Kapiteni i skuadrës kvajase, Nurja: Duhet sakrificë dhe fat, ja çfarë pres nga Besa në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 23:55

Kapiteni i skuadrës kvajase, Nurja: Duhet sakrificë dhe fat, ja çfarë pres nga Besa në Fier

Tri javë më parë, askush nuk e mendonte se Besa do të garonte në dy javët e fundit të kampionatit për të shmangur rënien direkte dhe mbijetesën. Kjo vjen për faktin, se sipas llogarive të tyre i binte që do të fitonin kundër Korabit dhe do të kishin shansin të mos rrezikohej si sot.

joni nurja Besa

Në rast humbjeje në Fier e fitoreje të Luzit në Vlorë, me shumë gjasa verdhezinjtë do zbrisnin në Kategorinë e Dytë, që padyshim do të ishte një dramë më vete për futbollin kavajas. Që të mos ndodhë kjo, të besuarit e trajnerit Dorjan Bubeqi janë të detyruar që kundër Apolonisë të luftojnë fort, aty ku të paktën duhet të shmangin humbjen. Këtë e pohon edhe kapiteni Joni Nurja, teksa për “Panorama Sport” shprehet se në Fier pret sakrificën e shokëve, por edhe fat. “Barazimi me Korabin na ka kushtuar rëndë. Nëse para kësaj sfide luanim me besimin se do të shmangnim ‘play out’-in, tani rrezikojmë më të keqen, zbritjen në Kategorinë e Dytë.

Përballja në Fier merr peshën e një sezoni të tërë. Ne po përgatitemi së pari psikologjikisht për takimin duke kalitur nervat, që në çdo lloj situate, sido të rrjedhë loja, të jemi të qetë e me besim se mund dhe do t’ia dalim. Apolonia mbetet ekip i fortë në shtëpi dhe këtë e tregoi duke mundur edhe Bylisin thellë dy javë më parë. Jemi të vetëdijshëm, se do të jetë një sfidë mjaft e vështirë, por fundja humbja nuk do djersë, vetëm rezultati pozitiv kërkon sakrificë të madhe. Për fatin tonë të mirë, në Fier do të jemi të plotë pasi rikthehen pas dënimeve Perja, Ramilli e Balla. Ndërkohë, nga java e shkuar është rikthyer edhe Kapo. Një Besë e plotë jep më shumë shpresë e besim se mund t’ia dalim”, u shpreh Nurja.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"