Spotet e Bashës, KQZ rrëzon PS-në

Apr 30, 2011 | 10:53
SHPËRNDAJE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzon një propozim të Partisë Socialiste dhe Bordit të Monitorimit të mediave, lidhur me hapësirën televizive të spoteve të kandidatëve.Sipas forcës kryesore të koalicionit të majtë, në disa televizione koha e spoteve të kandidatit Lulzim Basha i kishte kaluar 90 minuta, kohë e parashikuar në Kodin Zgjedhor. Me këtë propozim kishte rënë dakord edhe Bordi i Monitorimit të Mediave, i cili ia kishte përcjellë ankesën e PS-së, KQZ-së në formën e një propozimi. Gjatë mbledhjes së Komisionit, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj, tha se “disa televizione duhet të ndalojnë së transmetuari reklama, sepse kanë tejkaluar limitin prej 90 minutash për subjektin Partia Demokratike dhe në disa raste edhe për subjektin Lëvizja Socialiste për Integrim. Disa operatorë jo vetëm nuk kanë balancuar, por përkundrazi kanë thelluar në mënyrë maksimaliste në disfavor të subjekteve politike”. Por ky propozim i partisë socialiste u kundërshtua nga përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti. Përfaqësuesi i demokratëve tha se në këto zgjedhje Lulzim Basha është kandidat i koalicionit të djathtë dhe, për këtë rrjedhojë, në favor të tij duhet të llogaritet koha televizive për spote elektorale e të gjitha partive të koalicionit. Sipas kësaj llogaritjeje, Basha duhet të ketë kohë televizive për reklamë 405 minuta, ndërsa Edi Rama në Tiranë duhet të ketë kohë për spote televizive 310 minuta. “Në këto zgjedhje votohet për kandidatët e koalicioneve, nuk ka kandidat as PD-ja, dhe as LSI-ja. Brenda koalicionit të PD-së janë 22 parti, katër nga këto janë parlamentare, njëra është mbi 20%. Në total për çdo televizion duhet të jetë 405 minuta kandidati i koalicionit të djathtë. Nuk mund t’i japësh ti 90 minuta Bashës, ai nuk është i PD-së. Ndërsa për kandidatët e PS-së, PBDNJ-ja nuk llogaritet, sepse është më vete. Te koalicioni i majtë me 23 parti, duhet të ketë kohë televizive për spotet 310 minuta”, u shpreh Kosovrasti. Në përfundim të debateve, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, e hodhi për votim propozimin e PS-së ku ai së bashku me Dëshira Subashin dhe Artan Lazen votuan pro, ndërsa Klement Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmani votuan kundër. Në mungesë të një vote më shumë pro, propozimi i Partisë Socialiste për të ndërprerë spotet e Bashës në televizionet ku janë transmetuar më shumë se 90 minuta, u rrëzua. Në përfundim të votimit përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, akuzoi KQZ-në se po luan teatër me zgjedhjet lokale. Gjatë mbledhjes së djeshme përfaqësuesit e maxhorancës në Bordin e Monitorimit të mediave akuzuan disa televizione, se në mënyrë të njëanshme kanë pranuar kasetat e njërës prej partive të mëdha. Ndërsa përfaqësuesit e opozitës në Bord u shprehën se njëri prej kandidatëve në Tiranë nuk ka pranuar të lajmërojë televizionet për aktivitetet ditore.

Propozimi i Bordit

Në letrën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me ankesën e Partisë Socialiste, Bordi shkruan se “Bordi pas shqyrtimit të ankesës i propozon KQZ-së ndërprerjen e reklamave politike, për ato subjekte të cilat kanë kaluar kohën e transmetimit ashtu siç parashikon Kodi Zgjedhor”. Ky propozim i Bordit shkaktoi debate në KQZ, derisa propozomi u rrëzua me tre vota pro dhe tre kundër.

Debatet në KQZ

Debati Ristani- Gjonçaj
Ristani: Hedhim në votim propozimin për të ndërprerë spotet këto televizione. Kush është dakord? 3 pro, 3 kundër. Nuk miratohet.
Gjonçaj duartroket me ironi për votimin
Gjonçaj: Më teatër se ky…
Ristani: Genci përmbahu të lutem.
Gjonçaj: KQZ-ja është teatrale, ky është teatër.
Ristani: Genci do na lësh të punojmë.
Gjonçaj: Nuk jemi për teatër këtu. Nuk duhet të jeni fare atje ju.
Ristani: Çfarë thua mo? Me vërtetë ë? Mirë ik tani, hajt.
Gjonçaj: Jeni bërë teatralë, qesharakë.
Ristani: Genci mos u bëj karagjoz.
Gjonçaj: Kjo është e vërteta, e keni bërë teatër të vogël.
Ristani: Genci vogël do pushosh tani? Gencush pusho!
GJonçaj: Po kryetarush po.

Debati Ristani- Subashi
Subashi: Ne dy anëtarë kemi kërkuar mbledhje të KQZ-së dhe ju nuk keni ardhur.
Ristani: Mos gënje, kur ka ndodhur?
Subashi: Ju duhet të ruani etikën e komunikimit dhe të mos më fyeni mua.
Ristani: As ju nuk keni të drejtë të thoni gjëra të paqena. Mos e bëni më që të mashtroni, se nuk u shkon.
Subashi: Ti je i papërgjegjshëm, nuk kam ç’të them tjetër.

 

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura