Statusi në BE, Rama: Ballkani e ka më të lehtë luftën se paqen

May 31, 2014 | 12:43
SHPËRNDAJE

Rama, Meta dhe Gjosha dje gjatë konferencës
Kryeministri Edi Rama foli dje me tone më të forta mbi arsyet pse Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat dhe pse vendet e Ballkanit duhet të anëtarësohen sa më shpejt në BE. Gjatë fjalës së tij në konferencën mbi përafrimin e legjislacionit me BE-nëþ, të organizuar nga Ministria e Integrimit, Rama tha: “Besoj se Shqipëria e meriton statusin e kandidatit”. “Nuk diskutohet kjo. Por besoj shumë sot, që sa çka nevojë Shqipëria për Bashkimin Europian, ka nevojë Bashkimi Europian për Shqipërinë; sa çka nevojë Ballkani për Bashkimin Europian, ka nevojë Bashkimi Europian për Ballkanin”, tha Rama. Sipas Kryeministrit Rama, problematikat që kanë vendet e Ballkanit do të gjejnë zgjidhje duke qenë brenda BE-së dhe jo jashtë saj. “Le ta pranojmë që krimi i organizuar është shumë më i bashkuar sesa Europa e Bashkuar, nuk ka burokraci, nuk ka komision, nuk ka benchmark-e, nuk ka procese që e pengojnë për t’u integruar dhe është kaq i globalizuar, saqë sot është e pamundur që të gjesh një organizatë kriminale me një nënshtetësi. Në Shqipëri nuk ka krim të organizuar shqiptar, por ka krim të organizuar ndërkombëtar, që ka edhe një degë të vetën në Shqipëri”, tha Rama. Për këtë arsye, sipas Ramës, integrimi është i domosdoshëm dhe për këtë arsye Shqipëria i duhet Bashkimit Europian brenda dhe për këtë arsye Ballkani i duhet Bashkimit Europian brenda, në mënyrë që ndërveprimi në luftën kundër krimit të organizuar të jetë një ndërveprim pa kufij, ashtu siç krimi i organizuar nuk ka kufij.
Ai u ka kërkuar liderëve europianë të vijojnë me frymën e themeluesve të Europës së Bashkuar. “Europa e liderëve të sotëm duhet të jetë në lartësinë e këtij besimi të madh që njerëzit e këtij rajoni kanë, për të mos i lënë shteg një zhgënjimi të ri. Sepse Ballkani e ka treguar se luftën e ka shumë më të lehtë sesa paqen”, u shpreh Rama.

Ilir Meta
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kërkoi konsensus mes maxhorancës dhe opozitës për reformat e mëdha në vend. “Integrimi në Bashkimin Europian është një qëllim kombëtar dhe asnjë forcë politike nuk duhet të pengojë në arritjen e këtij objektivi madhor. Duke punuar së bashku maxhorancë dhe opozitë për vendin tonë dhe qytetarët tanë, jo vetëm që do të plotësojmë kushtet që kërkon Bashkimi Europian për aderimin, por ajo që është më e rëndësishmja, do të arrijmë standarde më të larta në jetën institucionale dhe politike, por sidomos në atë ekonomike dhe sociale për qytetarët shqiptarë”, tha Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura