Stalini: Enver Hoxha, një borgjez i vogël nacionalist

Nov 29, 2011 | 12:34
SHPËRNDAJE

“Gëlltiteni!” Qëndrimi i Stalinit kundrejt shqiptarëve ishte i qartë. Bashkimi Sovjetik nuk kishte qëllime të veçanta ndaj Shqipërisë, ndaj pse të mos gllabërohej nga Jugosllavia! Këtë qëndrim të tij ai ia bëri të njohur delegacionit jugosllav të drejtuar nga Milovan Djilas, i cili kishte shkuar në Moskë për të biseduar rreth përplasjeve ruso-jugosllave dhe Shqipërisë. Gjithçka ndodhi në atë udhëtim të tij në vitin 1948, ai e përshkruan në librin “Bisedë me Stalinin” (“Conversations with Stalin”, përkthyer në gjuhën angleze nga serbo-kroatishtja nga Michael B. Petrovich. Disa faqe nga ky libër në gjuhën angleze i ka publikuar albanologu dhe përkthyesi Robert Elsie në faqen e tij në internet. Në këto faqe flitet pikërisht për Shqipërinë. Milovan Djilas (1911-1995) ka qenë shkrimtar dhe politikan jugosllav nga Mali i Zi. Ai ka qenë një figurë e rëndësishme e periudhës komuniste në Jugosllavi, pas Luftës së Dytë Botërore, por më vonë, që prej vitit 1954 u bë kritik i Titos dhe kaloi shumë vite në burg. Në janar 1948, Djilas u dërgua në Moskë për të negociuar me Stalinin, me të cilin Jugosllavia vazhdonte të ishte e lidhur. “Bisedat me Stalinin” lidhen mes të tjerash edhe me Shqipërinë, siç do të shihet më poshtë. Indiferenca e dukshme e Stalinit ndaj Shqipërisë binte në kontrast të fortë me admirimin që Shqipëria tregonte për të gjatë regjimit të Hoxhës. Në vitet ’80, Shqipëria ishte i fundmi vend në botë që vijonte të kishte frikë ndaj Joseph Stalinit.

“Interesi i Stalinit mbi Jugosllavinë ishte i ndryshëm prej atij të liderëve të tjerë sovjetikë. Ai nuk ishte i interesuar mbi sakrificat dhe shkatërrimin, por mbi ç’lloj marrëdhëniesh të brendshme ishin krijuar dhe sa e pushtetshme ishte lëvizja rebeluese. Ai nuk e mori këtë informacion përmes pyetjesh, por gjatë bisedës. Në një moment ai shpreh interes mbi Shqipërinë. “Çfarë po ndodh në të vërtetë andej? Ç’lloj njerëzish janë? I shpjegova: “Në Shqipëri ka ndodhur thuajse e njëjta gjë si në Jugosllavi. Shqiptarët janë populli më i lashtë i Ballkanit, më të vjetër se sllavët, madje edhe se grekët e lashtë” “Po si është e mundur që vendbanimet e tyre kanë emra sllavë? Kanë ndonjë lidhje me sllavët ata”, pyeti Stalini. Ia shpjegova edhe këtë. “Sllavët banuan luginat në kohët e hershme, duke u vendosur kështu emra sllavë, të cilët në kohën e Turqisë shqiptarët i hoqën”. Stalini hungëriti. “Kisha shpresuar që shqiptarët të ishin të paktën paksa sllavë”. Shkas për nisjen time në Moskë ishin përplasjet mes politikës së Jugosllavisë dhe asaj të BRSS përmes Shqipërisë. Në fund të dhjetorit 1947 erdhi prej Moskës një mesazh, në të cilin Stalini pyeste nëse dikush prej Komitetit Qendror Jugosllav – ai foli për mua me emër- mund të shkonte me qëllim që të sillte harmoninë mes dy qeverish. Mosmarrëveshjet, të cilat ishin ndier në mënyra të ndryshme, u bënë më të dukshme pas vetëvrasjes së Naku Spirut, anëtar i Komitetit Qendror të Punës së Shqipërisë. Lidhjet mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë po zhvilloheshin në të gjitha fushat. Jugosllavia po dërgonte në Shqipëri gjithnjë e më shumë ekspertë të të gjitha fushave. Po dërgoheshin ushqime në Shqipëri, edhe pse vetë Jugosllavia po përjetonte një ngushtim. Kishte filluar ngritja e kompanive