Spektakël i Latifit në Laç, Skënderbeu fiton me goleadë (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2017 | 17:25

Spektakël i Latifit në Laç, Skënderbeu fiton me goleadë (Video)

Liridon Latifi ka udhëhequr Skënderbeut drejt një fitoreje të thellë 5-1 në Laç, duke konfirmuar se është ai lojtari që po mban mbi shpatulla korçarët në garën për titullin kampion në Superiore.

Mesfushori ishte i pandalshëm sot, me tre gola të shënuar dhe një asist që mbyllën shumë shpejt ndeshjen në favor të skuadrës së tij. Pakkush mendonte se ekipi korçar do të ishte kaq dominues në ndeshjen e sotme por Latifi me dy diagonale të sakta mposhti Selmanin e pastaj i dha mundësinë edhe Xhejms të shënonte për të mbyllur pjesën e parë me avantazhin e thellë 3-0 në pjesën e parë.

Në fillimin e të dytës, Latifi plotësoi tregolëshin personal në këtë sfidë. Ndonëse Mensah hapi duelin me një gol shumë të bukur, Laçi e nuk arriti të kthehej më në ndeshje dhe Salihi vulosi gjithçka me realizimin e tij pak minuta para fundit.

laci skenderbeu sokoli

MINUTË PAS MINUTE

90’+’2′ Pas dy minutave shtesë mbyllet ndeshja me shifrat 5-1 për Skënderbeun.

85’ Edhe Hamdi Salihi shkruan emrin e tij mes golashënuesve të sfidës. Sulmuesi merr një asist të artë nga Vangjeli dhe nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. 1-5.

82’ Shala shpërdoron mundësinë për të realizuar golin e dytë për skuadrën e tij pas një aksioni në të djathtën. Ai arrin të shmangë ndërhyrjen e portierit Shehi por pastaj godet rrjetën e jashtme të portës korçare.

75’ Harkim nga këndi i Nikës, Lushkja është i vetëm në zonë por nuk ka shënjestrën e duhur dhe goditja e tij me kokë përfundon jashtë kuadratit.

72’ Skënderbeu ka ulur ndjeshëm ritmin në këto minuta duke administruar avantazhin e thellë që ka.

68’ Harkim i Çelhakës për Mensah i cili provon të gjejë golin e dytë por nuk ka koordinimin e duhur këtë radhë.

63’ Lushkja përfiton nga një largim i gabuar i Jashanicës për të pasuar te Mensah i cili nuk gabon para Shehit. 1-4

51’ 4-0. Përsëri Latifi. I pakapshëm mesfushori i Skënderbeut që shkëputet drejt zonës dhe pasi shtrin në tokë mbrojtësin e portierin, dërgon sferën në rrjetë.

46’ Pjesa e dytë fillon me një tjetër zëvendësim te Laçi, ku Fangaj zë vendin e Jonuzit.

45′ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e thellë të Skënderbeut.

43’ 0-3. Superlëvizje e Latifit që merr topin në mesfushë dhe jep një pasim perfekt për Xhejms, i cili  nuk gabon para Selmanit dhe më pas preferon të mos festojë para ish-skuadrës së tij. Praktikisht ndeshje e mbyllur në Laç ku tifozët vendas fillojnë të braktisin stadiumin.

36’ Sinella korrigjon rreshtimin e skuadrës së tij duke larguar Musajn për të hedhur në fushë Çelhakën.

34’ Top në qendër nga e majta e Shalës, Nika shpërdoron duke mos devijuar në kuadrat edhe pse vetëm pak hapa larg portës.

30’ Ndërpritet për pak çaste ndeshja në Laç, pas ofendimeve dhe gjuajtjeve me sende nga tribuna pas pankinës së Skënderbeut.

29’ 0-2. Gavazaj bën gjithçka mirë me një lëvizje diagonale në mesfushë dhe pasi sheh Latifin në të majtën, pason te mesfushori i cili kishte shumë hapësirë para tij. Futbollisti nuk fal dhe me një gjuajtje perfekte dërgon topin në rrjetë për të dytën herë.

25’ Provojnë me radhë disa futbollistë të Laçit të gjejnë rrjetën. Jonuzi, Mensah, Shala e Lushkja gjuajtën radhazi drejt katërkëndorit të korçarëve, por pa arritur të gjejnë katërkëndorin, të ndalur nga mbrojtja korçare. Në fund është Lushkja që shpërdoron me një gjuajtje ballore që kalon mbi traversë.

17′ 0-1, Latifi i vjedh topin mbrojtësit kundërshtar në të majtë të sulmit dhe pasi hyn i vetëm në zonë, lëshon një gjuajtje të pakapshme për Selmanin.

15’ Pas një aksioni të gjatë të vendasve, topi përfundon te Nika i cili gjuan në pozicion ballor me portën, por sfera kalon pak mbi kuadrat.

14’ Protesta në stadium pas një kontakti mes Radas dhe Shalës pranë zonës së rreptësisë së korçarëve të cilën gjyqtari Sokoli e cilëson të rregullt.

8’ Mensah duket futbollisti më i rrezikshëm në radhët e Laçit me shpërthimet e tij në mesfushë, por mbrojtja e korçarëve është e vëmendshme dhe e bllokon futbollistin sapo i afrohet zonës së rreptësisë.

5’ Vijërojtësi ndal Salihin i cili po shkonte drejt portës duke sinjalizuar për pozicion jashtë loje shumë të diskutueshëm.

3’ Tre goditje nga këndi radhazi krijojnë pak panik në mbrojtjen e Laçit, me Selmanin që largon menjëherë çdo rrezik nga katërkëndori i tij.

1’ Skënderbeu nis topin e parë nga mesi i fushës.

laci skenderbeu

Laçi-Skënderbeu 1-5
63′ Mensah / 17′, 29′, 51′ Latifi, 43′ Xhejms, 85′ Salihi

Laçi: Selmani, Musaj (36′ Çelhaka), Qaqi, Gjoni, Shala, Nika, Lushkja, Jonuzi (46′ Fangaj), Sefgjini, Vucaj, Mensah

Trajner: Bledar Sinella

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Osmani (71′ Malaj), Orelesi (80′ Nimaga), Xhejms, Gavazaj (62′ Predesku), Latifi, Salihi

Trajner: Ilir Daja

KV: Vucaj, Shala, Çelhaka / Xhejms. Mici

Gjyqtar: Olsi Sokoli

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"