Skënderbeu mund Bylisin dhe fiton Daniel Xhafajn me dy gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2011 | 11:55

Skënderbeu mund Bylisin dhe fiton Daniel Xhafajn me dy gola

Skënderbeu-Bylis 3-2
Xhafaj 13′, 71′, Tahirllari 35’/ Koreshi 85′, Dimo 86′
SKËNDERBEU: Shehi, Biskup, (Kërçiku 59′)( Gvozdenoviç 89′), Radas, Vrapi, Arapi, Orelesi, Allmuça, Muzaka (Fagu 84′), Shkëmbi, Tahirllari, Xhafaj. Trajner: S.Levi
BYLIS: Frashëri, Idrizi, Shoshi, Teqja, Ristevski, Kule, Koreshi, Gega (Rapaj 46′), Ëashington, Dimo, F.Xhafa (Asllani 56′).
Trajner: N.Shansoji
KARTONË TË VERDHË: Frashëri 11′, Dimo 37′, Rapaj 90′
GJYQTARET: R.Sadiku, D.Rexha, G.Qirici (Tiranë)

MINUTAT
9′ Një pengim ndaj Tahirllarit në zonë gjatë një aksioni,
Skënderbeu fiton penallti. Ekzekutimin e merr përsipër
Shkëmbi, por për fat të keq nuk e shndërron në gol pasi
pret Frashëri.
13′ Xhafaj, pas një gjuajtje tokazi e çon topin drejt e në
rrjetë dhe 1-0.
17′ Shkëmbi me të djathtën e tij ekzekuton një gjuajtje
ballore, por pret portieri Frashëri.
18′ Xhafaj bën një “vizitë” të rrezikshme në zonë, por topi
largohet nga portieri i ballshiotëve.
22′ Tahirllari godet në zonë, topi largohet në kohë nga
gardiani Frashëri.
23′ Orelesi pas një krosi nga e majta gjuan me kokë, por
topi përfundon jashtë kuadratit.
31′ Tahirllari i gjendur brenda zonës kroson, por topi mbi
tranversë.
35′ Sërish Tahirllari, por këtë herë është deciziv. Pas një
topi të shërbyer nga Allmuça gjuan me kokë duke dyfishuar
rezultatin.
36′ Dimo gjuan në zonë, por portieri Shehi largon rrezikun.
71′ Bomberi vlonjat, Daniel Xhafaj, i gjendur i vetëm
përballë Frashërit, pas një inkursi shënon golin e dytë
personal dhe të tretin e takimit.
85′ Koreshi, i vetëm në zonë gjen një hapësirë dhe shënon
golin e parë për miqtë.
86′ Dimo sjell golin e dytë pas një aksioni individual, por
vetëm sa shkurton diferencën.
Skënderbeu vazhdon të shkëlqejë, thyen 3- 2 Bylisin në shtëpi dhe kap vendin e tretë në renditje. Javë pas jave, skuadra e drejtuar nga çeku Stanislav Levi është duke u bërë edhe më e fortë, ndërsa tashmë ka hyrë në zonën e nxehtë të renditjes. Mirëpo, nga ana tjetër përveçse ekipi është rikthyer, Skënderbeu ka fituar dhe sulmuesin më të mirë në Shqipëri, Daniel Xhafajn, i cili në takimin e djeshëm ndaj ballshiotëve shënoi një dopietë duke qenë njëherësh një nga protagonistët kryesorë të kësaj sfide. Bomberi vlonjat ashtu siç kishte deklaruar disa ditë më parë e ka mbajtur premtimin për golat, ndërsa duke dashur të fitojë kohën e humbur shënon jo nga një, por nga dy të tillë. Ndërsa nga ana tjetër, djemtë e Shansojit ndonëse janë munduar të marrin qoftë edhe një pikë nuk kanë mundur dot.
Pjesa e parë Korçarët kanë treguar epërsi të dukshme gjatë gjithë kohës, ndonëse kanë gabuar në fillim kur nuk kanë arritur të kthejnë në avantazh ndeshjen, pas një penalltie të fituar në minutën e 10-të. Mirëpo enigmat janë zgjidhur shpejt, ku Daniel Xhafaj ka shënuar golin e avantazhit në minutën e 13-të. Në Korçë, golin e sulmuesit e kanë festuar të gjithë, ndërsa pas këtij momenti lojtari nuk është ndalur më për të forcuar fitoren e bardhekuqve, që ishte shumë më tepër se e rëndësishme. Në minutën e 17-të, edhe kapiteni Bledi Shkëmbi, i cili duket se nuk ia fal vetes humbjen e penalltisë, ka pasur një tjetër rast të artë për të shënuar, por portieri korçar i Bylisit, Stivi Frashëri, nuk ka lejuar prekjen e rrjetës. Rastet e bardhekuqve kanë qenë të  shumta ashtu si dhe mundësitë për të shënuar përsëri. Ndërkohë që gjatë pjesës së parë duket se zbritjet e ballshiotëve në gjysmë fushën e vendësve kanë qenë të pamundura. Në fakt, edhe i riu Atnant Tahirllari dëshiron të bëjë diçka me tepër se sa qenia në lojë dhe arrin të shënojë golin e dytë në minutën e 24-t, pasi ka përdorur si duhet një top të ardhur në adresë të tij nga Allmuça. Pjesa e parë ka vijuar dhe me disa aksione të rrezikshme të vendësve, por nuk ka dhuruar më gola.
Pjesa e dytë Në fraksionin e dytë të lojës ballshiotët kanë tentuar të vijnë ndryshe, por kanë shfaqur shenja lodhje, edhe për vetë kushtet e rendura klimaterike, të shoqëruara me reshje shiu. Në minutën e 71, sulmuesi Daniel Xhafaj ka shënuar edhe golin e tretë për skuadrën e tij dhe të dytin personal. Delir te vendësit, shokohen miqtë. Ndërsa korçarët janë ndierë të vetëkënaqur dhe në epërsi absolute janë dashur vetëm 60 sekonda që ballshiotët të shënojnë, jo një, por dy gola. Një moment dobësie i bardhekuqve, të cilët e kishin siguruar fitoren, i ka ndëshkuar ata me dy gola të njëpasnjëshëm. Në të 85-ën është Koreshi, i cili ka gjetur një korridor dhe ka shënuar, ndërsa vetëm 1 minutë më pas Dimo me një aksion individual shënon golin e dytë, duke ngushtuar rrezikshëm rezultatin. Kaq është dashur që sinjalet e alarmit të ndizen të forta nga vendësit, të cilët janë hedhur të gjithë në mbrojtje duke krijuar një mur të pakalueshëm për lojtarët miq. Minutat e mbetura nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim rezultati, kështu korçarët marrin një tjetër trepikësh të çmuar për ecurinë e tyre.