aksionare. Të dyja qeveritë ranë dakord në parim që Shqipëria duhej të bashkohej me Jugosllavinë, e cila do të zgjidhte çështjen e pakicës shqiptare në Jugosllavi. Kushtet që qeveria jugosllave u paraqiti shqiptarëve ishin shumë më të favorshme për shqiptarët, duke i krahasuar me ato që qeveria sovjetike u ofroi jugosllavëve. Me sa duket, megjithatë, problemi nuk bazohej mbi drejtësinë, por në vetë natyrën e këtyre marrëdhënieve. Një pjesë e lidershipit shqiptar ishte fshehtësisht kundër qasjes jugosllave. Nako Spiru (i dobët, i brishtë, shumë i ndjeshëm dhe me intelekt të mirë) drejtonte çështjet ekonomike në qeverinë shqiptare në atë kohë dhe ishte i pari që u rebelua kundër jugosllavëve, duke kërkuar që Shqipëria të zhvillohej në mënyrë të pavarur. Qëndrimi i tij provokoi një reagim të fortë jo vetëm në Jugosllavi, por edhe në KQ të Shqipërisë. Ai u kundërshtua më së shumti nga Koçi Xoxe, ministër i Brendshëm në Shqipëri, i cili më vonë u dënua si pro jugosllav. Një punëtor nga Jugu i Shqipërisë dhe një revolucionar veteran, Xoxe fitoi reputacion duke qenë një nga njerëzit më të qëndrueshëm në parti, pavarësisht faktit që Enver Hoxha, pa dyshim më i mirarsimuar dhe një personalitet më i zhdërvjellët, ishte sekretar i përgjithshëm i partisë. Hoxha gjithashtu u bashkua në kritikat ndaj Spirut, edhe pse qëndrimi i tij mbeti i paqartë. I gjori Spiru e gjeti veten të izoluar dhe i akuzuar si shovinist e, me shumë gjasë, në prag të përjashtimit nga partia, vrau veten. Me vdekjen e tij ai nisi diçka që nuk e kishte imagjinuar kurrë, përkeqësimin e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Me siguri çështja mbeti e fshehtë për publikun. Më vonë, pas thyerjes së hapur me Jugosllavinë në 1948, Enver Hoxha e vendosi Spirun në piedestal si një hero kombëtar. Qeveria sovjetike ishte e informuar në mënyrë të shkëlqyer mbi arsyet e vërteta të vdekjes së Spirut dhe mbi të gjitha aktivitetet e jugosllavëve në Shqipëri. Misioni i saj në Shqipëri u rrit në mënyrë të vazhdueshme. Për më tepër, marrëdhëniet mes tri qeverive-sovjetike, shqiptare e jugosllave – ishin të tilla që dy të fundit nuk i fshihnin marrëdhëniet e tyre prej së parës dhe mund të thuhet se qeveria jugosllave nuk i konsultonte sovjetikët me detajet e politikave të saj. Përfaqësuesit e Bashkimit Sovjetik i bënë gjithnjë e më të shpeshta ankesat për disa masa jugosllave në Shqipëri, ndërsa një afërsi edhe më të madhe u vu re mes grupit rreth Hoxhës dhe Misionit të Bashkimit Sovjetik. Çdo herë nga një ankesë e përfaqësuesve sovjetikë dilte në sipërfaqe: Pse jugosllavët formonin kompani me aksione të përbashkëta me shqiptarët, kur ata refuzuan të formojnë të njëjtën gjë në vendin e tyre me BRSS? Pse kishin dërguar instruktorët e tyre pranë ushtrisë shqiptare, kur ata kishin instruktorët sovjetikë pranë tyre? Si mund të dërgonte Jugosllavia ekspertë për zhvillimin e Shqipërisë, kur ata vetë kishin kërkuar ekspertë nga jashtë? Si të kuptohej fakti që Jugosllavia, edhe pse vetë e varfër dhe e pazhvilluar, papritur pretendon të zhvillojë Shqipërinë? Me këto divergjenca mes qeverive sovjetike dhe jugosllave, tendenca e Moskës për të zëvendësuar pozicionin e Jugosllavisë në Shqipëri po bëhej gjithnjë e më e dukshme, çka jugosllavëve u dukej ekstremisht e padrejtë nën dritën e fakteve që nuk kishte qenë BRSS që propozoi bashkimin me