë e pranoj që e kam bërë, ashtu siç e kishte kërcënuar edhe babai i vajzës, të cilin e morën dhe e mbajtën në polici për disa ditë, vetëm që të shmangnin përplasjen me Bombajn, pasi i ati i vajzës ishte betuar se do ta vriste. Në lokal ai ka pranuar gjithçka, me mua, me shokët e mi. Ka qenë edhe vajza. Në momentin që ai e pranoi se çfarë kishte ndodhur realisht, e kemi rrahur. Edhe këtë po e pranoj që e kam bërë, sepse e meritonte, madje meritonte më shumë se kaq. Përveç këtij takimi, jemi parë edhe në polici, në Komisariatin Nr. 1. Kemi kërkuar me ngulm që të ballafaqoheshim me të, por nuk na lejuan. Jemi marrë në pyetje të ndarë dhe ai nuk e di se çfarë mund të ketë sajuar.
Leonard Bombaj, në kallëzimin që ka bërë ndaj jush dhe shokëve tuaj, është shprehur se përveçse e keni kërcënuar, i keni vënë edhe gjobë, ku i kërkoni 20 mijë euro. Madje i keni marrë edhe makinën, duke i kërkuar sërish para në këmbim për t’ia rikthyer. Si qëndron e vërteta?
Leonard Bombaj mund të ketë dhënë para vetë, nuk e di se ku dhe se si, që të mbyllej problemi i tij me drejtësinë. Sepse është ai që sot duhej të ishte në kërkim nga policia dhe të arrestohej, sepse ka përdhunuar një vajzë të mitur për 3 vjet rresht. Dhe këtë nuk e kuptoj. Si ka mundësi që ai është i lirë?! Ndërsa puna e gjobëvënies dhe e makinës janë të sajuara të gjitha nga ai. Nuk është e vërtetë dhe as më ka shkuar ndër mend që t’i kërkoj para atij. Nuk e kam idenë se me çfarë guximi dhe pafytyrësie e ka ngritur një akuzë të tillë ai kundër nesh! Kur në të vërtetë ka qenë vetë ai që na ka ofruar para për ta mbyllur këtë histori. Madje na ka thënë tekstualisht: “Çfarë doni të bëj unë për ju, o çuna? Jam gati të paguaj para që kjo të ngelet mes nesh”. Kjo është ajo që na ka thënë vetë Leonardi pasi e kemi rrahur. Por, në asnjë moment nuk i kam kërkuar para, apo t’i kem marrë makinën, siç pretendon ai. Nëse puna do të shkonte deri te gjoba, të jeni të bindur që nuk do të ishte vetëm aq, 20 mijë euro, siç ka sajuar ai. Çdo gjë e kam arritur me forcat e mia, kam pasur mbështetjen e familjes sime dhe nuk kam nevojën e parave të askujt, aq më pak në formë gjobe. Gjithçka është sajuar nga ai dhe e mohoj në mënyrë kategorike që unë të kem kryer një veprim të tillë.
Po kohët e fundit jeni takuar me vajzën apo me familjarët e saj?
Jo, nuk i kam takuar më. Që pas denoncimeve dhe marrjes në pyetje në polici, nuk jemi takuar, pasi edhe unë kam qenë nëpër koncerte jashtë shtetit. Ka vetëm disa ditë që kam marrë vesh se paska shkuar çështja deri në gjykatë. Në fakt, nuk e mendoja kështu, pasi pandehja që gjithçka u mbyll në polici, kur na thirrën për të dëshmuar. Dhe ajo që prisja ishte të arrestohej Leonard Bombaj, jo të më akuzonin mua dhe të më shpallnin në kërkim për diçka që nuk e kam bërë dhe as që e kam menduar ta bëj.
Ndërkohë, çfarë keni ndër mend të bëni që çështja të sqarohet?
Kam marrë avokatë për këtë çështje dhe gjithçka do të sqarohet shumë shpejt. E vërteta do të dalë dhe ndaj meje nuk do të ketë më asnjë lloj akuze, pasi realisht nuk kam bërë asgjë nga ato që më akuzon Bombaj. Nuk kam çfarë të bëj. Unë shpjegimet e mia i kam dhënë në polici dhe avokatët kanë folur në emrin tim në gjykatë. Thjesht do të pres që gjithçka të sqarohet ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë dhe pres të arrestohet Leonard Bombaj, sepse është ai që ka kryer krimin e rëndë. Edhe pse jam i bindur që ai ka njohje dhe ka ndërhyrë që të dalë i palagur nga gjithë kjo histori.

Si filloi konflikti mes Bombajt e Stresit

Prokuroria, në kërkesën e saj të dorëzuar në gjykatë, shpjegon rrjedhën e ngjarjeve që shkaktuan konfliktin mes Leonard Bombajt dhe këngëtarit Stresi. Bombaj, në vitin 2003 ka krijuar qendrën artistike të fëmijëve “Sirea Film”, me seli në qytetin e Tiranës. Në këtë qendër është aktivizuar edhe shtetasja B. D., e cila njëkohësisht është vajza e G. D. Leonard Bombaj pretendon se më datë 30.08.2010, bordi drejtues i qendrës ka vendosur përjashtimin e shtetases B. D. nga kjo qendër. Këtë vendim shtetasi Leonard Bombaj do t’ia komunikonte shtetasit G. D. Pasi kanë biseduar në telefon, ku edhe kanë lënë një vendtakim, shtetasit Leonard Bombaj dhe G. D. janë takuar në prani të shtetases Xh. G., e cila është avokate e qendrës. Në momentin që Leonard Bombaj i ka komunikuar shtetasit G. D. vendimin e bordit drejtues për përjashtimin nga qendra të vajzës B. D., shtetasi G. ka filluar të kanosë me fjalë Leonard Bombajn. Pas kësaj, G. D. është larguar nga ai vend. Leonard Bombaj, duke e konsideruar se G. D. e ka kanosur atë, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe ka bërë kallëzimin përkatës. Një ditë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi Leonard Bombaj, më datë 05.09.2010, në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur vajza B. D., e cila, në prani të xhaxhait të saj dhe psikologes, ka paraqitur kallëzimin. Disa ditë më vonë në dijeni të akuzës për përdhunim ndaj vajzës është vënë edhe Stresi me disa të njohur të tij.

