EKSKLUZIVE/ “Nuk e lëshojmë kreun”, Zejnullai: Luftojmë për të ruajtur vendin e parë, që të… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 21:18

EKSKLUZIVE/ “Nuk e lëshojmë kreun”, Zejnullai: Luftojmë për të ruajtur vendin e parë, që të… (E PLOTË)

Fundi i sezonit po rezulton emocionues dhe intrigues për Egnatian, që me dy disfatat e fundit në kampionat kundër Vllaznisë dhe Teutës rrezikon ndjeshëm kreun, që e mban prej 28 javësh.zejnullai

Rrogozhinasit do të luajnë të mërkurën kundër Dinamos për javën e 35-të, një ndeshje kjo që vendos jo pak për fatet e dy ekipeve. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mesfushori Arbin Zejnullai shprehet se Egnatia do ta mbyllë në vend të parë kampionatin, pavarësisht luhatjeve të fundit. Ai i ka shënuar Dinamos 3 gola këtë sezon dhe shpreson që të bëjë të njëjtën gjë edhe të mërkurën. Mesfushori shpreh bindjen se skuadra rrogozhinase do të shkojë pa presion në ndeshjet që vendin titullin kampion.

Zejnullai, luani kundër Dinamos të mërkurën. Çfarë prisni nga ky duel?

Do të jetë një ndeshje e fortë, pasi të dy ekipet ndodhen në katërshen e parë. Po stërvitemi intensivisht për këtë sfidë dhe do të synojmë vetëm 3 pikët kundër Dinamos. Nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi përballë do të kemi një ekip pretendent, që nuk i mungojnë cilësitë. Duhet t’i marrim më të mirën vetes dhe të shfrytëzojmë në maksimum shanset që do të na krijohen.

Keni humbur 2 ndeshjet e fundit, ku nuk keni shënuar asnjë gol. Çfarë nuk po shkon tek Egnatia?

Nuk ka diçka që nuk shkon në skuadër, por jemi ndëshkuar nga episodet. Kundër Vllaznisë u ndëshkuam nga një gol aksidental dhe luajtëm për 80 minuta me një lojtar më pak. Kundër Teutës patëm shumë pezullime dhe dëmtime dhe kjo na krijoi vështirësi. Ekipi tani është i plotë dhe do të tregojë sërish potencialin që ka, duke filluar nga ndeshja me Dinamon

I druheni faktit që Dinamo është “e uritur” për pikë dhe mund të humbisni vendin e parë?

Kemi vlerësim maksimal për Dinamon, është një ekip me histori në futbollin shqiptar dhe këtë sezon ka bërë mirë. Kemi objektivat tona dhe na duhem 3 pikët për të mbajtur kryesimin, siç kemi bërë prej muajsh. Na duhet ta mbyllim me dinjitet për të shkuar të qetë në finalen e kupës dhe në “Final 4”. Tani nuk lejohet asnjë gabim, pasi na kushtëzon në maksimum objektivat. Jemi gati për të luftuar deri në frymën e fundit për të ruajtur vendin e parë dhe shkuar pa presion në ndeshjet, ku do të vendoset titulli kampion.

Keni shënuar 3 gola ndaj kryeqytetasve këtë sezon. Ju sjellin fat?

Do të mundohem të jap gjithçka për Egnatian. Puna ime është të vrapoj për të ndihmuar ekipin në sulm dhe mbrojtje. Më pëlqen të sakrifikoj. Po, ndaj Dinamos kam shënuar 3 gola dhe shpresoj ta bëj sërish që të marrim rezultat pozitiv. Por, edhe nëse nuk do të jem protagonist, rëndësi ka të kthehemi me 3 pikë nga kjo transfertë.

Në gjykimin tuaj, sa e drejtë është sportivisht skema e “Final 4” për këtë sezon?

Këtë skemë e kemi pranuar, kemi qenë në dijeni që në fillim të sezonit. Respektojmë rregullat dhe vijojmë punën për të përmbyllur pozitivisht sezonin. Jemi në rrugën e duhur dhe mendoj se do ta tregojmë edhe në ndeshjet vendimtare se meritojmë të shpërblehemi për këtë sezon fantastik që kemi zhvilluar.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"