MË I MIRI
Sulmuesi i Skënderbeut, Daniel Xhafaj, ka qenë pa dyshim lojtari më i mirë në takimin e djeshëm. Jo vetëm për golat e shënuar, por ai u kthye në një rrezik për mbrojtjen ballshiote. Xhafaj, i cili po kërkon të rikuperojë tashmë ndeshjet pa gol, duket se është rikthyer në ditët e veta më të mira. Madje, një gjë e tillë e ka kënaqur edhe teknikun Levi.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtësi i Bylisit, Kire Ristevski, ka qenë lojtari më pak aktiv në takimin e djeshëm ndaj kampionit në fuqi, Skënderbeut. Ndonëse pritej shumë prej tij, ai ishte hija e vetvetes duke mos qenë në lartësinë e duhur. Pavarësisht paraqitjes jo të mirë, trajneri i Bylisit, Naxhi Shansoji, nuk preferoi ta zëvendësonte.

Levi: Fituam, por humbëm mjaft raste për shënim
Trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, ka përgëzuar skuadrën për fitoren e arritur dje ndaj Bylisit duke e cilësuar atë si shumë të rëndësishme për momentin. Sipas Levit skuadra e drejtuar prej tij pati epërsi të dukshme në fushën e blertë, çka u finalizua me tri pikë të arta në tabelën e renditjes. Gjithashtu në postndeshjen kreu i bardhekuqve shprehu keqardhjen për rastet e shumta që humbën të tijtë përballë kuadratit kundërshtar. “Kemi arritur një fitore të rëndësishme, ndërsa është komplikuar një ndeshje pa qenë e nevojshme. Kishim epërsi në lojë ashtu si kishim shanse të shumta për të shënuar. Kjo fitore ka qenë ajo që prisnim, ndërsa tani na duhet të mendojmë për sfidat e radhës, ku pa dyshim objektivat nuk ndryshojnë dhe ajo që kërkojmë janë vetëm fitoret”, u shpreh për mediat pas takimit të djeshëm, i vlefshëm për javën e 11-të të kampionatit.

Shansoji: Korçarët e merituan, na vunë nën presion
Trajneri i Bylisit, Naxhi Shansoji, pranoi superioritetin e vendësve. Sipas teknikut të ballshiotëve, Skënderbeu gëzon një formë shumë të mirë fizike dhe mbetet një nga pretendentët për fitimin e titullit kampion. Njëherësh Shansoji përgëzoi edhe trajnerin e Skënderbeut për punën që ka bërë në krye të bardhekuqve nga dita e mbërritjes në Korçë. “Fitorja e Skënderbeut ishte një fitore me meritë. Fatkeqësisht neve na takoi të përballeshim me këtë skuadër në kohën kur ky ekip është në performancën më të lartë të tij. Forma fizike e skuadrës është shumë e lartë dhe për të sigurisht duhet komplimentuar trajneri Levi, i cili për një kohë të shkurtër ka arritur të sjellë skuadrën në një gjendje kaq të mirë. Sipas opinionit tim është më mirë të jesh një pretendent i fshehur për kreun e kampionatit si Skënderbeu se sa si Teuta dhe Tirana”, deklaroi Shansoji.
ALBANA ÇAKSHIRI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"