Shtohet optimizmi te Egnatia, Ymeralilaj: Ndaj Partizanit dua të jem vendimtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2022 | 22:18

Shtohet optimizmi te Egnatia, Ymeralilaj: Ndaj Partizanit dua të jem vendimtar

Kur përballja me Partizanin në shtëpi është në prag, në kampin rrogozhinas po i kushtojnë rëndësi maksimale përgatitjeve për këtë sfidë. E gjithë ecuria e seancave të deritanishme ka qenë me plot ritëm e kushdo po punon intensivisht. Franc Ymeralilaj foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku theksoi se ndjehet mirë tek Egnatia dhe në përballjen e radhës mendohet vetëm triumfi.

ymeralilaj

PËRGATITJET – “Që të gjithë ne e dimë se do të jetë një përballje e vështirë si gjithë të tjerat deri tani në kampionat. Kemi bërë një fazë përgatitore të mirë në çdo drejtim dhe kemi përfituar shumë gjëra pozitive. Na janë rikthyer shumë lojtarë, që na mungonin. Jemi gati të marrim maksimumin ndaj Partizanit me gjithë respektin që kemi për ta. Ne vijmë pas asaj fitorjee të fundit të vitit të kaluar ndaj Teutës e na duhet të vijojmë rezultatet pozitive. Të gjithë kemi mendimin se do ia dalim shumë mirë e në fund të festojmë”.

OBJEKTIVI – “Egnatia ka synimet e saj duke qenë se luan përballë tifozëve të saj e nuk duhet të gabojë. Mbështetja e tifozëve do të jetë një plus më vete. Nisja e mbarë për këtë vit na jep shansin të ngjisim disa shkallë në renditje”.

ROLI NË FUSHË – “Si mbrojtës i djathtë është roli im normal. Jam ndjerë shumë mirë gjithmonë. Stërvitem shumë që si mbrojtës krahu të jap rezultatin e kërkuar nga stafi. Por edhe si qendërmbrojtës, siç kam luajtur në përballjet e fundit, nuk është shumë problem”.

MBROJTJA “E HEKURT” – “Trajneri na udhëzon që të bëjmë mirë në çdo rast. Kërkohet që të komunikojmë brenda lojës dhe të rreshtohemi ashtu siç duhet. Pastaj, nga ana tjetër çdokush duhet të bëjë punën e tij ashtu siç i kërkohet brenda fushës. Çdo repart ka rëndësinë e vet. Unë premtoj më të mirën duke qenë i motivuar për fanellën e besuar”.

GOL NDAJ “DEMAVE”? – “Goli është diçka e veçantë, të jep shumë stimul. Nëse shënoj me Partizanin, do të jetë e veçantë. Nuk e parandiej, por dua ta dedikoj më pas. Uroj që të jem vendimtar”, tha Ymeralilaj.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"