Më të mirët dhe zhgënjimet, zbuloni notat dhe emrat që spikatën në javën e 34-të të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 13:46

Më të mirët dhe zhgënjimet, zbuloni notat dhe emrat që spikatën në javën e 34-të të Superiores

“Panorama Sport” ju paraqet notat e skuadrave për atë që dhanë në javën e 34-të të Superiores, formacionin më të mirë dhe të dobët të kësaj jave.superiore-11NOTAT E SKUADRAVE

LAÇI 8 – Arrin të fitojë një ndeshje shumë të rëndësishme, që e mban me shpresa për të shmangur “play out”-in. Skuadra e Cungut mori më të mirën ndaj një kundërshtari që është në garë për 4-shen e parë dhe kjo është për t’u vlerësuar. Për më tepër, Laçi nuk u vu aspak në rrezik nga Tirana.

PARTIZANI 8 – Ka bërë detyrën edhe këtë radhë, duke marrë trepikëshin në fushën e vet, edhe pse me pak vuajtje. Fitorja e 3-të radhazi për kampionët në fuqi, të cilët duken në rritje dhe mund të shkojnë në “Final 4” si skuadra më në formë. Çdo gjë është e hapur edhe për vendin e parë.

VLLAZNIA 7.5 – Nuk ishte një ndeshje e bukur për t’u parë sa i takon Vllaznisë, që u vu në pozita të vështira nga Dinamon. Por fitorja edhe në ndeshje të dobëta tregon forcën e kësaj skuadre. Ato që vlejnë në fund janë pikët, ato e mbajnë skuadrën shkodrane në pozita komode aktualisht.

TEUTA 7 – Nuk gabon as këtë herë ndaj skuadrës që kryeson kampionatin. E ndihmuar pak edhe nga mungesat e kundërshtarit, Teuta mori atë që donte në këtë 90-minutësh dhe tani shesh me “oreks” drejt 4-shes së parë, që nuk do të ishte aspak çudi.

KUKËSI 6 – Nuk i vlen për asgjë pikë e marrë kundër Erzenit, por meriton vlerësim për faktin se arriti të barazojë një ndeshje, që dukej praktikisht e humbur. Kukësi rikuperoi disavantazhin e dy golave dhe barazimi i jep moral para finales së Kupës.

DINAMO 5.5 – Nuk mund të mohohet fakti se Dinamo bëri një ndeshje të mirë me Vllazninë, krijoi raste dhe ishte superiore në lojë. Shpërdoroi disa mundësi të mira, që nëse do të ishin shfrytëzuar si duhet, do t’ia thjeshtonin jo pak punën.

SKËNDERBEU 5.5 – Humbja mbetet humbje, por skuadra korçare bëri një paraqitje të mirë në kryeqytet. Skënderbeu ishte në lojë për të marrë pikë deri në çastet e fundit, madje i krijoi edhe rastet për të shënuar kundër Partizanit.

ERZENI 5 – E rënë edhe kjo skuadër, ashtu si Kukësi, megjithatë ka dhënë gjithçka në fushë. Shijakasit kanë treguar një nivel të kënaqshëm dhe kanë shënuar 3 gola në një ndeshje, ku është e vështirë të gjesh motivim.

EGNATIA 4 – Ndeshje dobët, që nuk i shkon aspak për shtat një skuadre që kryeson renditjen. Egnatia nuk bëri asnjë në Durrës për të marrë pikë, ndërsa mungesat nuk janë justifikim. Rrogozhinasit u shfaqën si një skuadër pa dëshirë e grintë në fushë.

TIRANA 4 – Shumë larg asaj që u pa në derbin me Partizanin, edhe pse e humbi ndeshjen. Tirana u duke krejtësisht e dorëzuar në ndeshjen e Laçit dhe u dominua nga kundërshtari. Një qasje e çuditshme për një skuadër që është në garë për të shkuar në “Final 4”.ggg

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"