Shqipërinë dhe nuk ishin BRSS fqinjë me shqiptarët. Kthimi i udhëheqësve shqiptarë nga Bashkimi Sovjetik u bë shumë i dukshëm dhe gjeti edhe më shumë shprehje në propagandën e tyre. Ftesa e qeverisë sovjetike për të larguar pakënaqësitë mbi Shqipërinë u prit krahëhapur në Beograd, edhe pse ka mbetur e paqartë përse Stalini kishte theksuar se donte të takohej pikërisht me mua. Më duket se lidhej me dy arsye. Ndoshta unë i kisha dhënë përshtypjen e një njeriu të hapur dhe të sinqertë. E pranoj se kështu konsiderohesha edhe nga komunistët jugosllavë gjithashtu. Kështu që isha i duhuri për një bisedë të hapur mbi një çështje shumë të komplikuar dhe të ndjeshme. Gjithsesi, besoj se ai kishte qëllim të më fitonte për të arritur ndarjen dhe nënshkrimin e KQ Jugosllav. Ai tashmë kishte Zujoviç dhe Hebrang në anën e tij. Por Hebrang ishte nxjerrë jashtë nga KQ dhe i vendosur nën një investigim sekret për shkak të sjelljes së tij të pashpjegueshme në burg gjatë luftës. Zujoviç ishte një figurë premtuese, por edhe pse ishte një anëtar i KQ-së, ai nuk i përkiste rrethit të ngushtë të krijuar rreth Titos në kuadrin e shtrëngimit të unitetit të partisë dhe gjatë revolucionit. Gjatë qëndrimit të Titos në Moskë në 1946-n, kur ai i tha Stalinit se unë vuaja nga dhimbja e kokës, Stalini më pati ftuar ta vizitoja në Krime për një qëndrim kurativ. Por unë nuk shkova, më së shumti sepse ftesa e Stalinit nuk ishte bërë përsëri mes Ambasadës dhe kështu që e mora atë si një gjest mirësjelljeje, bërë thjesht për shkak se kishte rënë fjala tek unë. Pra u nisa për në Moskë – më 8 janar, nëse nuk gaboj, por pa dyshim rreth kësaj date – me një ndjesi të dyfishtë. Isha i kënaqur që Stalini më kishte ftuar mua personalisht, por gjithashtu kisha dyshime të heshtura që kjo nuk ishte rastësisht dhe as me synime të pastra nën kujdesin e Titos dhe KQ Jugosllav. Nuk mora urdhra apo instruksione të veçanta në Beograd, megjithëqë unë isha një anëtar i rrethit të brendshëm të udhëheqësve dhe duhej një relacion shqiptaro-jugosllav. Qëndrimi tashmë ishte formuluar, se përfaqësuesit sovjetikë nuk duhet të pengonin politikën njoftuar tashmë për bashkimin jugosllavo-shqiptar me veprimet e tyre të trasha, ose duke marrë një linjë të ndryshme. Përfaqësuesit e Ushtrisë jugosllave patën avantazh nga ky rast i mirë të dërgonin me mua delegacionin e tyre, i cili do të paraqiste kërkesën për municione dhe zhvillimin e industrisë sonë të luftës. Ky delegacion përfshinte shefin e stafit të gjeneralit, Koça Popoviç dhe kreun e industrisë së luftës në Jugosllavi, Mijalko Todoroviç. Svetozar Vukmanovi?- Tempo, asokohe drejtor i administrimit politik në ushtri, udhëtoi gjithashtu me ne, me qëllim që të njihej me eksperiencën e Ushtrisë së Kuqe në atë zonë. U nisëm me tren për në Moskë me optimizëm dhe me shpresë. Dhe me synimin që Jugosllavia të mund të zgjidhte problemet e saj në mënyrën dhe me burimet e veta. … Si zakonisht, në orën 9 të mbrëmjes më çuan në Kremlin, në zyrën e Stalinit. Atje ishin mbledhur Stalini, Molotovi dhe Zhdanovi. I fundit, me sa dija ishte i ngarkuari i Politbyrosë për të mbajtur marrëdhëniet me partitë e huaja. Pas përshëndetjeve të rastit, Stalini menjëherë iu kthye çështjes: “Pra, anëtarët e Komitetit Qendror të Shqipërisë po vrasin njëri-tjetrin për ju! Kjo është shumë e papërshtatshme, shumë e papërshtatshme”. Nisa