“Ekipi i Maganit është më lart se krutanët”, ish-trajneri Bano: Lushnja i mbyll llogaritë që të shtunën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 22:20

“Ekipi i Maganit është më lart se krutanët”, ish-trajneri Bano: Lushnja i mbyll llogaritë që të shtunën

Lushnjarët po bëhen gati për “finalen” e ditës së shtunë, kur do të presin Kastriotin, në stadiumin “Roza Haxhiu”. Skuadrës verdhejeshile i bën punë vetëm fitorja për të siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë, me përfundimin e sezonit të rregullt.

BANO 1

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama Sport”, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit verdhejeshil, ish-trajneri Artan Bano thotë se Lushnja i ka të gjitha mundësitë për ta fituar këtë përballje delikate.

Lushnja ka një finale në shtëpi me Kastriotin. Si e shihni këtë përballje?

Është një ndeshje që duhet fituar. Janë tri pikë që i japin Lushnjës atë sigurinë për të qëndruar pa pasur nevojën e ndeshjes shtesë. Për të mos qenë më nën tension. Lushnja luan në fushën e saj.

Mendoni se është një avantazh i madh?

Patjetër që është një avantazh shumë i madh. Unë do t’i bëja thirrje drejtuesve, trajnerëve, futbollistëve, tifozëve të mrekullueshëm që ka Lushnja, të bëhen të gjithë bashkë që kjo ndeshje të kalojë me sukses. Për këtë ndeshje mbështetja për ekipin duhet të jetë maksimale.

Sa e vështirë do të jetë për të marrë tri pikët?

Lushnja ka një ekip shumë të mirë dhe me kualitet. Ka një fitore dhe një barazim në përballjet me Kastriotin. Ka qenë më lart se ky kundërshtar. Gjëja kryesore për këtë ndeshje janë marrja e tri pikëve.

Me 40 pikë, Lushnja është e shpëtuar. A mendoni se do t’ia arrijë?

Lushnja nuk e meriton këtë vend që ka. Ka dhënë më shumë për të qenë më lart. Lushnja ka merituar më shumë.

Konkretisht?

Futbolli është matematikë. Ndonjëherë, pikët nuk i merr. Një penallti e humbur me Apoloninë, në minutën e 95-të, një gol i pësuar në minutën e 99-të, në Elbasan, një gol i pësuar në minutën e 95-të në Peshkopi. Por, të gjitha këto përkthehen në pikë.

Që Lushnjës i mungojnë…

Ndaj Lushnja ka vetëm një alternativë. Të fitojë në fushën e vet me Kastriotin. Unë kam shumë besim te trajneri Magani dhe tek ekipi i Lushnjës. I kanë të gjitha mundësitë që në këtë ndeshje të mbyllin gjithçka.

E shikoni Lushnjën favorite?

Mbështetja e publikut pritet të jetë shumë e madhe. Fiton këtë ndeshje dhe nuk vazhdon më tensioni. Pse mos ta mbylli që këtë të shtunë. Unë mendoj që trajneri Magani ka qenë ndër trajnerët “jabanxhinj” me më shumë presion te Lushnja. Duke pasur parasysh këtu CV-në e tij dhe sukseset me disa ekipe elitare të futbollit tonë.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"