Zv.trajneri Eriol Merxha: Elbasani gjithnjë në rritje, ja pse meritojmë titullin kampion në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 13:47

Zv.trajneri Eriol Merxha: Elbasani gjithnjë në rritje, ja pse meritojmë titullin kampion në Kategorinë e Parë

Tetë ndeshje nga mbyllja e kampionatit, Elbasani ndodhet në vendin e parë dhe praktikisht me një këmbë në Superiore. Më shumë sesa kaq nuk mund t’i kërkohet një skuadre, me verdheblutë që gjithsesi qëndrojnë me këmbë në tokë.

dede merxha

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ndihmësi i Nevil Dedes, Eriol Merxha, pohon se e ka kënaqur performanca e skuadrës deri tani, por nuk duan ta ulin ritmin deri në fund. Sipas tij, me investimet qe janë bërë duan që t’ia shpërblejnë presidentit, tifozëve dhe qytetit me titullin kampion, që ka besim se do ta mbajnë deri në fund.

Sa të kënaqur jeni me paraqitjen e ekipit deri tani? 

Realisht, paraqitja e ekipit ka ardhur duke u rritur dhe kjo na kënaq. Cilësia në grup është e padiskutueshme, pasi janë lojtarë të njohur të futbollit shqiptar dhe e kanë treguar veten.

Çfarë mund të bënit më mirë, apo më shumë sesa kaq nuk mund t’i kërkosh një skuadre? 

Kemi pasur ndeshje ku mund edhe duhet të bënim më mirë. Megjithatë, duke qenë se flasim për futboll, mund të them se jemi të kënaqur me ecurinë e deritanishme. Ne mbajmë kryesimin e kampionatit.

Sa ju shërben kjo pauzë e shkurtër e kampionatit? 

Është një periudhë pauze ku ne presim të riaftësojmë lojtarët që kanë pasur probleme. Patjetër, do të na shërbejë paksa edhe për harmonizimin e mëtejshëm në grup.

Të gjithë në qytet duan vendin e parë, a do të dijë ta mbajë Elbasani deri në fund? 

Sigurisht që me investimet e kryera kërkohet vendi i parë dhe besoj se do ta mbajmë deri në fund. E meriton ky qytet dhe kjo tifozëri e mrekullueshme. Pa harruar as presidencën tonë që na mundëson çdo gjë të mundshme.

Ka nisur skuadra të mendojë për Superioren, apo është ende herët? 

Mbase në qytet ndihet aroma e Superiores dhe këtë nuk e shmangim dot. Por ne si staf, vazhdojmë të mbajmë intensitet të lartë në stërvitje, derisa ta arrijmë matematikisht. Ne kemi edhe tetë ndeshje për të luajtur, për të cilat do të luftojmë në maksimum.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"