të shpjegoj: Nako Spiru ishte kundër lidhjes së Shqipërisë me Jugosllavinë; ai izoloi veten në Komitetin Qendror. Nuk kisha mbaruar kur, për çudinë time, Stalini tha: “Ne nuk kemi asnjë interes të veçantë për Shqipërinë. Jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë”. Ndërkohë kishte mbledhur gishtat e dorës së djathtë dhe, duke i vendosur në gojë, bëri sikur do t’i gëlltiste ata. Isha i habitur, gati memec, nga mënyra e të shprehurit të Stalinit dhe me gjestin e gëlltitjes, por nuk e di nëse kjo ishte e dukshme në fytyrën time, sepse u përpoqa ta merrja atë si një shaka dhe si një mënyrë e zakonshme e të shprehurit piktoresk të Stalinit. Gjithsesi shpjegova: “Nuk është çështje gëlltitjeje, por bashkimi!” Atëherë ndërhyri Molotovi: “Por kjo është gëlltitja!”. Dhe Stalini shtoi, bashkë me atë gjestin e tij: “Po, po. Gëlltitje! Por ne jemi dakord me ju: ju duhet ta gëlltisni Shqipërinë, sa më shpejt, aq më mirë”. Pavarësisht kësaj mënyre të shprehuri, e gjithë atmosfera ishte e përzemërt dhe më shumë se miqësore. Madje edhe Molotovi u shpreh me një humor miqësor, që ishte jo fort i zakonshëm për të, në lidhje me gllabërimin. Unë paraqita një afrim dhe unifikim me Shqipërinë me motive të sinqerta dhe natyrisht revolucionare. Ashtu si dhe shumë të tjerë, unë mendoja se ai bashkim – me një marrëveshje tërësisht vullnetare nga ana e udhëheqësve shqiptarë – do të ishte në të mirë të Jugosllavisë dhe Shqipërisë njëkohësisht, por dhe do t’u jepte fund konflikteve tradicionale intolerante mes serbëve dhe shqiptarëve. Rëndësia e tij e veçantë, sipas opinionit tim lidhet me faktin që do të bënte të mundur bashkimin e minoritetit tonë të konsiderueshëm dhe kompakt shqiptar me Shqipërinë si një republikë më vete në Federatën Jugosllavo-shqiptare. Çdo zgjidhje tjetër e problemit të minoritetit shqiptar, më dukej e pamundur, që nga transferimi i thjeshtë i territoreve të Jugosllavisë, të banuara me shqiptarë, që mund të rriste rezistencën e pakontrollueshme në vetë Partinë Komuniste Jugosllave. Unë kisha për Shqipërinë dhe shqiptarët një konsideratë të veçantë, e cila vetëm mund të forconte idealizmin e motivimit tim: shqiptarët, në veçanti ata të Veriut, ngjajnë shumë me malazezët nga unë vij, për nga mentaliteti dhe mënyra e të jetuarit. Vitaliteti dhe vendosmëria e tyre për të mbajtur pavarësinë e tyre, nuk ka të dytë në historinë njerëzore. Edhe pse nuk më dukej e ndryshme me mendimin e udhëheqësve të vendit tim, vetë ndërhyrja e Stalinit, për herë të parë më vuri mes dy mendimesh. E para ishte dyshimi mos kishte diçka të padrejtë në politikën jugosllave kundrejt Shqipërisë dhe tjetra ishte që Bashkimi Sovjetik ishte bashkuar me vendet balltike duke i gëlltitur ato. Ishte nënvizimi i Molotovit që më shtiu këtë në mendje. Dy mendimet bëheshin në një, duke më bërë të ndihem jo rehat. Mendimi se mos atje kishte diçka të errët dhe të papajtueshme në politikën jugosllave ndaj Shqipërisë, nuk më shtynë të pranoja se kjo politikë ishte ajo e “gëlltitjes”. Por më bëri të zbuloj se kjo politikë nuk korrespondonte me vullnetin dhe dëshirën e komunistëve shqiptarë, që për mua, si një komunist, ishte identike me aspiratat e popullit shqiptar. Pse Spiru vrau veten? Ai nuk ishte “një borgjez i vogël” dhe “i ngarkuar me nacionalizëm”, për më tepër ai ishte një komunist dhe një marksist, dhe çfarë nëse