Stina e dimrit, Nishani kërkon marrjen e masave

Nov 30, 2011 | 19:21
SHPËRNDAJE
Nishani në Kukës

KUKES- Ministri i Brendshëm Bujar Nishani ishte sot në Kukës ku ka bërë thirrje për bashkërendim të veprimeve mes autoriteteve vendore dhe atyre qëndrore, me qëllim përballimin me sukses të problematikave të stinës së dimrit.

Nishani vuri theksin në rëndësinë e monitorimit të përditshëm 24 orësh të situatës dhe të shkëmbimit të informacionit mes institucioneve qendrore dhe vendore.

“Secili prej jush duke filluar nga Prefekti, dhe do të ftoja edhe kryetarët e njësive vendore dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të institucioneve shtetërore rajonale, të bëjnë një monitorim të vazhdueshëm të implementimit të planizimeve që ne përgatisim për të përballur situatën. Është shumë e rëndësishme që monitorimi të jetë i përditshëm dhe çdo 24 orë të kryhet komunikimi, marrja dhe ndarja e informacionit që nga qendra deri tek fshati më i largët”- tha Nishani.

Duke kërkuar angazhim maksimal edhe në fshatin më të largët, Nishani kërkoi që të veprohet me masa konkrete dhe të detajuara për përballimin e situatës, duke shtuar se, duhet të merren të gjitha masat që qytetarët të furnizohen normalisht me energji, ujë, rezerva ushqimore dhe për qarkullimin normal në akset rrugore.

Gjatë vizitës së tij në qytetin verilindor të Kukësit, ministri Nishani ishte i shoqëruar edhe nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli. Në takim morën pjesë gjithashu edhe Prefekti i Qarkut Kukës, Elez Maçi, si dhe kryetarët e njësive vendore dhe krerët e drejtorive rajonale dhe agjencive shtetërore të Qarkut të Kukësit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura