U largua në fundin e sezonit, Flamurtari e rikthen në klub dhe i beson rolin e rëndësishëm ish-kapitenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2023 | 11:49

U largua në fundin e sezonit, Flamurtari e rikthen në klub dhe i beson rolin e rëndësishëm ish-kapitenit

Flamurtari rikthen Andi Ribajn. Por këtë herë, jo për të luajtur futboll. Ish-kapiteni merr një pozicion drejtuesi në klub.

Ribaj

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht, se 33-vjeçari është emëruar sekretar i përgjithshëm. Sinan Idrizi i ka besuar këtë rol, që hapet për herë të parë te kuqezinjtë. Kujtojmë që fieraku u largua nga skuadra në fundin e sezonit të shkuar. Me riformatimin që iu bë skuadrës në merkaton e verës, ai mbeti jashtë planeve. E ndërsa u largua bashkë edhe me pjesën më të madhe të skuadrës që mbylli sezonin e shkuar, Sinan Idrizi ka thirrur ish-kapitenin në një takim për t’i propozuar edhe projektin e ri. Ribaj nuk i ka thënë “jo” dhe është bashkuar kështu në stafin drejtues, duke marrë edhe detyrën e re, që është jo pak e rëndësishme. Si sekretar i përgjithshëm i Flamurtarit, Ribaj do të merret më shumë me anën organizative të klubit dhe atë teknike, duke qenë përkrah drejtorit sportiv, Alfred Ferko.

Me organizimin e ri, klubi ka shkrirë postin e drejtorit teknik dhe tashmë ka vendosur që ta cilësojë si sekretar i përgjithshëm, por duke i dhënë edhe më shumë kompetenca. Me detyrën e re, duket se natyrshëm Andi Ribaj do të “varë edhe këpucët në gozhdë”. Sulmuesi fierak është njohës i mirë i kampionatit shqiptar, pasi në të kaluarën ka qenë pjesë e Apolonisë, Vlorës, Skënderbeut, Teutës dhe Vllaznisë. Nga viti 2018 ka luajtur te Flamurtari. Andi Ribaj ka nisur tashmë nga puna, ndërsa ndoqi nga afër skuadrën në transfertën e Luzit.

SHFAQET EDHE MEMUSHI Ish-trajneri i Flamurtarit shfaqet në stërvitje. Eqerem Memushi ka ndjekur nga afër përgatitjet e kuqezinjve. Ai është parë ditët e fundit që të ndjekë nga afër disa seanca stërvitore të ekipit. Deri tani nuk ka informacion nëse po përgatitet plani për rikthimin e tij, ndoshta edhe me ndonjë rol drejtues në klub. Duke qenë se Sinan Idrizi po ndryshon strukturën e drejtimit, nuk përjashtohet mundësia e një bashkëpunimi me Memushin. Vlen të theksohet se kohë më parë administratori i ka bërë disa ftesa për bashkëpunim Memushit, por që nuk u konkluduan. Ndoshta tani ka ardhur koha. Eqerem Memushi ka qenë trajner i Flamurtarit në sezonet 2006- 2009. Vlonjati ka drejtuar edhe Bylisin, Vlorën, Apoloninë, Tomorin dhe Orikun. Aktualisht është i lirë dhe në pritje të ofertave.

SITUATA ME AFRIMET E FUNDIT Flamurtari është tashmë në pritje të dy goditjeve të fundit në merkato, konkretisht Beji Amos Andoni dhe Lancinet Sidibe. Në stërvitje flasim, pasi zyrtarisht janë të federuar. Sulmuesi 24-vjeçar ka arritur akordin zyrtar, madje ka firmosur kontratën në mënyrë elektronike. Nigeriani pritet që të mbërrijë në Vlorë në ditët në vijim, për t’iu bashkuar skuadrës dhe qenë gati për këtë sezon. Flamurtari ka rikthyer edhe mesfushorin Lancinet Sidibe. Ai e njeh mirë ambientin në Vlorë, duke qenë se në të shkuarën ka luajtur me kuqezinjtë. Edhe guineasi pritet të mbërrijë këto ditë në Shqipëri dhe vendoset një herë e mirë nën urdhrat e trajnerit Emiljano Çela.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"