Zyrtare/ Luftëtari prezanton Vasil Shkurtajn, skuadra qipriote hezitoi ta linte të lirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2017 | 14:27

Zyrtare/ Luftëtari prezanton Vasil Shkurtajn, skuadra qipriote hezitoi ta linte të lirë

Vasil Shkurtaj është goditja e madhe e Luftëtarit në merkaton e verës. “Panorama Sport” zbuloi paraditen e djeshme se sulmuesi, që ka luajtur me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë, rezulton i federuar për llogari të gjirokastritëve në FSHF, ndërsa sot lajmi u zyrtarizua edhe nga klubi bluzi të ciët nuk ngurruan ta prezantojnë 25-vjeçarin.

Shkurtaj

Shkurtaj, me të kaluar në akademitë e Ajaksit, Olimpiakosit dhe Lacios, vjen pas aventurës 1-vjeçare në klubin e Superligës qipriote, Aris Limasol. Në sezonin e kaluar, Shkurtaj shënoi katër gola në 18 ndeshje të luajtura në kampionatin qipriot, por në momentin e tij më të mirë një dëmtim në shpatull e la disa muaj jashtë fushave.

Mësohet se Luftëtari ka insistuar prej javësh për të bindur sulmuesin dhe më në fund është gjetur marrëveshje mes tij dhe klubit qipriot, Aris Limasol, ku Shkurtaj ishte edhe një vit nën kontratë.

shkurtaj

Dje sulmuesi me origjinë nga Vlora ka mbërritur në Gjirokastër, ndërsa do të mungojë në ndeshjen e sotme në Durrës, teksa skuadrën e re do ta ndjekë nga tribuna e stadiumit “Niko Dovana”, në shoqërinë e menaxherit të tij, Vangjel Çavo, i cili prej disa muajsh po bashkëpunon me klubin bluzi.

KONTRATA

Në klubin gjirokastrit tregohen të rezervuar për të dhënë detaje të marrëveshjes me Shkurtajn. Megjithatë, gazeta mëson se fakti që drejtuesit e Luftëtarit kanë qëndruar në heshtje këtë periudhë, ka të bëjë me ardhjen me vonesë të përgjigjes nga Aris Limasol, klubi që kishte kartonin e sulmuesit.

Qipriotët kërkonin që ta huazonin Shkurtajn, ndërsa drejtuesit e Luftëtarit kishin të tjera synime. Në fund u arrit një marrëveshje që la të kënaqur gjirokastritët, teksa sulmuesi doli i lirë nga qipriotët, pa dhënë asnjë dëmshpërblim. Luftëtari ka paraqitur në limitin e mbylljes së merkatos dokumentacionin e lojtarit në FSHF dhe tashmë pritet vetëm konfirmimi nga FIFA, në mënyrë që ai të jetë sa më shpejt në fushë.

shkurtaj

Shkurtaj ka firmosur për një vit me klubin gjirokastrit, por kontrata është me të drejtë rinovimi edhe për dy sezone të tjera. E sigurt është që Shkurtaj do të luajë për Luftëtarin deri në fund të sezonit dhe nuk ka asnjë shans për të lëvizur në janar. Kjo, për faktin se sezonin 2017-2018 e ka nisur tek Aris Limasol, duke u aktivizuar më 19 gusht ndaj AEL-it.

Kësisoji, me transferimin te Luftëtari, sulmuesi plotëson dy skuadra për një sezon, teksa nuk mund të largohet në sesionin e radhës së merkatos, për shkak se FIFA nuk lejon aktivizimin në tre klube brenda një viti.

Pritet që Shkurtaj të debutojë me bluzinjtë javën e ardhshme në ndeshjen ndaj Laçit në transfertë. Afrimi i tij e bën të frikshëm sulmin e Luftëtarit, duke iu bashkangjitur Bregut dhe Abazajt.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"