Rivalë të frikësuar, edhe Bajerni vuan “ligjin e Madridit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 21:59

Rivalë të frikësuar, edhe Bajerni vuan “ligjin e Madridit”

“Ka dy lloje tra jnerësh: ata që nuk bëjnë asgjë dhe ata që bëjnë shumë dëme. Unë përpiqem të jem një nga grupi i parëve”. Duket një frazë e çuditshme, por ajo vjen nga goja e Karlo Ançelotit, trajnerit të Realit të Madridit. Pas provës së mbijetesës në “Etihad” në çerekfinale kundër Mançester Sitit, ku e siguroi biletën nga lotaria e penalltive, të martën në mbrëmje, Reali ishte para një tjetër prove aspak të lehtë. Këtë herë në Mynih.

bayern-real-madrid

Në dukje ishte më pak stërmunduese, parë sezonin jo bindës të Bajernit. Dhe përsëri ia doli në një mënyrë apo në një tjetër. Duke iu kthyer frazës së Ançelotit thënë pikërisht para ndeshjes kundër Realit, homologu i tij te Bajerni, Tomas Tuhel donte të dilte kundër italianit për të qenë një nga trajnerët e tipit 3, ata që bëjnë diçka… por që përfundojnë duke u përplasur me “Ligjin e Realit të Madridit”.

“Aty të kap, aty të vras” ishte disfata që Pep Guardiola pësoi në ndeshjen e fundit në versionin futbollistik përballë Realit. Një skuadër deri diku e çuditshme, e aftë të shënojë me lehtësi të papërballueshme edhe kur nuk duket në lojë. Të luash kundër Realit është bërë aq sfiduese, saqë skuadrat rivale guxojnë t’i bëjnë ballë vetëm kur janë të përgatitura 100% për ndeshjen. Bajerni është bërë nxënësi i fundit që përballet me leksionin e ashpër madrilen.

Deri në minutën e 24-të, Tuhel kishte hartuar një plan që kishte funksionuar në mënyrë perfekte. Pikërisht deri në atë moment, kur Toni Kros shpiku diçka përtej imagjinatës, vizatoi një vepër arti që Vinicius përfundoi duke e dërguar në rrjetë për të bërë shënuar 0-1 të përkohshëm. Plani dështoi, por faji nuk ishte i Tuhelit, por i asaj që bën Madridi me të gjithë rivalët e tij, i lënë karamele në gojë dhe më pas i marrin!

AJO QË BËJNË ME ÇDO RIVAL – “Kjo është ajo që ata bëjnë me shumë rivalë dhe këtë herë ishte radha jonë. Gjithçka do të vendoset në Bernabeu”, tha Tuhel pas ndeshjes. Lojtarët e tij luajtën 15-20 minuta futboll të mirë, me raste, një lojë fluide … dhe tifozët u mahnitën. Lojtarët e Bajernit po shfaqnin një futboll që nuk e kishin parë në 31 ndeshje të Bundesligës dhe rivali i zgjedhur për ta bërë këtë ishte Madridi, mbreti i kompeticionit.

8 goditje nga Bajerni, tri prej tyre në kuadrat, një nga Madridi. Rezultati përfundimtar nuk ka nevojë të shpjegohet. “Allianz” ishte arena e radhës që pa se klubi i bardhë nuk kishte nevojë për më shumë. Lojtarët e Bajernit u frikësuan dhe menduan se pa gabime ishte më se e mjaftueshme… dhe ky ishte gabimi. Madridi nuk ka nevojë të përfitojë nga rivali i tij, përdor inercinë për të arritur një qëllim që e di se do ta arrijë.

10 METRAT E PAZAKONTË – Kur Tuhel po shihte skenarët e mundshëm të fitores ndaj Realit, trajnerit gjerman vështirë se i shkoi mendja se spanjollët do të bënin italianin klasik, do të mbroheshin brenda 10 metrave nga zona. Ançeloti dhe i gjithë stafi i tij, iu lutën 10 lojtarëve të fushës që të dilnin nga kurthi bavarez. Dhe ajo që u përjetua në “Etihad” ka pak ngjashmëri me atë që u pa kundër Bajernit. Ançeloti e dinte që praktikisht e kishte humbur betejën për zotërimin e topit në “Etihad” … kështu që ai projektoi një kornizë mbrojtëse që mbyste rivalin.

Në “Allianz Arena” ishte ndryshe. Madridi filloi duke lënë Viniciusin dhe Bellingamin si referenca… dhe përfundoi duke i tërhequr ata në përpjekje për të ndaluar stuhinë gjermane. Përjashtuar portierin Lunin, Madridi u mbrojt në një 10 metra të pazakontë, sepse as autobusin nuk e kishin parkuar e as nuk ishin në gjendje të dilnin nga zona e tyre. Bajerni zvogëloi fushën e veprimit dhe Madridi nuk dinte si të dilte prej andej deri në golin e Vinit dhe ndihmën e Krosit, i cili mori timonin e bardhë për të ndihmuar shokët e tij.

PA PASQYRËN E LEVERKUSENIT – Të besuarit e Ançelotit kishin një pasqyrë për të parë veten përpara se të zbrisnin në Mynih: Leverkuseni i Ksabi Alonsos. Fitorja e “aspirinave” (3-0) kundër Bajernit më 10 shkurt ishte shembulli i përsosur se çfarë mund të bënte Madridi dhe si t’i qasej ndeshjes. Leverkuseni i Ksabit duroi dominimin bavarez dhe që atëherë morën kontrollin duke i dhënë goditjen rivalit të tyre. Reali nuk e bëri këtë, zgjodhi tjetër qasje.

Bajerni kishte posedimin e topit (52%), bëri më shumë pasime (522 me 468), bëri më shumë goditje… dhe kundër Madridit arritën të zgjidhin problemin e tyre më të madh, tranzicionet e shpejta të kundërshtarit. Këta ishin çelësat e ndryshimit të futbollit të Bajernit për të befasuar Madridin që paralajmëron për ndeshjen e kthimit: “Ne e dimë që nuk treguam versionin tonë më të mirë, por në fund nuk kemi humbur, gjë që ishte shumë e rëndësishme. Tani është koha për të luaj në shtëpinë tonë”. Dhe ai që paralajmëron nuk është tradhtar (Ançeloti).

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"