Statusi, SHBA: Mesazhet tona në veshë që s’duan të dëgjojnë

May 31, 2014 | 12:45
SHPËRNDAJE

Ministrja Kodheli gjate takimit me Moore
Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Xhonatan Mur, i tha dje Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë përputhet edhe me interesat e SHBA-ve, si dy vende anëtare.
Por për zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, jo të gjitha palët në Tiranë e kanë marrë këtë mesazh mbështetjeje. “Sa i takon statusit të vendit kandidat, kjo është një çështje që ka të bëjë me interesat e të dy vendeve tona, si anëtare të NATO-s. Këtë mesazh e kemi dhënë dhe në Tiranë, por mesazhet tona nuk mund të them se kanë rënë në vesh të shurdhër, por në veshë që nuk duan të dëgjojnë”, citohet të ketë thënë zyrtari amerikan gjatë një takimi kokë më kokë me ministren e Mbrojtjes. Përmes një njoftimi nga zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes, Kodheli dhe Mur u takuan në forumin “To be secure” që zhvillohet në Budva të Malit të Zi, e ku marrin pjesë ministra të Mbrojtjes, ambasadorë dhe përfaqësues të lartë të vendeve të rajonit dhe më gjerë. Duke vlerësuar kontributin që Shqipëria po jep në NATO, Mur i ka dhënë mbështetje të gjitha nismave antikorrupsion të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes, duke theksuar se “është për t’u vlerësuar bashkëpunimi me Prokurorinë, duke e quajtur atë si një veprim të duhur në të tilla raste”. “Asnjë person apo institucion nuk duhet të bëhet pengesë për progresin dhe ecurinë e reformave”, është shprehur Mur sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes. Më tej, zyrtari i lartë amerikan ka theksuar se SHBA i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit dhe inkurajon përpjekjet për të arritur qëllimet e përbashkëta. “Ne ju mbështesim plotësisht në përpjekjet tuaja për të mbrojtur dinjitetin dhe nderin e FA”, është shprehur Mur.

Aristir Lumezi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura