Vezë Pashke para Laçit, ish-sulmuesi Xhambazi: Skënderbeu ka potencial, e kap “Final 4”!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 12:52

Vezë Pashke para Laçit, ish-sulmuesi Xhambazi: Skënderbeu ka potencial, e kap “Final 4”!

Pavarësisht humbjes së fundit në kampionat atmosfera në kampin e Skënderbeut është mjaft pozitive. Festa e Pashkës ka sjellë një tjetër nuancë ngjyrash në juglindje dhe në ekipin bardhekuq.MixCollage-07-May-2024-12-50-PM-8087Urimet për Pashkë dhe çarja e vezës së kuqe kanë krijuar një situatë fantastike në kampin korçar. Ka qenë mjeku fizioterapist Jorgo Pantazi, i cili ka sjellë vezët e dedikuara për çdo pjesëtar të ekipit, që feston Pashkën dhe në fund duket se fati i ka buzëqeshur trajnerit Ivan Gvozdenoviç me vezën e tij, që ka dalë më e forta nga pjesa tjetër e ekipit.

Mes urimeve të Pashkës kanë ardhur edhe lutjet për një rezultat pozitiv në dy ndeshjet e fundit, që përkon edhe me mundësinë e kapjes së vendit të katërt në renditje dhe për pasojë, përfshirjen në fazën finale të kampionatit. Gara në këto momente pas rezultateve të javës që sapo u mbyll është bërë e fortë dhe ambiciet në kampin korçar janë rritur shumë. Mjaftojnë dy fitore dhe një ndalesë e Dinamos për të marrë atë që është ëndrra në sirtar e të gjithëve në Korçë. Ndaj edhe për këtë, përgatitjet po zhvillohen intensivisht për të qenë gati për ndeshjen e mesjavës në kampionat kundër Laçit, e fundit në shtëpi për këtë sezon.

XHAMBAZI – Në Korçë shpresojnë shumë te përfshirja e ekipit në katër vendet e para të këtij sezoni. Këtë mendim shpreh edhe specialisti i futbollit, njëkohësisht “ish”-i bardhekuq. Dhimitraq Xhambazi. Një prej emrave më të njohur të futbollit në juglindje beson se do të jetë Skënderbeu, skuadra që do të kapë vendin e fundit, që të çon në “Final 4”. Madje ish-sulmuesi shkon më tej kur thotë se nëse Skënderbeu arrin vendin e katërt, do të shkojë të paktën deri në finale të titullit kampion.

“Pas rezultateve të fundit, gara për vendin e katërt është bërë shumë e fortë, aq sa janë shumë ekipe që e shohin si të arritshme diçka të tillë. Duke u nisur nga rezultatet dhe forma që po kalojnë skuadrat, mund të them se ka më shumë shanse që të jetë Skënderbeu ekipi i pozicionuar i katërti në këtë sezon. Nëse ndodh kjo, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme në një sezon që pakkush e cilësonte Skënderbeun në këto nivele. Në kushte të tilla jam i mendimit që nëse Skënderbeu kap vendin e katërt, do të jetë në finale për të vendosur titullin kampion. Është një ekip me një potencial të jashtëzakonshëm kur bëhet fjalë për ndeshje përcaktuese. Gjithmonë ka ditur t’ia dalë në të tilla ndeshje, ndaj edhe besimi im është i madh për diçka të tillë. Të shpresojmë që dy ndeshjet e radhës të mbyllen me pikë maksimale dhe më pas të kemi mundësinë e përfaqësimit në ‘Final 4’ për këtë sezon”, theksoi Xhambazi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"