Geri Nevill tregon si e turpëruan trajnerët e tjerë kur drejtoi Valencian: Simeone më frikësoi, Luis Enrike nuk më dha dorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 22:09

Geri Nevill tregon si e turpëruan trajnerët e tjerë kur drejtoi Valencian: Simeone më frikësoi, Luis Enrike nuk më dha dorën

Geri Nevill ka zbuluar gjatë një emisioni se vendimi më i gabuar i karrierës së tij sportive ishte të merrte drejtimin e Valencias. Në fakt ai kishte qenë një nder ndaj pronarit Peter Lim, i cili e emëroi anglezin në panik në një moment vështirësie.

nevill

Por gjërat shkuan shumë keq dhe Nevill kujtohet si një nga dështimet më të mëdha në historinë e klubit. Një eksperiencë që ka bërë që ish-mbrojtësi i Mançester Junajtid të mos drejtojë më asnjë klub tjetër pas atij.

“Nuk kisha punuar sa duhej, nuk isha i përgatitur, ishte vetëm një nder ndaj Peter Lim”, tha Nevill i cili gjatë një podkasti tregoi se e kishte ndjerë veten të turpëruar përballë trajnerëve të mëdhenj që drejtonin skuadrat në La Liga.

“Pas rreth dy muajsh punë në Valencia, më kujtohet që një mëngjes e pashë veten në pasqyrë dhe mendova se dukesha si i sëmurë.

Më kujtohet që kemi luajtur tre herë kundër Atletik Bilbaos, në çerekfinalet e Ligës së Europës dhe në një ndeshje kampionati, kur trajner ishte Ernesto Valverde. Ai luajti një sistem të ndryshëm nga ai që mendoja unë dhe pastaj ndryshoi gjatë ndeshjes. Më kujtohet që mendova se nuk isha aspak afër këtij niveli.

Kur shihja Valverden, ishte hera e parë që e kuptova që isha kilometra larg, ndërsa më pas drejtova kundër Diego Simeones. Në atë ditë ndjeva që po më kalonte në çdo aspekt: me taktikën, me gjestet dhe me frikën që të kallte.

Me Barcelonën humbëm 7-0. Kur po fitonin 5-0, Luis Enrike nuk ndërroi as Nejmar, as Mesin, as Suarez. Dhe në fund të ndeshjes, më kaloi ngjitur dhe as më zgjati dorën. E ndjeva që po më jepte një mesazh që nuk isha aty ku duhej”, shpjegoi Nevill ato momentet e turpërimit që ndjeu në muajt në Spanjë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"