Takimi në prani të vajzës 15-vjeçare në korrik 2010

Pasi është vënë në dijeni nga vajza e mitur për abuzimin e regjisorit, sipas prokurorisë, në fund të muajit korrik të vitit 2010, me kërkesë të shtetases B. D., Stresi ka zhvilluar një takim ndërmjet saj dhe shtetasve Leonard Bombaj e Relado Kurti. Gjithnjë sipas shtetases B. D., në këtë takim, shtetasi Leonard Bombaj ka pranuar në prani të personave të pranishëm kryerjen e marrëdhënieve seksuale me shtetasen B. D. Gjithashtu, shtetasja B. D. pretendon se në muajin gusht të vitit 2010, në një takim në qytetin e Tiranës, shtetasi Leonard Bombaj, në prani të shtetasit Taulant Ç., ka realizuar një video ku është regjistruar shtetasja B. D. duke thënë se nuk është e vërtetë që ka kryer marrëdhënie seksuale me shtetasin Leonard Bombaj. Një gjë e tillë ka ndodhur pas insistimit të shtetasit Leonard Bombaj. Nga ana e Policisë Gjyqësore është këqyrur hotel “Bruklin”, që ndodhet në fshatin Mjullë-Bathore, komuna Farkë. Gjatë këqyrjes ka rezultuar se ekziston përputhshmëri e vendndodhjes së dhomës me përshkrimin që i bën B. D.

Prokuroria: S’ka prova se vajza është përdhunuar

Zbardhet argumentimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda,  tek i cili u referua kërkesa e prokurorisë për arrestimin e këngëtarit Stresi dhe tre personave të tjerë, të akuzuar nga regjisori Leonard Bombaj.Më 6 maj 2011, pas hetimeve disamujore, Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzoi në Gjykatën e Shkallës së Parë kërkesën për arrestimin e katër personave që u akuzuan se kishin kryer gjobëvënien ndaj regjisorit Leonard Bombaj. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pasi shqyrtoi kërkesën, nuk e miratoi atë. Sipas burimeve nga kjo gjykatë, nga shqyrtimi i kërkesës dhe i provave të paraqitura nga prokuroria, gjykata bëri kualifikimin e akuzës duke pohuar se nuk qëndronte pretendimi për gjobëvënie. Duke iu referuar dyshimeve për “rrëmbimin” e makinës së Leonard Bombajt dhe “detyrimin” e tij për të tërhequr 500 mijë lekë nga banka, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vlerësoi se me aktet e dosjes, katër personat duhej të akuzoheshin për vjedhje dhe jo për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë. Me argumentin se katër personat duhej të akuzoheshin për vjedhje, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda refuzoi të autorizojë arrestimin e tyre duke vendosur masën “detyrim paraqitje”. Prokuroria e kundërshtoi këtë vendimmarrje të gjykatës.
Apelimi
Disa ditë më vonë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ankimoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Gjykata e Apelit shqyrtoi kërkesën dhe apelimin e prokurorisë dhe në fund vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj shtetasve Arkimed Lusha, Rolado Kurti, Elis Basha dhe Sebastian Ukcamaj. Të premten e javës që shkoi, Prokuroria e Krimeve të Rënda ia përcolli urdhër-arrestin Policisë së Shtetit.
Akuza për përdhunim
Dosja penale e prokurorisë për këngëtarin e njohur me emrin Stresi dhe regjisorin Leonard Bombaj duket se është e mbushur me akuza të ndërsjella. Drejtuesi i qendrës artiske për fëmijë, Leonard Bombaj, është akuzuar e madje denoncuar në Policinë e Tiranës për përdhunimin e një vajze 15-vjeçare, e cila kishte frekuentuar qendrën në fjalë e më pas ishte përjashtuar. Më 5 shtator 2010 vajza është paraqitur në Komisariatin Nr. 1 të Policisë në Tiranë dhe ka denoncuar për përdhunim regjisorin Leonard Bombaj. Një ditë përpara ai kishte denoncuar babanë e vajzës për kërcënim e, për rrjedhojë, policia i bashkoi të dyja dosjet dhe i referoi ato në prokurori. Organi i akuzës zhvilloi hetime duke kryer ekspertizën mjekësorë të vajzës, e cila doli “e zhvirgjëruar e hershme”. Po kështu, u krye këqyrja e një hoteli në Sauk, ku prokuroria pohon në dosje se u gjetën përputhje mes një dhome të këtij hoteli dhe dëshmive që jepte vajza në lidhje me “takimet” me Leonard Bombajn. Prokuroria e Krimeve të Rënda pohon ndërkohë se nga hetimet e saj nuk është gjetur asnjë provë dhe asnjë lidhje që të mbështesë akuzën për marrëdhënie seksuale të regjisorit Bombaj me vajzën 15-vjeçare.

 

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura