MOVIOLA E JAVËS SË 34-T E SUPERIORES/ Koçi konfuz, Jorgji dhe Xhaja të saktë te “penalltitë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 12:30

MOVIOLA E JAVËS SË 34-T E SUPERIORES/ Koçi konfuz, Jorgji dhe Xhaja të saktë te “penalltitë”

Java e 34-t e Superiores nuk pati probleme të mëdha sa i takon gjykimit, gabime që të ndikonin në rezultatin e ndeshjeve. Jorgji e Xhaja kanë vepruar drejt në rastet e penalltive të pretenduara nga Vllaznia e Laçi. Koçi nuk ishte në ditën më të mirë në Partizani-Skënderbeu.

partizani-skenderbeu

VLLAZNIA-DINAMO 1-0

Gjyqtarë: E.Jorgji, D.Rexha, R.Çokaj; VAR: O.Yzeiraj, AVAR: A.Beqiraj

Ndeshja në Shkodër është gjykuar nga ndërkombëtari Enea Jorgji dhe pati dy raste, ku Vllaznia pretendoi për penallti. Sipas arbitrit dhe VARit, në asnjërin prej tyre vendësit nuk kishin të drejtë. Pamjet e këtyre rasteve u japin të drejtë gjyqtarëve.

19′ Balaj rrotullohet mirë brenda zonës së vogël, godet fort dhe topi, pasi përplaset në këmbët e portierit Sali, shkon te dora e Hoxhës, por që është ngjitur me trupin dhe Jorgji vazhdon lojën. As VAR-i nuk ndërhyn në këtë moment, duke i dhënë të drejtë gjyqtarit kryesor.

77′ Protesta te Vllaznia për një pengim në zonë të Grudës nga ana e Lorran, por sërish për Jorgjin dhe Yzeirajn në VAR nuk ka kontakt për të akorduar 11-metërsh. Pamjet tregojnë se sulmuesi shkodran tenton të “vjedhë” një 11-metërsh, pasi mbrojtësi kundërshtar nuk ndërhyn. Vendim i drejtë i Jorgjit dhe VAR-it.

LAÇI-TIRANA 1-0

Gjyqtarë: J.Xhaja, A.Zalla, R.Avdo (Tiranë); VAR: K.Bajramaj (Tiranë), AVAR: I.Myrtja (Shkodër)

Ndeshjen Laçi-Tirana e ka gjykuar një arbitër i FIFA-s, Juxhin Xhaja. Në këtë sfidë ka pasur vetëm një rast të diskutueshëm në fillim, ku Xhaja, i ndodhur shumë pranë, nuk ka dhënë 11-metërsh dhe vendimi i tij ka qenë i drejtë. Ndoshta mungon një karton i verdhë për Najdovskin, për një ndërhyrje në pjesën e parë, por pa ndikim në rezultat në tërësi.

10’ Kurbinasit pretendojnë për penallti, por gjyqtari Xhaja vazhdon lojën. Hoxhallari fut këmbën dhe i heq topin Sobouejllit. Sulmuesi i Laçit rrëzohet në zonë dhe kërkon penallti, ndërsa gjyqtari nuk mendon kështu, duke e konsideruar ndërhyrjen të pastër. Vendimi është i drejtë, sepse lojtari i Tiranës i ka larguar topin kundërshtarit.

TEUTA-EGNATIA 1-0

Gjyqtarë: E.Bastari, G.Cenolli, E.Mehmetaj (Tiranë); VAR: K.Cjapi, AVAR: I.Tartaraj (Fier)

Përballja mes Teutës dhe Vllaznisë u gjykua nga kryesori Erjon Bastari me asistentët Cenolli dhe Mehmetaj, ndërsa në VAR mbikëqyrnin Cjapi dhe Tartaraj. Një episod ishte nga kjo ndeshje për moviolë dhe ky rast u regjistrua në pjesën e parë.

