Probleme për Kastriotin, ndaj Partizanit mungon një nga liderët e mesfushës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2022 | 21:46

Probleme për Kastriotin, ndaj Partizanit mungon një nga liderët e mesfushës

Me kalimin në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, ku në raundin tjetër krutanët do të përballen me Dinamon, atmosfera në skuadrën e Çelës është e mirë. Kjo atmosferë pozitive ka vijuar që pas ndeshjes së fituar me përmbysje ndaj Teutës në kampionat, fitore që u dha krutanëve pak frymëmarrje, duke u larguar përkohësisht nga dy vendet e fundit.

Xhuljo-Mehmeti-

Pavarësisht kësaj, ekipi ka vijuar normalisht përgatitjet për përballjen e fundjavës në kampionat ndaj Partizanit. Kjo ndeshje do të luhet të dielën në orën 17:45 në “Elbasan Arena” dhe për krutanët është një përballje e rëndësishme dhe mjaft e vështirë, në të cilën krutanët do të tentojnë të marrin rezultat pozitiv, duke qenë se skuadra po kalon një moment të mirë. Megjithatë, jo gjithçka ka shkuar mirë, pasi për këtë ndeshje krutanët do të udhëtojnë pa një prej lojtarëve më të rëndësishëm të këtyre javëve të para, Xhulio Mehmetin.

Mesfushori ka pësuar një dëmtim së fundmi dhe për ndeshjen me të kuqtë konsiderohet mungesë e sigurt. Pjesa tjetër është e gjitha në dispozicion të stafit teknik. Në përballjet mes tyre në sezonin e shkuar, krutanët kanë arritur të fitojnë një ndeshje me të kuqtë, ndërsa kanë barazuar një tjetër dhe janë mundur në dy përballje.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"