Statusi, Moore: Mesazhet tona në Tiranë kanë rënë në veshë që nuk duan të dëgjojnë

May 30, 2014 | 21:55
SHPËRNDAJE

Ministrja Kodheli gjate takimit me Moore

BUDVA- Mesazhet tona lidhur me çështjen e  statusit të vendit kandiat kanë rënë në veshë që nuk duan të dëgjojnë.

Kështu mësohet t’i ketë thënë drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit,  Jonathan Moore, ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, me të cilën është takuar gjatë një forumi në Budva, Mali i Zi.

Siç raporton Ministria e Mbrojtjes, Moore është shprehur se, sa i takon statusit të vendit kandidat, kjo është një çështje që ka të bëjë me interesat e të dy vendeve tona, si anëtare të NATOs. “Këtë mesazh e kemi dhënë dhe në Tiranë, por mesazhet tona nuk mund të them se kanë rënë në veshë të shurdhër, por në veshë që nuk duan të dëgjojnë.” – është shprehur Moore.

Moore është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Shqipërinë në çdo veprim që është duke ndërmarrë, duke vlerësuar kontributin e saj në NATO.

Ai ka shprehur edhe një herë mbështetjen në të gjitha nismat antikorrupsion të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes, duke theksuar se është për t’u vlerësuar bashkëpunimi me Prokurorinë, duke e quajtur atë si një veprim të duhur në të tilla raste.

“Asnjë person apo institucion nuk duhet të bëhet pengesë për progresin dhe ecurinë e reformave”, -është shprehur  Moore.  Zyrtari amerikan ka theksuar se SHBA i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit dhe inkurajon përpjekjet për të arritur qellimet e përbashkëta.

“Ne ju mbështesim plotësisht në përpjekjet tuaja për të mbrojtur dinjitetin dhe nderin e FA”.- ka theksuar ai.

Ministrja Kodheli ka marrë pjesë në forumin “To be Secure” që zhvillohet në Budva të Malit të Zi, nga data 29 deri më 31 maj 2014. Në këtë takim marrin pjesë ministra të Mbrojtjes, ambasadorë dhe përfaqësues të lartë të vendeve të rajonit dhe më gjerë.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura