Trofe dhe polemika, tani Duro kërkon “hakmarrje” ndaj Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2018 | 18:54

Trofe dhe polemika, tani Duro kërkon “hakmarrje” ndaj Kukësit

Kukësi e nisi serinë e fitoreve të trofeve më 22 maj të vitit 2016, kur në krye të stolit ishte pikërisht Klodian Duro, i cili do jetë kundërshtar i skuadrës verilindore ditën e shtunë. Duro tashmë është një ish, i cili do rivalizojë Kukësin me Kamzën. Me atë trofe Kukësi hyri në histori duke fituar për herë të parë Kupën e Shqipërisë.

Në darkën e 22 majit, në ish-stadiumin “Qemal Stafa” ishte fillimisht braziliani Karioka ai që kaloi verilindorët në avantazh në minutën e 65-të të takimit. Kur pritej vërshëllima e arbitrit italian, kurbinasit barazuan në minutën e tretë shtesë me anë të Mitrajt.

klodian duro

Koha shtesë u karakterizua nga një lojë disi e vakët. Në fushë u duk lodhja e futbollistëve pas ritmit të lartë në 45 minutat e dyta. Verilindorët luajtën më të tërhequr, ndërsa kurbinasit dominuan në kontrollin e topit në kohën shtesë, duke shfrytëzuar edhe epërsinë e një futbollisti më shumë në fushë. Në atë takim Kukësi luajti me një futbollistë më pak, pasi Ansi Nika shkaktoi një faull të rëndë, por naiv dhe në të 73-ën gjyqtari italian Guida e nxori jashtë me karton të kuq. Verilindorët e mbajtën dhe në dy pjesët nga 15 minuta rrjetën të paprekur dhe ia dolën nga pika e bardhë e penalltive duke fituar me rezultatin 5-3.

Duro-dhe-Lika-ne-stervitje-700x3941

DASHURI DHE URREJTJE

Mbas një festë shumë të madhe të zhvilluar në Kukës për fitimin e Kupës së Shqipërisë, më pas erdhi dhe “ndarja” e madhe Gjici-Duro. Palët nuk ranë dakord për  vazhdimin, ku presidenti Gjici në atë kohë theksoi se Duro kërkoi milionat, ndërkohë që ish-lojtari i Kombëtares deklaroi të kundërtën, pasi nuk ishte çështje parash.

kukesi-me-gjicin-470x264-470x264

Por, para se te luhej finalja palët patën mosmarrëveshje që i zgjidhën. Mbas finales dhe ndarjes, deklaratat, kundërdeklaratat dhe ironitë mes presidentit Gjici dhe Klodian Duros ishin të forta. Me të vërtetë Duro dhe Kukësi nuk ishin me bashkë, por ish-trajneri i verilindorëve kurrë nuk e pohoi se nuk e donte Kukësin, madje shpesh në daljet e tij publike theksonte se e mbështeste skuadrën dhe futbollistët e tij. Kukësi vitin pasardhës fitoi titullin, e mbas shkarkimit të Ernest Gjokës, zyrtarë të Kukësit hynë në tratativa sërish për të rikthyer Duron, i cili ishte i preferuari i tifozëve, por jo më i presidentit Gjici.

NDRYSHIMI TOTAL I KUKËSIT

Duro do të ndeshet me ishekipin e tij apo e kundërta, por sa ka ndryshuar Kukësi aktual nga ai i finales? Ka ndryshuar thuajse totalisht. Formacioni i finales ishte: Koliçi, Hallaçi, Shameti, Malota (Lladrovci), Mici, Zhan Karioka, (Hasani) Birungueta, Musolli, Nika, Dvornekoviç, Emini. Nga ai ekip sot kanë mbetur te Kukësi vetëm kapiteni Shameti dhe zëvendësi i tij Besar Musolli. Ndërsa në klub është dhe ish-kapiteni Hallaçi, i cili është në rolin e zëvendëstrajnerit.

kukesi

Pra, në më pak se dy vite e gjysmë, ekipi verilindor është transformuar thuajse plotësisht sa u përket lojtarëve. Tashmë nuk mund të themi se Duro e njeh më ishekipin e tij, pasi vetëm dy ishlojtarë të tij ka Kukësi në përbërje, të cilët për koincidencë me gjasa reale do të mungojnë për shkaqe dëmtimesh. Duro do luajë ndaj Kukësit, por me asnjë prej lojtarëve të ekipit që ka stërvitur.

SKEDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"