Studenti eleminohet në Serbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2015 | 20:02

Studenti eleminohet në Serbi

spartaku studentiKampionët e Shqipërisë në volejboll për meshkuj, Studenti, janë eliminuar në mbrëmjen e djeshme nga “Challenge Cup”, teksa ekipi është mundur në 3-0 në Serbi nga skuadra vendëse e Spartak Ljig në ndeshjen e kthimit e turit të dytë. Me të njëjtin rezultat që fituan edhe para një jave në Shqipëri, ekipi serb ka mposhtur skuadrën e drejtuar nga Ylli Tomorri.

Gjithsesi, duhet nënvizuar fakti se në ditën e djeshme paraqitja e kampionëve të Shqipërisë ishte më e mirë se ajo e para një jave, teksa ekipi është treguar më kërkues në parket duke rivalizuar për fitimin e setit të parë dhe të dytë.

Ndeshja

Seti i parë ka qenë tepër i rivalizuar në parket, me dy ekipet që i “treguan dhëmbët” që në fillim, madje ishin kampionët e Shqipërisë ata që morën komandën e lojës në pikët e para. Studenti u tregua më i saktë dhe tentoi të befasonte vendësit, duke udhëhequr deri në 8-12. Por gradualisht Spartak nis të rikuperojë. Si fillim, serbët barazuan rezultatin 15-15 dhe pas kaluan në epërsi duke shkëputur 20-17. Studenti tentoi të qëndronte në lojë, por në fund vendësit fituan setin me rezultatin 25- 23. Ekipi i Ylli Tomorrit ishte më kërkues edhe në startin e setit të dytë, por Spartak nuk u dorëzua dhe me kalimin e minutave rriti agresivitetin në parket. Pas barazimit 11-11, ishin vendësit që kishin një epërsi të lehtë, por pa u shkëputur dot. Studenti barazoi 18-18, një fragment loje, por serbët sërish avancuan 22-19 dhe fituan 25-21 setin e dytë. Ky disavantazh duket se demoralizoi disi ekipin tonë, që edhe pse luajti mirë, nuk kishte më ritmin e forcën e treguar në dy setet e para. Gabimet ishin të shumta, ndërsa volejbollistët e Spartak, të mbështetur edhe nga tifozët, kanë komanduar lojën deri në fund. Vendësit, pasi u shkëputën 5-3, 10-6, 13-9, 19- 14, fituan setin e tretë 25-16. Fitorja e djeshme i dërgon serbët në turin e ardhshëm, ndërsa Kampionët e Shqipërisë nuk arrijnë dot të thyejnë tabunë duke u larguar që në turin e parë nga kompeticionet europiane.

TOMORRI: “Pritje fantastike nga serbët”

Trajneri i Studentit, Ylli Tomorri, në përfundim të sfidës së djeshme ka vënë theksin te pritja fantastike që ju rezervua kampionëve të Shqipërisë në Serbi: “Jam i lumtur me rendimentin e ekipit. Loja ishte shumë e rivalizuar dhe me përmbysje të shpeshta rezultati. Lojtari më i mirë për ne ishte Qafarena. Ishte i jashtëzakonshëm, i papërmbajtshëm në parket. Sakaq, dua të falënderoj edhe kundërshtarin për pritjen fantastike që na rezervoi. Publiku u tregua korrekt, dashamirës dhe ‘fair play’, duke na duartrokitur që në fillim të lojës. Në mbrëmje kemi darkuar së bashku me kundërshtarin, i cili na ktheu reston për mikpritjen që i bëmë kur luajtën në Shqipëri”.

SPARTAK LJIG – STUDENTI 3-0

(25-23, 25-21, 25-16)

SPARTAK LJIG: Duduj, Todosijeviç, Periç, Gajeviç, Xhoçiloviç, Smiljaniç, Glaviniç, Arsenoski, Lazareviç, Milovanoviç, Radosavljeviç, Iliç. Trajner: B. Velickovic
STUDENTI: Kono, Qerraxhia, Tukseferi, Çali, L.Martiro, K.Martiro, Malaj, Gorenxa, Memia, Kasa, Rashketa, Qafarena. Trajner: Y. Tomorri
GJYQTARË: M.Horvath (Hun), L.Globacnik (Svk)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"