Vulosi fitoren kundër Vorës, mbrojtësi Dikson: Burreli nuk del pa pikë nga Elbasani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 22:12

Vulosi fitoren kundër Vorës, mbrojtësi Dikson: Burreli nuk del pa pikë nga Elbasani

Me fitoren e arritur ndaj Vorës të shtunën e kaluar në “Liri Ballabani”, skuadra matjane siguroi një trepikësh me rëndësi në luftën për mbijetesë. Për të realizuar qëllimin e mbijetesës te Burreli janë të angazhuar të gjithë.

dikson burreli

Golat priten edhe nga mbrojtësit, që deri tani kanë treguar nuhatje “bomberësh”. “Përballë kishim një kundërshtar të fortë si Vora. Zhvilluam një ndeshje perfekte duke dominuar në të gjitha drejtimet kundërshtarin. Falënderoj Zotin që dolëm fitues”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport”, mbrojtësi Dikson, që përveç lojës së mirë ishte edhe autori i golit të dytë që vulosi fitoren. Në dy ndeshjet e para të fazës së tretë, skuadra e drejtuar nga trajneri Klevis Hima, ka mundur të marrë maksimumin e pikëve. Skuadra në dy ndeshjet e para të kësaj faze ka treguar grintë dhe luftë të fortë sportive.

Fitorja e arritur në transfertën e vështirë të Vlorës dhe ajo kundër Vorës përforcoi mendimin se skuadra matjane mund të përballet me dinjitet me çdo kundërshtar. “Skuadra po funksionon shumë mirë. Jemi një grup futbollistësh që merremi vesh shumë mirë me njëri-tjetrin. Klima e mirë në skuadër është çelësi i suksesit në arritjen e rezultateve pozitive. Me fitoret e arritura treguam se ne meritojmë të jemi më mirë në renditje”, u shpreh në vijim mbrojtësi Dikson që u afrua te skuadra matjane në merkaton e verës së kaluar. Në fund, ai ndalet dhe te ndeshja e radhës, ajo me Elbasanin që do të zhvillohet këtë fundjavë në transfertë.

“Të gjitha ndeshjet e kësaj faze janë të vështira. Elbasani tashmë është në vendin e parë dhe është shumë i motivuar. Edhe Burreli e ka treguar se di të luajë me dinjitet dhe kundër skuadrave pretendente. Jam optimist se me paraqitjen që kemi pasur ndeshjet e fundit, nuk do të kthehemi duar bosh nga Elbasani”, e mbylli mbrojtësi Dikson, i cili me golin e shënuar i dhuroi skuadrës një trepikësh të çmuar ndaj Vorës.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"