15’ Teuta shënon golin e dytë me Llocin. Pas një krosi në zonë, topi shkon te lojtari i Teutës, i cili e ka të lehtë ta dërgojë në rrjetë nga fare pranë. Është gol për kryesorin Bastari dhe anësorin, por lojtarët e Egnatias protestojnë, duke kërkuar pozicion jashtë loje. Duhet ndihma e VAR-it dhe Cjapi nga dhoma e teknologjisë e bën të pavlefshëm golin.

PARTIZANI-SKËNDERBEU 1-0

Gjyqtarë: A.Koçi (Durrës), A.Koçiaj (Tiranë), H.Lisaku (Durrës); VAR: F.Lata (Durrës), AVAR: E.Rusta (Elbasan)

Ndeshja mes Partizanit dhe Skënderbeut u gjykua nga kryesori Andi Koçi. Ai nuk ndikoi direkt në rezultatin e ndeshjes, por në tërësi kishte disa hezitime të tij për kartonë të verdhë, por edhe gabime në dhënien e faulleve, kryesisht në favor të vendësve.

16’ Rrapaj hyn në zonë me topin në këmbë, por Merlim e ndal. Ka pretendime për penallti, por Koçi me të drejtë vijon lojën, pasi lojtari i korçarëve heq topin dhe nuk vepron në dëm të mesfushorit të Partizanit.

45+1’ Xhantu mësyn drejt zonës, por ndalet me sparkatë nga Sota dhe Murataj. Gjyqtari Koçi vijon lojën, teksa ka protesta nga korçarët. Pamjet tregojnë për ndërhyrje të gabuar të Sotës, por faulli ka ndodhur jashtë zonës dhe VAR nuk ndërhyn dot për penallti. Në rastin më të mirë, Sota meritonte karton të verdhë. Gabim i gjyqtarit Koçi, në një moment kur Xhantu mbeti i dëmtuar për shkak të ndërhyrjes.

47’ Sota ndal Xhantu, teksa sulmuesi i drejtohej zonës. Koçi vijon lojën, por lojtari i korçarëve mbetet i dëmtuar. Edhe në këtë rast ka pengim ndaj sulmuesit dhe duhej karton ndaj Sotës.

53’ Skuka kalon Merlim dhe niset rrezikshëm nga e majta. Lojtari i Skënderbeut i shkakton faull teknik, por Koçi nuk e ndëshkon, duke e falur, ndoshta si për të kompensuar gabimet e mëparshme.

57’ Partizani shënon me Skukën, por arbitri anësor e anulon për pozicion jashtë loje. Vendim i drejtë i asistentit.

64’ Janaqi vendos dorën mbi supin Rrapajt në brendësi të zonës dhe vlonjati rrëzohet. Partizani kërkon penallti, por kontakti duket shumë i lehtë për një masë të tillë, me Koçin, që i konsultuar edhe me VAR-in, vijon lojën.

ERZENI-KUKËSI 3–3

Gjyqtarë: K.Prenga (Laç), D.Korreshi, E.Malo (Lushnjë); VAR: S.Dyrmyshi (Elbasan), AVAR: E.Gançi (Elbasan)

Kryesori Prenga ishte në lartësinë e duhur në ndeshjes mes Erzenit dhe Kukësit. Në dy episodet e diskutueshme të këtij 90-minutëshi ai ka marrë vendimet e sakta.

22’ Blazeviç i shpëton mbrojtjes dhe del i vetëm me Rrokun, duke shënuar. Arbitri në fushë e akordon gol, por ka një dyshim për pozicion jashtë loje. Nga pamjet duket që lojtari ka qenë në pozicion të rregullt, ndaj dhe VAR u jep të drejtë gjyqtarëve në fushë.

82’ Hasanbelli ndërhyn ndaj Hasajt, me sulmuesin që fiton kohën dhe prek topin i pari. Portieri prek këmbën e lojtarit dhe duket një vendim i drejtë i gjyqtarëve në fushë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"