Stambolli, 100 vjet nga historia e një qyteti mes pikturës

May 31, 2013 | 12:30
SHPËRNDAJE
“Mëngjes në bregun e Yskydarit”, nga Hikmet Onat

Përgjatë asaj shëtitjeje të duket sikur era e lagësht e bregut të ngjitet në trup, ndjen aromën që vjen nga moli, nga rrjetat e peshkatarëve, zërat e çamarrokëve me pantallona të shkurtra të vrapojnë rrugicave, apo thirrjen e namazit…

Ky është Stambolli. Një shekull histori që vjen përmes pikturës. “Kohë dhe vende: Stambolli”, kështu titullohet ekspozita e hapur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve, me vepra nga koleksioni i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Një ekspozitë, që sipas organizatorëve mësohet të ketë shëtitur së fundi në 14 vende të botës, nga Amerika në Kili, por më së shumti në Ballkan, ku gjenden përkime mes kulturash. Mes një fondi të pasur prej 867 tablosh, kuratorja prof. dr. Kiymet Giray ka përzgjedhur 42 syresh, me temën e peizazhit. Gjatë një konference për shtyp që i parapriu ceremonisë së hapjes së ekspozitës, Giray e përmendi disa herë faktin që Shqipëria dhe Turqia kanë pasur një të shkuar të përbashkët dhe kjo është edhe një nga arsyet pse filli lidhës i kësaj ekspozite është pikërisht Stambolli, kryeqendra e ish-Perandorisë Osmane. Kjo seri tablosh që e ka fillimin në vitin 1901 është rrëfim për këtë qytet të pazakontë, parë me sytë e disa prej emrave më të shquar të pikturës në Turqi, si Ali Riza Bayezit, Hikmet Onat, Ibrahim Çalli, Devrim Erbil, Adnan Çoker etj. Për drejtorin e GKA-së, Rubens Shima, çka e bën interesante këtë ekspozitë është edhe mundësia e krahasimit mes procesit të zhvillimit të pikturës në Shqipëri dhe Turqi, në të njëjtën periudhë kohore, duke vënë re shumë ngjashmëri e përkime mes tyre. Së pari, Stambolli i piktorëve të fillimshekullit XX të paraqitet dydimensional. Piktorët më së shumti kanë qenë të tërhequr nga deti, anijet me vala, përndezja e diellit në perëndim, për t’u ngjitur shkallë-shkallë në një tjetër penelatë. Piktura e humbet “rrafshësinë” e saj, ashtu si dhe deti nuk është më i trëndafiltë, por me dallgë ngjyrë-errët. Artistët futen në qytet, në rrugicat e tij, duke na sjellë jetën. Ndërsa piktorët bashkëkohorë, ata që ende jetojnë, na sjellin një Stamboll më pak romantik. Mes teknikash mikse ofrojnë qytetin e zhurmshëm të shumëndërtesave e xhamive të larta. Të tilla janë punët e artistit Devrim Erbil, si “Kundim”, “Shirokë” etj.
Historia përmes artit
Për kuratoren Kiymet Giray, përmes pikturës, vizitori ka mundësi të njohë edhe historinë e Stambollit. “Dikur qendër e një Perandorie, ai mblidhte rreth vetes artistët më të famshëm, të cilët sillnin me vete shkollat perëndimore”, thotë Giray. “Marrëdhëniet kohë-hapësirë që përjetohen në të dyja brigjet e Bosforit, janë të ndryshme nga ato që përjetohen nga rrugicat e qytetit. Ky fenomen që buron  nga dinamikat e brendshme të Stambollit, e bën të shumëllojshme përvojën hapësinore. Ndërkohë që anijet kalojnë Bosforin duke u përkundur, i ofrojnë përvoja të pasura në perceptimin e hapësirës, vitrinat që vezullojnë në rrugicat e errëta të Kapallëçarshësë, Tregu i Mbuluar, të lëbyrin sytë”, thotë Giray. Ekspozimi i këtyre punëve, shkëputur nga koleksioni Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, u bë i munduar nga kjo e fundit, por dhe homologia shqiptare, Banka Kombëtare Shqiptare.
[portfolio_slideshow]

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura