Statistikat e javës së 30-të të Kategorisë Superiore, goli më i bukur dhe gafa e javës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 12:04

Statistikat e javës së 30-të të Kategorisë Superiore, goli më i bukur dhe gafa e javës

Vetëm 4 gola janë shënuar në javën e 30-të të Superiores. Një nga javët më të dobëta të kampionatit, me një shifër shumë të ulët golash, as një gol për ndeshje dhe 50% e golave u shënuan vetëm në një ndeshje, Kukësi-Dinamo. Interesant është fakti se të 4 golat u shënuan në pjesët e dyta të ndeshjeve.

superiore renditja

Të gjitha pjesët e parë të 5 ndeshjeve përfunduan me të njëjtin rezultat, 0-0. Vetëm 4 skuadra arritën ta gjenin rrugën e rrjetës këtë javë dhe ato janë Kukësi, Dinamo, Laçi dhe Erzeni. Plot 6 skuadra nuk mundën të çonin topin në rrjetë. Dy kartonë të kuq janë dhënë nga arbitrat në këto ndeshje. Njëri në ndeshjen Erzeni-Egnatia për Spahiun e rrogozhinasve dhe tjetri në ndeshjen Skënderbeu-Tirana për Rabiu të korçarëve. Vetëm një penallti u dha në 5 ndeshjet e kësaj jave dhe ajo u humb nga Dejan Liço i Skënderbeut.

GOLI MË I BUKUR – Agim Zeka realizoi vërtet një eurogol në ndeshjen kundër Egnatias. Një veprim shumë i bukur teknik i sulmuesit të shijakasve, që i dha topit trajektoren e pakapshme nga ana e portierit Sherri, duke shkuar në trekëndësh. Përveçse mjaft i bukur, ishte edhe një gol shumë i rëndësishëm për Erzenin, sepse i ka dhënë 3 pikët që kanë rindezur shpresat e mbijetesës.

GAFA E JAVËS – Mehdi Çoba humbi një rast të pabesueshëm në ndeshjen me Partizanin. Sulmuesi i futur në fushë si zëvendësues i kishte të gjitha mundësitë të shënonte, duke qenë shumë afër portës së kuqe, por gjuajti lehtë dhe u ndal nga portieri Qirko. Një tjetër rast flagrant në atë ndeshje humbi një tjetër futbollist i Vllaznisë, Alivoda. Mesfushori humbi një penallti në lëvizje, duke ia përplasur topin portierit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"