Trajneri Martini nuk do një tjetër zhgënjim. Teuta pret kthesën me Tiranën, Karabeci është mungesa e vetme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2024 | 11:41

Trajneri Martini nuk do një tjetër zhgënjim. Teuta pret kthesën me Tiranën, Karabeci është mungesa e vetme

Teuta zbriti dje në fushën e stërvitjes, duke vijuar përgatitjet për ndeshjen e së premtes ndaj Tiranës. Skuadra e Teutës e nisi me humbje vitin 2024, teksa kërkon të ndërrojë kursin e rezultateve ndaj ekipit tjetër të kryeqytetit, Tiranës. Humbja ndaj Partizanit ka lënë një shije të hidhur, por në kampin durrsak janë optimistë dhe premtojnë se do të bëjnë autokritikë në përballjen e radhës kundër bardhebluve në “Niko Dovana”.

teuta

Ndeshja me Tiranën shihet e vështirë në letër, por te Teuta janë të bindur se do t’ia dalin mbanë të kthehen te tri pikët. Stafi teknik i ka bërë një analizë të thellë humbjes me Partizanin, ku janë nxjerrë në pah gabimet e vërejtura. Ata kanë kërkuar që këto të mos përsëriten më, jo vetëm në ndeshjen e radhës, por edhe në të tjerat në vazhdim, duke kërkuar rikthimin te fitoret.

Në këtë përballje, Teuta është e dënuar me fitore dhe këtë fakt e kanë të ngulitur të gjithë lojtarët që do të zbresin në fushë. Ndonëse ka edhe dy ditë kohë nga përballja e radhës, trajneri Martini do ta ketë skuadrën thuajse të plotë, teksa mungesa e vetme është ajo e Karabecit, i cili nuk është rikuperuar ende. Numri një i pankinës së “djemve të detit” pritet të mos bëjë surpriza në formacion, duke i besuar të njëjtës skuadër, e cila ka luajtur gjatë këtyre javëve.

PËRGATITJET – “Djemtë e detit” kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore me sytë nga përballja e së shtunës kundër Tiranës. Deri në ndeshjen me bardheblutë do të vazhdohet me një seancë në ditë. Stërvitja nisi me një nxehje të lehtë, ku stafi teknik vazhdoi punën me futbollistët me disa ushtrime fizike. Skuadra stërvitjen e vazhdoi me ushtrime aerobike. Lojtarët vazhduan me punën me top dhe me anën taktike. Në fundin e seancës, ata zhvilluan edhe një lojë mes tyre. Disa nga lojtarët u futën në vaskë me ujë me akull për të rigjeneruar forcat dhe për të qenë gati për të premten. ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"