Te Besëlidhja s’ka panik për të dëmtuarit, trajneri Bardhi: Duhet të përmirësohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2021 | 19:25

Te Besëlidhja s’ka panik për të dëmtuarit, trajneri Bardhi: Duhet të përmirësohemi

Besëlidhja edhe këtë fillimjavë u detyrua që ta zhvillojë seancën stërvitore në kalçeto. Kushtet e rënduara nga reshjet intensive të ditëve të fundit i kanë nxjerrë fushat jashtë funksionit. Pjesë e organikës ishin edhe dy të dëmtuarit: Arsen Hajdari dhe Nikolla Milanoviç. Shtyrja e kampionatit vjen si me porosi për ta, pasi do të kenë kohën e nevojshme për t’u rikuperuar e qenë gati për transfertën me Vorën. Sakaq, Sinan Bardhi pret një ekip perfekt. Edhe pse skuadra bindi kundër Besës, trajneri sheh ende gabime.

Korabi-Beselidhja

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës “skanon” javën e parë të përgatitjeve dhe i bën një analizë të shkurtër miqësores së luajtur të shtunën. “Jam i kënaqur me lojën ndaj Besës, por ka përsëri vend për përmirësime. I kemi të gjitha mundësitë për të korrigjuar, ndaj do të vazhdojmë të përgatitemi. Jam i kënaqur edhe me afrimet e reja të merkatos së janarit. Shpresoj që këta futbollistë ta kryejnë mirë detyrën, pasi vura re që cilësitë nuk u mungonin. Pavarësisht se fituam përballë një skuadre si Besa dhe për më tepër brenda në shtëpinë e saj, ajo ishte vetëm një miqësore. Na mbetet për detyrë që të marrim rezultate në ndeshje zyrtare. Na duhet punë e madhe për të rikuperuar pikët e humbura gjatë fazës së parë.

Tani në radhë kemi transfertën ndaj Vorës. Kundërshtarin e njohim mirë dhe duhet ta vlerësojmë maksimalisht. Ashtu si ne, me futbollistë cilësorë janë rifreskuar edhe skuadrat e tjera, ndaj na duhet shumë kujdes. Duhet të luajmë me grintë e të japim maksimumin dhe kjo do të na çojë te fitorja. Ndonëse kemi një diferencë prej 8 pikësh me kreun, kjo është një shifër që e tejkalojmë lehtësisht, gjithnjë nëse japim maksimumin e mundësive tona, pasi ne me rivalët do të ndeshemi nga 3 herë. Ndeshjen ndaj Vorës duhet ta fitojmë dhe kam besim te ju se do t’ia dalim”, u shpreh trajneri, i cili, në fakt, i kishte bërë llogaritë që me Vorën të luante këtë të shtunë. Derisa vendimi i FSHF-së u dha dje pasdite, nga sot pritet që programi stërvitor të ndryshojë.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"