Stërvitja ushtarake e SHBA-së, përtej betejës politike të 25 prillit

Feb 4, 2021 | 9:55
SHPËRNDAJE

piro_ahmetajPIRO AHMETAJ

Siç është bërë e njohur edhe nga media, u zhvillua takimi i posaçëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (KSK) mbi stërvitjen e madhe ushtarake “Defender 21”, që do të zhvillohet nga SHBA në territorin dhe në bashkëpunim me 20 vende europiane, përfshi edhe vendin tonë.

Duke shpresuar të kontribuojnë në mosshpërdorimin politik në betejën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit, me statusin e ekspertit të sigurisë kombëtare, po paraqes disa konsiderata, si në vijim:

Së pari, kjo mbledhje është një ngjarje për t’u shënuar në memorien e KSK, pasi për herë të parë në takim morën pjesë shtetas (të huaj) nga vendi partner strategjik, konkretisht ambasadorja dhe (gjeneral) zëvendës i Gardës Kombëtare të SHBA-së në Europë.

Por duhet thënë se edhe vende të tjera janë thirrur ambasadorë, në mbledhjet e KSK, p.sh. Franca, kur përgatiste Librin e Bardhë (strategjinë kombëtare) ftoi ambasadorin e  UK etj.

Së dyti, nuk ka lidhje me ndonjë konspiracion, as me axhendën e ish-Presidentit Trump, me Presidentit Biden, por thjesht një stërvitje e planizuar para disa vitesh nga Pentagoni, me qëllim certifikimin dhe përmirësimin e aftësitë luftarake të forcave të SHBA-së, në zonat e përgjegjësisë ndaj kërcënimeve dhe interesave gjeostrategjike nën moton “Ushtri e fortë, Europë e fortë”.

Kështu, kolegët e planifikimit në Pentagon nuk mundet të konsideronin se kur do të bëheshin zgjedhjet e radhës apo të parakohshme në çdonjërën nga 20 vendet pjesëmarrëse në stërvitje?

Së treti, edhe pse në këtë stërvitje, krahas RSH-së, do të marrin pjesë rreth 20 vende SEE, përfshi Estoninë (shumica anëtare të NATO-s), nuk ka lidhje me NATO-n, as me BE-në etj.

Pra, qartësisht është stërvitje ushtarake e SHBA, së cilës me vullnetin e tyre, i janë bashkëngjitur të gjitha vendet që sipas skenarëve janë parashikuar në territorin e tyre. Dhe në dijeninë time, 30 vendet NATO-s, përfshi RSH-në, e vetëkonsiderojnë SHBA si partner strategjik.

Së katërti, nuk ka fare asnjë lidhje me përleshjet e radhës së sekserëve të pushteteve, as me anësi në betejat politike dhe as me propagandën e qeverive në ikje dhe as me opozitën zyrtare që lufton për të marrë pushtetin në asnjë nga këto 20 vende.

Në të kundërt, konfirmoj se për shkak të funksionit politik dhe lidhjeve profesionale, diku mbas mesit të 2020, jam informuar për këtë stërvitje (një nga më të mëdhatë e Gardës Kombëtare të SHBA), që, krahas 20 vendeve, do përfshinte edhe vendin tonë. Po ashtu, kemi bashkëmenduar që meqenëse kjo stërvitje si dhe aktivitetet mbështetëse të saj do të zhvillohen para/pas zgjedhjeve të 25 prillit, kishte arsye të forta për të planizuar ngjarje (si takimi konkret i KSK) me mesazhe të qarta, në mënyrë që të mos perceptohet dhe keqpërdoret për interesa politike dhe elektorale.

Së pesti, pra, vetëm për të shmangur spekulimet politike dhe elektorale, edhe pse një ngjarje jo pa peshë, është rekomanduar dhe më tej dakordësuar që për arsyet e sipërpërmendura në këtë takim të ftohet edhe kryetari i opozitës (për herë të parë është ftuar në mars 2014).

Së gjashti, kështu besoj është fare e qartë, se ky takim nuk ka asnjë lidhje me qasjen delikuente të qeverisë në ikje dhe oligarkisë së Tiranës zyrtare, për të privatizuar (përfshi edhe besnikërinë për Atdheun) çështjet e sigurisë kombëtare, jetën, shëndetin dhe pronat e qytetarëve, interesat gjeopolitike të RSH-së dhe marrëdhëniet e partneritetin strategjik me SHBA, NATO-n.

Për më tepër, fatkeqësisht, Shqipëria, edhe mbas 30 vjet pluralizëm, ka domosdoshmëri kritike për qasjen gjithëpërfshirëse, konsensusin e gjerë dhe adresimin institucional të çështjeve të sigurisë kombëtare si dhe partneritetin strategjik me SHBA, NATO-n, integrimin në BE, etj.

Thënë sa 6 arsyet e mësipërme, shpreh respektin ndaj Ambasadës së SHBA-së për gjetjen e mençur në organizimin e këtij takimi, pasi edhe pse mekanizëm këshillimor, e ritheksoj se Këshilli i Sigurisë Kombëtare (KSK) mbetet mekanizmi i vetëm kushtetues për qëndrime të përbashkëta midis partive politike mbi interesat kombëtare dhe gjeopolitike të RSH.

Me këtë rast, dëshiroj ta ritheksoj fort bindjen time se partneriteti strategjik me SHBA mbetet prioriteti strategjik (pragmatik) i palëkundur kombëtar, që tejkalon çdo parti apo disa mandate qeverisjesh. Për më tepër, forcimi i partneritetit strategjik dhe projektet madhore të modernizimit të mekanizmave të sigurisë kombëtare me SHBA, mbeten me rëndësi kritike për interesat e shqiptarëve dhe ato gjeopolitike të RSH, stabilitetin demokratik të rajonit dhe axhendën e integrimit të vendit në BE.

Së fundmi, përsëris nderimin tim të thellë dhe ju uroj në avancë suksese në këtë stërvitje ushtarakëve të SHBA-ve shqiptarë edhe të 20 vendeve të tjera pjesëmarrëse për përkushtimin, sakrificat sublime dhe kontributet që japin për paqen dhe sigurinë në botë.

*Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura