Udhëtoi gjithë natën dhe shënoi dy herë, rrëfimi i çmendur i lojtarit të Bylisit: Nuk e ndjeva lodhjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2021 | 18:27

Udhëtoi gjithë natën dhe shënoi dy herë, rrëfimi i çmendur i lojtarit të Bylisit: Nuk e ndjeva lodhjen

Bylisi u eliminua nga Kupa e Shqipërisë, por mbeti i pathyeshëm. Rezistoi për 120 minuta në fushë përballë Skënderbeut (u mbyll 2- 2), por në fund e pësuan prej “ruletës” së penalltive.

Për rekord ishte edhe Eridon Qardaku, që të martën luajti në Kosovë për llogari të Shqipërisë U-21 dhe ka rrugëtuar përgjatë natës, që të mërkurën në mëngjes t’i bashkohej ekipit dhe ishte gati për ndeshjen. Jo vetëm që luajti titullar me minutazh të plotë, por shënoi edhe tre gola. Dy në kohën e rregullt dhe një me 11-metërsh.

qardaku

Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, njeriu i kësaj ndeshjeje na rrëfen çmendurinë që ka përjetuar në më pak se 24 orë. Mesfushorit i ka mbetur peng që nuk shkuan në çerekfinale, por qartëson se ngushëllimin do ta gjejnë te ngjitja e padiskutueshme në elitë.

Nga ndeshja me Shpresat në Kosovë, tek ajo në Korçë me Bylisin për Kupë. Në më pak se 24 orë, dy takime…
Nuk e kam ndier lodhjen, sepse ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme dhe nisur nga loja që bëmë në takimin e parë në Ballsh, ishim motivuar dhe përgatitur për kualifikimin. Por sot, jam shumë i mërzitur realisht. Ishim të pafat dhe për këtë jam pikëlluar unë, stafi, presidenca dhe gjithë ekipi. Kemi merituar shumë për atë që dhamë në Korçë. Jam i bindur se kush e ka parë atë ndeshje, nuk ka bërë shumë dallim me ato derbi në kampionat.

Si ia dolët që të ishit një nga lojtarët më të mirë në fushë duke shënuar edhe dy gola, pa llogaritur penalltinë?
E thashë, ishim shumë të motivuar. Kur shkova në hotel, diskutimet u bënë vetëm rreth asaj që ne duhet ta fitonim ndeshjen në Korçë. Shënuam të parët dhe besimi rritet rrjedhimisht më shumë. Personalisht ndihesha më i lehtësuar dhe i motivuar në fushë.

Na tregoni pak, kur u nisët për Korçë dhe kur iu bashkuat ekipit?
Unë kam udhëtuar gjithë natën. I kisha thënë trajnerit se nuk do të mungoja për vetë rëndësinë e ndeshjes. Arrita në orët e para të mëngjesit, u qetësova pak sepse nuk kishte shumë kohë pasi në mesditë do të luhej ndeshja. Jam profesionist dhe kur hyj në fushë nuk mendoj më për lodhjen dhe veten. Dua të jap më të mirën, sepse jam në kulmin tim. Dua të shpërthej në Ballsh…

E kishit menduar që do të luanit 120 minuta dhe do gjenit rrjetën?
Golat janë dëshirë jo vetëm e çdo sulmuesi, por edhe e çdo lojtari kur luan. Megjithatë, dy gola nuk i kisha menduar. Me ndihmën e Zotit, falë formës sime të mirë dhe shokëve të skuadrës, falë një pune mjaft të mirë të stafit të cilën po e dëshmon në kampionat dhe në Kupë, në Korçë ne dominuam dhe performuam mjaft mirë.

Ju vjen keq që ju iku kualifikimi nga duart?
Mos ma kujto më. Nëse ajo ndeshje do ishte transmetuar në televizion, do ishin kënaqur të gjithë. Jo vetëm korçarë e ballshiotë, por çdo shqiptar. Edhe pse ne jemi një skuadër e së Parës, nuk kishte dallim mes dy ekipeve. Për të gjitha këto më vjen shumë keq. Ka qenë një fund shumë i mërzitshëm për ne. Imagjinoni, korçarët kanë qenë me shumë fat, penalltia e tyre e lojës shkon në traversë, më pas shtyllë dhe hyn në rrjetë. Humbëm 4-5 raste, unë, Carkanji apo dhe Antoni gjatë lojës. Në fund dy penallti! Presidenti dhe trajneri na kanë motivuar pas ndeshjes, sepse u dëshpëruam shumë realisht…

Tani vëmendja është e gjitha te kampionati dhe kundërshtari i radhës është Apolonia. Do ta ruani pathyeshmërinë?
Patjetër, sepse ka ngjeshje të ndeshjeve dhe luajmë në fushën tonë këtë fundjavë. Në mesjavë një transfertë delikate në Peqin. Por ne më shumë jemi të përqendruar te sfida e radhës me Apoloninë, ndeshje derbi. Këto vite që unë luaj në Ballsh edhe miqësoret janë të nxehta, dhurojnë spektakël. I tillë do të jetë edhe takimi këtë fundjavë…

Do të vazhdojë Bylisi të thyejë rekorde?
Bylisi do vazhdojë të qëndrojë me këmbë në tokë, të vlerësoj çdo ekip dhe të fitojë në çdo ndeshje. Ky është synimi ynë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"