shqiptarët dëshironin, ashtu si ne ballë për ballë Bashkimit Sovjetik, të kishin shtetin e tyre të mëvetësishëm? Nëse bashkimi ishte vendosur tej dëshirave të shqiptarëve dhe duke marrë parasysh izolimin dhe varfërinë e tyre, mundej kjo të mos lidhej me vështirësi dhe konflikte të pariparueshme? Etnikisht të veçantë dhe me një identitet të lashtë, shqiptarët si komb ishin të rinj dhe kështu të mbushur me një ndërgjegje kombëtare ende të paformuar. A mund të mos e konsideronin bashkimin si humbjen e pavarësisë ata, si refuzim i individualitetit të tyre? Sa për mendimin tjetër, që BRSS kishte gëlltitur vendet e Balltikut, unë e lidha atë me të parin, duke përsëritur dhe duke bindur veten: ne jugosllavët nuk duhet dhe nuk guxojmë të marrim rrugën e bashkimit me Shqipërinë, as ka ndonjë rrezik imediat që ndonjë nga fuqitë imperialiste si Gjermania mund të bëjë presion mbi Shqipërinë dhe ta përdorë atë si bazë kundër Jugosllavisë. Por Stalini më ktheu në realitet. “Ç’mund të themi për Hoxhën, si është ai sipas mendimit tënd? Unë shmanga një përgjigje direkte dhe të qartë, por Stalini shprehu saktësisht të njëjtin opinion për Hoxhën, si edhe udhëheqësit jugosllavë: “Ai është një borgjez i vogël, i prirë drejt nacionalizmit? Po, ne mendojmë kështu gjithashtu. A duket se njeriu më i fortë atje është Xoxe?” Unë konfirmova pyetjen e tij kryesore. Stalini e mbylli bisedën rreth Shqipërisë, e cila zgjati rreth 10 minuta: Nuk ka diferenca mes nesh. Personalisht shkruajini Titos një njoftim mbi këtë, në emër të qeverisë sovjetike dhe nise atë për mua që nesër”. Me frikë se nuk e kisha kuptuar, ai përsëriti se unë duhej të shkruaja një njoftim për qeverinë jugosllave në emër të qeverisë sovjetike. Në atë moment kjo m’u duk si shenjë e një besimi të veçantë tek unë dhe si një shprehje e lartë e pranimit të politikës jugosllave ndaj Shqipërisë. Megjithatë, të nesërmen, ndërsa shkruaja informacionin, më lindi mendimi se ndoshta kjo ndonjë ditë do të përdorej kundër qeverisë së vendit tim, kështu që e formulova atë me shumë kujdes dhe shkurtimisht. Diçka e tillë: Djilas mbërriti në Moskë dje dhe, në mbledhjen e mbajtur me të në të njëjtën ditë, u shpreh pajtimi i plotë mes qeverive të Jugosllavisë dhe asaj sovjetike në lidhje me çështjen e Shqipërisë. Ky njoftim nuk iu nis kurrë qeverisë jugosllave dhe as u përdor kundër saj në përplasjet e mëvonshme mes Moskës dhe Beogradit. Vazhdimi i bisedës nuk zgjati shumë dhe u vërtit rreth çështjesh paqësore si vendosja e Cominform-it në Beograd, gazetës së tij, shëndetit të Titos e kështu me radhë. Gjithsesi, unë kapa një moment të përshtatshëm dhe ngrita çështjen e furnizimit të Ushtrisë jugosllave dhe të industrisë së luftës. Unë theksova se vazhdimisht kemi hasur me vështirësi me përfaqësuesit sovjetikë, sepse ata refuzojnë të na japin këtë apo atë gjë, duke përdorur si justifikim “sekretin ushtarak”. Stalini u skuq duke bërtitur “ne nuk kemi sekrete ushtarake nga ju. Ju jeni një vend socialist mik. Ne nuk kemi sekrete ushtarake nga ju”. Atëherë ai shkoi tek tavolina e tij, mori në telefon Bulganinin dhe i dha një urdhër të shkurtër: “Jugosllavët janë këtu, delegacioni jugosllav duhet dëgjuar menjëherë”. E gjithë biseda në Kremlin zgjati gati gjysmë ore dhe më pas ne dolëm nga vila e Stalinit për darkë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura