Shkak bëhen paratë, ish-mesfushori i Tiranës prish kontratën me Flamurtarin pas dy javësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2023 | 17:39

Shkak bëhen paratë, ish-mesfushori i Tiranës prish kontratën me Flamurtarin pas dy javësh

Andri Stafa largohet nga Flamurtari pa e provuar zyrtarisht aventurën me vlonjatët. Mesfushori nga Tirana u prezantua si blerja më e re e kuqezinjve më 18 korrik. Mbajti veshur fanellën vlonjate vetëm në dy miqësore, atë me Bylisin dhe Lushnjën, ndërsa i ndau shumë shpejt rrugët me Flamurtarin edhe pse në prezantim tha se e bindi projekti madhor i klubit.

stafa

“Panorama Sport”, mëson se shkak i divorcit të Stafës me kuqezinjtë janë bërë paratë. 21-vjeçari ka kërkuar lekët paradhënie, por klubi i ka thënë që të presë edhe disa ditë, por Stafa mesa duket nuk ka qenë dakord. Ai ka vendosur si kusht lekët për të udhëtuar drejt Korçës në fazën përgatitore. E ndërsa drejtuesit e klubit nuk i janë përgjigjur, ai jo vetëm që nuk ka udhëtuar dje me skuadrën, por ka prishur edhe kontratën me klubin në mënyrë të menjëhershme, duke kërkuar tërheqjen e letrave. Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e Flamurtarit nuk i kanë sjellë pengesa, por e kanë lënë të lirë.

KONFIRMIMI – I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Andri Stafa ka sqaruar shkaqet e këtij largimi të beftë nga Flamurtari pa filluar mirë punën. Mesfushori thotë se kishte rënë dakord për pjesën e financave, por klubi i ka vonuar likuidimin dhe se nuk pati reagim edhe pas afatit 10-ditor të lënë prej tij. “Nga sot (dje) nuk jam lojtar i Flamurtarit. Kam prishur kontratën me klubin. Kishim rënë dakord për disa gjëra. Nuk m’u realizuan ato që kërkoja dhe në këto kushte e ndërpremë bashkëpunimin. Drejtuesit e klubit më kërkuan vetë dhe ishte dëshira e tyre që unë të vija në Vlorë.

Madje, kishim rënë dakord edhe për pjesën ekonomike dhe të gjitha të tjerat, por m’i vonuan. I prita 10 ditë, por nuk m’u përgjigjën. Më thanë të pres akoma, por nuk isha dakord. Në këtë situatë ndërpreva kontratën”, sqaron Stafa, që tashmë do të jetë në pritje të ofertave të tjera. “Sot (dje) sapo u ndava me Flamurtarin. Për momentin nuk kam ndonjë ekip, por patjetër që do të jem në treg”, përfundon ai. Edhe pse i ri, Stafa është aktivizuar me skuadra të njohura, si Tirana, Burreli dhe Llapi në Kosovë. Gjasat janë që karrierën ta vijojë te Vllaznia ose Erzeni, të cilat e kërkuar përpara se të transferohej në Vlorë.

PRECEDENTËT – Flamurtari ka disa precedentë largimesh të lojtarëve apo trajnerëve pa filluar mirë sezoni ose dhe në javët e para. Arsyet kanë qenë nga më te ndryshmet. Kujtojmë se më 5 tetor 2021 klubi largoi Aladin Sallakun. Sulmuesi 26-vjeçar u përjashtua pa u luajtur java e tretë për shkak të temperamentit impulsiv që kishte, të paktën kështu u tha në atë kohë. Një situatë të tillë e ka provuar edhe ish-trajneri Marcelo Troisi. Më 1 nëntor 2019, Troisi do të hante drekën në Vlorë me ekipin, por do të largohej në darkë. Shkak ishte mungesa e licencës “UEFA PRO”. Pasi mori atë, braziliani erdhi në Vlorë, ku drejtoi pankinën për dy sezone.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"