Shkodrani Vucaj “ndez” garën për ngjitjen: Nuk kam asnjë merak! Rivalë? Vetëm veten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2023 | 18:11

Shkodrani Vucaj “ndez” garën për ngjitjen: Nuk kam asnjë merak! Rivalë? Vetëm veten

Erjon Vucaj nuk sheh rivalë. Edhe pse i cilëson që të gjitha skuadrat e forta, ai mendon se Flamurtari është një hap para. Shkodrani nuk ka asnjë merak për ngjitjen, pasi sheh që vlonjatët janë në rregull me veten e tyre.

Vucaj

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, 32-vjeçari tregon se skuadra është harmonizuar gjatë fazës përgatitore në Korçë dhe se tashëm u kanë mbetur vetëm disa gjëra të vogla për të rregulluar.

Vucaj, si shkoi faza përgatitore në Korçë?

Në përgjithësi ka shkuar shumë mirë. Përveç temperaturave optimale në Korçë, kushtet shumë të mira na kanë shërbyer edhe për harmonizimin e ekipit. Kjo është shumë e rëndësishme. Jemi shumë te kënaqur me punën që kemi bërë.

Personalisht po përshtateni me skuadrën?

Patjetër që po. Ne jemi lojtarë profesionistë dhe kjo është tashmë puna jona prej vitesh. Thjesht më duket vazhdimi i viteve më parë. Dua të them që te pjesa e përshtatjes, çdo gjë ka shkuar shumë mirë.

Si një lojtar me eksperiencë që jeni, ju bind kjo skuadër e krijuar?

Ekipi deri tani është stërvitur mirë dhe me seriozitet. Mund të them se dita-ditës do të vazhdojmë të punojmë dhe të rregullojmë ato gjëra të vogla, që mund t’i kemi bërë gabim, me qëllim që të jemi gati dhe në gjendje sa më të mirë për startin e kampionatit.

E shikoni si një garë që do të jetë e vështirë?

Përderisa është garë, normalisht që është e vështirë. Por e rëndësishme është që ne të bëjmë punën tonë dhe të respektojmë veten në radhë të parë. Patjetër që duhet të respektojmë edhe fanellën e klubit. Nëse bëjmë kështu, unë besoj dhe shpresoj që ne do të arrijmë objektivin.

Kë shikoni si rival?

Te them të drejtën të gjithë janë rivalë të fortë për mua. Por rivali më i fortë është vetja jonë. Nëse jemi ne OK, nuk kam asnjë merak tjetër.

Si po ndiheni në Vlorë tani me rikthimin tuaj?

Padyshim që ndihem shumë mirë dhe si në shtëpinë ime. Ekipi në përgjithësi është me djem të rinj, që e duan sportin dhe që janë shumë punëtorë. Kjo na bën të ndihemi edhe më mirë.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"