Sytë nga Shkurtaj, “zgjidhja” e krizës së golave te Kukësi quhet… Pero Pejiç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2022 | 12:37

Sytë nga Shkurtaj, “zgjidhja” e krizës së golave te Kukësi quhet… Pero Pejiç

Kukësi është i varur nga gjendja e sulmuesve. Kur ky repart është në krizë, ashtu është edhe skuadra. Nëse për mbrojtjen mund të thuhet se ka qenë një problem i hershëm që në fillim të sezonit, ishte efikasiteti në sulm ai që mbulonte defektet në prapavijë. Mirëpo, tani duket se ky repart është duke kaluar një krizë të thellë, sepse në katër ndeshjet e fundit kanë shënuar vetëm dy gola. Fakt, që e kanë vënë në dukje edhe vetë drejtuesit dhe lojtarët në kampin kuksian. Në përballjen me Vllazninë mbrojtja dha sinjale pozitive, pasi u mbajt porta e paprekur, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për sulmin.

VASIL SHKURTAJ 2

TERAPI SPECIALE – Duke parë defektet në gjetjen e golit, në Kukës pritet t’u kushtojnë një rëndësi të veçantë lojtarëve të këtij reparti gjatë seancave stërvitore. Madje, në ndihmë të Longos pritet të vijë edhe drejtori Pejiç, një ekspert si lojtar në fushë sa u përket golave dhe gjatë kësaj periudhe është gjithnjë me skuadrën në seancat stërvitore, madje duke veshur shpesh edhe tutat. Pejiç do të mundohet t’u japë diçka nga eksperienca e tij lojtarëve në momentin që gjenden para portës, sepse ky duket problemi kryesor i tyre. Skuadra krijon dhe i afrohet katërkëndëshit kundërshtar, por problem mbetet finalizimi i dobët, duke bërë që skuadra të mos marrë dot maksimumin në ndeshjet e fundit. Mbetet për t’u parë nëse shënjestra e tyre do të rregullohet në ndeshjen e ardhshme me Dinamon, pasi një tjetër hap fals do të thellonte krizën në skuadër.

SITUATA ME SULMUESIT – Në javët e para të kampionatit Kukësi ka luajtur pa një sulmues të deklaruar, me Longon që preferonte një “9 fals”, duke i dhënë shpesh të drejtë me rezultatet e arritura. Madje, për të vijuar me këtë skemë në shumë raste Puntus qëndronte në stol, para se të pësonte dëmtimin që e la disa javës jashtë fushave. Me ardhjen e Shkurtajt u projektua 30-vjeçari si titullar në majë, por jo në të gjitha rastet është preferuar nga Longo.

Së fundmi, sulmuesi ka pësuar një tërheqje para ndeshjes me Vllazninë dhe gjasat janë që të mos rikuperohet dot edhe ndaj Dinamos. Shkurtaj mungoi në seancën e djeshme stërvitore me skuadrën dhe mbetet për t’u parë se kur do t’i ribashkohet sërish grupit. Në këtë repart janë bërë shpesh edhe lëvizje, ku përveç Bashës që ka qenë një titullar fiks në krah, të tjerët janë alternuar shpesh me njëritjetrin.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"