Situatë kaotike te Luftëtari, Çoçlli thuajse i larguar. Shpërthen ish-kapiteni Çoni: Klubi drejtohet nga të papërgjegjshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2020 | 9:04

Situatë kaotike te Luftëtari, Çoçlli thuajse i larguar. Shpërthen ish-kapiteni Çoni: Klubi drejtohet nga të papërgjegjshëm

Luftëtari ka prekur fundin. Humbja e radhës në Shkodër dhe për më tepër me shifrat 4-0 nuk lë asnjë dyshim se skuadra ka prerë biletën për një kategori më poshtë. “Panorama Sport” mëson se sot, sipas të gjitha gjasave, trajneri Nikolin Çoçlli do të shkarkohet. Pritet që deri në fund të sezonit skuadtra të drejtohet nga Neritan Novi. Në Gjirokastër janë të trishtuar për mënyrën se si po menaxhohet klubi nga drejtuesit, duke regjistruar rezultatet më të dobëta në historinë e Luftëtarit në elitën e futbollit. 

coclli-2

Dje për gazetën ka folur ishkapiteni i bluzinjve në vitet ’90, Arben Çoni, i cili ka një lumë kritikash, duke filluar nga drejtuesit, stafi dhe lojtarët. “Është për të ardhur keq që Luftëtari preku fundin, rënien në Kategorinë e Parë. Unë një gjë mund t’ia them me gojën plotë ekipit: A e dinë këta lojtarë cilën fanellë përfaqësojnë? Nga Luftëtari kanë dalë yje, lojtarë që kanë përfaqësuar ekipet kombëtare. Të humbësh ndaj Vllaznisë nuk është turp, por të pësosh katër gola amatoreskë, të vjen keq. Kam ndjekur me vëmendje çdo ndeshje dhe asnjëherë s’kam parë në fushë një formacion stabël”.

arben coni

“Trajneri dhe të tjerët nuk e kanë luksin të aktivizojnë lojtarë të ndryshëm, ndeshje pas ndeshjeje. Pse? Sepse këta lojtarë nuk mbajnë dot peshën dhe forcën e Superiores. Luftëtari s’kishte nevojë në janar të afronte lojtarë të rinj, përkundrazi, i duheshin elementë me përvojë, të aftë për të bërë diferencën. Në këto kushte, një lojtar që luan në një ndeshje nuk luan ndeshjen tjetër. Në mendimin tim, papërgjegjshmëria e drejtuesve aktualë bën që Luftëtari të ketë këto rezultate. Luftëtarit i mungon shtylla kurrizore dhe në këto kushte stafi teknik bën eksperimente për të ardhmen, në dëm të rezultateve. Nuk kam fjalë më shumë për të thënë se nuk ndihem aspak mirë kur një qytet i tërë është pa gojë kur flitet për Luftëtarin. Po luhet me emrin dhe stemën e Luftëtarit”, u shpreh me indinjatë ish-kapiteni Çoni për “Panorama Sport”. Nga sot ekipi nis përgatitjet për ndeshjen e radhës, ku presin Laçin në shtëpi.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"